European Union Office in Kosovo 
European Union Special Representative in Kosovo

Kosova dhe KE diskutuan mbi politikat sociale dhe të punësimit, edukimin, hulumtimin dhe shoqërinë e informacionit

Bruxelles, 16/12/2016 - 10:00, UNIQUE ID: 161216_11
Press releases

Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian diskutuan mbi politikat sociale dhe të punësimit, edukimin, hulumtimin dhe shoqërinë e informacionit

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian u takuan në Bruksel për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushën e arsimit, punës dhe mirëqenies sociale, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, komunikimeve elektronike, shoqërisë së informacionit dhe politikave audiovizuale, shkencës dhe inovacionit. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e cila hyri në fuqi në prill 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova ranë dakord mbi rëndësinë e zbatimit të prioriteteve të Agjendës për Reformave Evropiane.

Në lidhje me arsimin, Komisioni ka theksuar edhe një herë rëndësinë që Kosova të vazhdojë përpjekjet për të siguruar autonominë dhe funksionimin e pavarur të institucioneve të arsimit të lartë dhe për të miratuar një ligj të ri mbi arsimin e lartë në bazë të standardeve ndërkombëtare. Komisioni rikujtoi nevojën për prioritizimin e sigurimit të cilësisë në të gjitha nivelet, nga arsimi parashkollor deri tek ai universitar, përmes ofrimit të fondeve të nevojshme. Qasja në arsim cilësor për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe komunitetet pakicë duhet të forcohet. Sa i përket hulumtimit dhe inovacionit, Komisioni theksoi rëndësinë e kapaciteteve të mira për hulumtim dhe inovacion në nivel kombëtar për të rritur konkurrencën dhe integrimin në Zonën Evropiane të Kërkimit dhe pjesëmarrjen në programin “Horizon 2020”. Në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Komisioni theksoi se Kosova duhet të ofrojë angazhim të vazhdueshëm ndaj Këshillit për Zbatim dhe Monitorim.

Sa i përket punësimit, palët ranë dakord se ekziston nevoja për të krijuar një sinergji në mes të agjencive të ndryshme shtetërore, ligjeve dhe strategjive për të siguruar se ka një rritje të mundësive të punësimit dhe përkrahje më të madhe nga ana e Kosovës për masat e nxitjes së punësimit. Komisioni Evropian inkurajoi Kosovën për të përgaditur një plan veprimi për trajtimin e papunësisë së të rinjve bazuar në një vlerësim të sfidave dhe duke u fokusuar në përmirësimin e rezultateve të arsimit dhe mbështetjen e tranzicionit nga shkolla në vend pune. Palët u pajtuan se përpjekje më të mëdha janë të nevojshme për të zbatuar ligjin mbi punën dhe legjislacionin mbi shëndetin dhe sigurinë në punë, veçanërisht përsa i përket çështjes së numrit të pamjaftueshëm të inspektorëve të punës.

Mbi shoqërinë e informacionit, Kosova ra dakord për të adresuar nevojat për burime, veçanërisht në lidhje me zbatimin e Strategjisë së Sigurisë Kibernetike. Komisioni i bëri thirrje Komisionit të Pavarur për Media për të përshpejtuar përgatitjen e akteve nënligjore të nevojshme dhe për finalizimin e Strategjisë për Kalimin Digjital dhe për të siguruar se fondet e nevojshme janë ndarë për zbatimin e saj. Në lidhje me politikat audiovizuale, Komisioni inkurajoi Kosovën për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të financimit për transmetuesin publik në përputhje me acquis të BE-së, si një çështje prioritare.

 

Informata mbi historikun

  • Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është korniza në kuadër të së cilës administrata e BE-së dhe  Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe politike lidhur me agjendën evropiane. Takimet sigurojnë të dhëna të drejtpërdrejta mbi raportet vjetore të Komisionit Evropian.
  • Çdo takim i nënkomitetit monitoron dhe përcjell arritjen e Kosovës në zbatimin e reformave dhe identifikon se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.
  • Janë shtatë fusha të cilat mbulohen nga takimet e nënkomiteteve: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria Informative, Politika Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Dogana dhe Tatimi; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorëve dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkataria, Pylltaria, Siguria e Ushqimit; Transporti, Mjedisi, Energjia, Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.
  • Dy fusha të tjera që mbulohen gjatë takimeve të grupeve speciale janë reforma mbi administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
  • Takimet e Komitetit të SA dhe nënkomiteteve bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim përfundon me veprime pasuese të rëna dakord për tu ndërmarrë nga autoritetet kosovare.
Editorial Sections: