European Union Office in Kosovo 
European Union Special Representative in Kosovo

BE/PSBE dhe EULEX-i e rikujtojnë rëndësinë e respektimit të drejtave të njeriut

09/12/2016 - 14:56
Haberler

BE/PSBE dhe EULEX-i e rikujtojnë rëndësinë e respektimit të drejtave të njeriut për një shoqëri të shëndetshme dhe prosperuese, në vigjilje të Ditës ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut

Më 10 dhjetor, ne e kremtojmë Ditën e të Drejtave të Njeriut, në kujtim të ditës në të cilën para gjashtëdhjetë e tetë viteve më parë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Tema e këtij viti është “Ngrihu për të drejtat e dikujt tjetër”!, që na bën thirrje të gjithë neve për ta bërë dallimin dhe për të hedhur një hap përpara dhe për t’i mbrojtur të drejtat e kujtdo që është në rrezik të diskriminimit apo dhunës.

Ky është një përkujtues i rëndësishëm në jetën e secilit prej nesh, pra të çdo qenie njerëzore, pasi që e riafirmon nevojën për t’i respektuar të drejtat e patjetërsueshme të secilit prej nesh, pavarësisht nga origjina racore apo etnike, feja, gjinia, paaftësia, mosha, orientimi seksual, origjina shoqërore apo ndonjë status tjetër. Po ashtu, ai shërben si një përkujtues i fuqishëm i betejave të miliona njerëzve të mbarë botën përgjatë dekadave për ta çuar përpara kauzën e të drejtave të njeriut, si dhe të drejtat e komuniteteve të tyre, nevojën për t’ju përmbajtur atyre, si dhe obligimin për t’i respektuar ato.

“Të drejtat e njeriut, siç janë të drejtat e komuniteteve, të drejtat e grave dhe fëmijëve, ose e drejta e lirisë së të shprehurit, janë vlerat themelore të BE-së”, tha Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese Speciale e BE-së.

“Kosova ka një kornizë ligjore progresive për të drejtat e njeriut, por zbatimi i saj është i dobët, siç edhe është theksuar në raportin e këtij viti për Kosovën. Duhet bërë më shumë për t’i garantuar të drejtat pronësore, të drejtat e komunitetit LGBTI dhe të personave me paaftësi, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe kundër dhunës në baza gjinore. Po ashtu, Kosova duhet ta adresojë çështjen e kthimit dhe ri-integrimit të personave të zhvendosur, ashtu që sulmet ndaj familjeve të kthyerve të bëhen formë e papranueshme e trysnisë mbi njerëzit të cilët kanë vuajtur shumë tashmë.”

Në këtë ditë, Shefja e Misionit EULEX zj. Alexandra Papadopoulou e ri-konfirmoi përkushtimin e fuqishëm të këtij Misioni ndaj respektimit të drejtave të njeriut, si dhe vendosmërinë e këtij Misioni për ta fiksuar dhe për t’u ndihmuar të gjitha autoriteteve kompetente në obligimin tonë të përbashkët për t’i respektuar, mbrojtur dhe përmbushur të drejtat e të gjithë njerëzve në Kosovë pa kurrfarë diskriminimi.

“Respektimi i të drejtave të njeriut është pjesë fondamentale e çdo shoqërie demokratike. Me zvogëlimin e mandatit ekzekutiv të EULEX-it, është me rëndësi që institucionet vendase t’i rrisin angazhimet e tyre për t’i garantuar të drejtat e njeriut për të gjithë njerëzit në Kosovë. Ky Mision është i gatshëm që të ofrojë këshilla dhe t’i ndihmojë autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit për t’i përmbushur obligimet e tyre për të drejtat e njeriut”.

Zj. Apostolova dhe zj. Papadopoulou, po ashtu, e theksuan rëndësinë e rolit të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të drejtave të njeriut në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

“Përmes përkushtimit dhe punës së zellshme të tyre, këto gra dhe këta burra të guximshëm janë duke e bërë të sigurte që institucionet të japin llogari për shkeljet e të drejtave të njeriut”.

Zj. Papadopoulou dhe zj. Apostolova e ritheksuan përkushtimin e EULEX-it dhe PSBE/ZBE për t’i bërë të drejtat e njeriut dhe aspektin gjinor pjesë përbërëse të gjitha aktiviteteve të tyre në përputhje me Planin e Veprimit të BE-së për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë 2015-2019.

İlgili Bölümler: