MSA-ja për të gjithë

Në prill të vitit 2016, hyri në fuqi Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA) ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Kosovës. Kjo është marrëdhënia jonë e parë kontraktuale dhe një hap i rëndësishëm për Kosovën në rrugën e saj për në BE. Kjo është e arritur e madhe për Kosovën.
Marrëveshja nuk është vetëm një dokument i nivelit të lartë politik nga dhe për institucionet dhe politikanët. Përmes kësaj marrëveshjeje është dakorduar një proces për mbështetje reale të reformave, i cili do të ndikojë në mundësitë dhe jetën e qytetarëve.
Krahas me zbatimin gradual të MSA-së, gjë e cila do të kërkojë angazhim dhe përpjekje të qëndrueshme të politikanëve dhe institucioneve publike të Kosovës, duhet të ndodhin edhe ndryshime në cilësinë e jetesës. Për shembull, forcimi i sistemit gjyqësor, përmirësimi i kushteve të të drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve demokratike, qasja më e madhe dhe e garantuar në tregjet evropiane, përmirësimi i cilësisë dhe standardit të prodhimeve nga Kosova, në mënyrë që ato të jenë më tërheqëse për konsumatorët gjithandej tregut të gjerë të BE-së, si dhe mbështetja për progres drejt një ekonomie të orientuar në treg.
Me qëllimin që marrëdhënia të japë rezultat të plotë, çdo qytetar në Kosovë mund të luajë një rol në mënyrën e vet - si qytetarë që i mbajnë politikanët përgjegjës për dakordimin me MSA-në, si persona afarist që përfitojnë nga mundësitë e ofruara nga MSA-ja.
Shpresojmë që ky publikim do ta shpjegojë më së miri se si marrëdhënia e Kosovës me BE-në do të thellohet për shkak të MSA-së, kështu që në mënyrë aktive mund ta ndiqni, apo edhe vetëm të kuptoni më mirë, procesin përmes të cilit Kosova përafrohet me BE-në.