Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

DEKLARATË PRELIMINARE : Zgjedhje të organizuara mirë me fushatë dinamike në internet por mangësitë e vjetra në kornizën ligjore mbesin të pa adresuara

Prishtinë, 19/10/2021 - 13:15, UNIQUE ID: 211019_2
Local Statements

Kjo deklaratë preliminare e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së (EU EOM) publikohet para përfundimit të tërë procesit zgjedhor. Mbeten pa u përfunduar fazat kritike, ku përfshihen tabelimi i rezultateve dhe shqyrtimi i ankesave. EU EOM tani është në pozitë vetëm për të komentuar rreth vëzhgimit të bërë deri më tani dhe më vonë do të publikojë raportin përfundimtar, duke përfshirë edhe analizën e plotë dhe rekomandimet për reformën zgjedhore. EU EOM po ashtu mund të bëjë edhe deklarata të tjera për çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet, siç dhe kur e konsideron të përshtatshme.

Zgjedhjet lokale të 17 nëntorit ishin të organizuara mirë dhe gjatë fushatës u respektuan liritë themelore. Një shumësi e garuesve u dha votuesve mundësi të vërtetë për të zgjedhur, me përjashtim të komunave me shumicë serbe ku konkurrenca politike ishte e kufizuar. Gratë ishin të nën-përfaqësuara në garat për kryetarë të komunave dhe përgjithësisht në strukturat partiake. Derisa fushata tradicionale ishte e profilit të ulët, fushata përmes internetit ishte dinamike. Financimi i fushatës nuk ishte transparent. Mediat kontribuan në informimin e votuesve duke organizuar debate gjithëpërfshirëse. Mangësitë e vjetra në kornizën ligjore mbesin të pa-adresuara siç mbesin edhe pothuajse të gjitha rekomandimet e mëhershme të BE-së për zgjedhjet.

  • Votimi i qetë dhe i rregullt u vlerësua shumë pozitivisht nga vëzhguesit e BE-së. Megjithatë, është vërejtur një numër i konsiderueshëm i rasteve të votimit me asistencë dhe rregullat për pranimin e dokumenteve të skaduara të identifikimit për identifikim të votuesve nuk ishin respektuar në mënyrë konsekuente. Numërimi i votave ishte më pak pozitiv. Në 6 nga 31 numërimet e vëzhguara është vlerësuar negativisht, kryesisht për shkak të mos-konsistencës në respektimin e procedurave.
  • Regjistrimi i kandidatëve ishte gjithëpërfshirës. Gjithsej 89 subjekte politike, përfshirë 34 parti politike, paraqitën 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,199 kandidatë për kuvende komunale. Edhe pse kuota gjinore prej 30 për qind për listat e kuvendeve komunale u respektua, partitë nominuan pak gra kandidate për kryetare të komunës. Korniza ligjore për regjistrimin e kandidatëve përmban dispozita të paqarta dhe kontradiktore, si dhe kufizime joproporcionale që nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. 
  • Duke pasur parasysh masat kundër COVID-19, kandidatët e fokusuan fushatën e tyre në media sociale dhe debate  televizive. Garuesit gëzuan të drejta të barabarta për lirinë e tubimit, shprehjes dhe lëvizjes. Në fushatë dominuan garat për kryetar të komunës, të cilat kryesisht kishin të bënin me personalitetet e kandidatëve dhe jo me platformat e partive të tyre politike. Infrastruktura komunale ishte tema kryesore, e pasuar nga shëndetësia dhe arsimi, bujqësia dhe mjedisi. Kandidatët e komuniteteve jo-shumicë bënë fushatë pothuajse ekskluzivisht në komunitetet e tyre. Lista Serbe (LS) e ka monopolizuar jetën politike në komunitetet serbe të Kosovës dhe disa bashkëbisedues të EU EOM-së kanë përmendur raste të kanosjes dhe presionit nga kandidatët dhe aktivistët e LS-së. Korniza joadekuate ligjore për financimin e fushatës, mungesa e mbikëqyrjes së mirëfilltë dhe njohuritë e kufizuara të rregullave në radhët e garuesve rezultuan në financim jo transparent të fushatës.
  • Korniza ligjore siguron një bazë adekuate për mbajtje të zgjedhjeve demokratike. Megjithatë, ende nuk janë adresuar mangësitë serioze dhe dispozitat kontradiktore mbi pranueshmërinë e kandidatëve, regjistrimin e votuesve, rregullat e fushatës zgjedhore, votimin jashtë Kosovës dhe zgjidhjen e kontesteve zgjedhore. Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i janë paraqitur pesëmbëdhjetë ankesa gjatë periudhës së fushatës. Tri parti politike u sanksionuan për fushatë të paligjshme dhe për vendosje të materialit zgjedhor. PZAP-ja publikoi shumicën e ankesave, parashtresave dhe vendimeve në faqen e tyre të internetit.
  • Një administrim gjithëpërfshirës, transparent dhe profesional i zgjedhjeve siguroi që përgatitjet të përfundonin brenda afateve ligjore dhe të perceptohej nga palët e interesuara si të pavarur dhe të besueshëm. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti takime të rregullta publike dhe shumica e vendimeve u miratuan në mënyrë unanime. Saktësia e listës së votuesve është përmirësuar, kryesisht për shkak të largimit të shumë personave të vdekur nga regjistri civil.
  • Mjedisi mediatik është dinamik dhe pluralist dhe mediat i mbuluan zgjedhjet në mënyrë të lirshme, pa asnjë pengesë në aktivitetin e tyre. Derisa televizioni publik RTK1 ofroi mbulim të gjerë dhe të balancuar të lajmeve për kandidatët, mediat e tjera kryesore transmetuese treguan më pak interesim për garat komunale. Transmetuesi publik dhe disa kanale televizive private kontribuan pozitivisht në informimin e votuesve duke organizuar debate zgjedhore gjithëpërfshirëse për shumicën e komunave. Komisioni i Pavarur i Mediave nuk ishte efektiv në zbatimin e rregulloreve.
  • Fushata online ishte dinamike dhe toni përgjithësisht ishte i moderuar. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ishte partia më aktive në Facebook, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Transparenca dhe llogaridhënia për reklamat politike me pagesë në Facebook u vështirësuan për shkak të mungesës së një kushti/kërkese që reklamuesit politikë të regjistrohen për të postuar reklama zgjedhore në Facebook dhe Instagram. EU EOM vërejti shkelje të periudhës së heshtjes zgjedhore në rrjetet sociale.

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian (EU EOM) është i pranishëm në Kosovë që nga 5 shtatori pas ftesës nga presidentja e Kosovës. Misioni udhëhiqet nga Shefi i Misionit, Z. Lukas Mandl, deputet i Parlamentit Evropian (Austri). EU EOM dërgoi gjithsej 94 vëzhgues nga 24 shtete anëtare të BE-së, Norvegjia dhe Zvicra, në tërë Kosovën, për të vlerësuar tërë procesin zgjedhor në raport me detyrimet dhe zotimet ndërkombëtare, si dhe me legjislacionin e Kosovës, për zgjedhje demokratike. Misionit iu bashkua edhe një delegacion i Parlamentit Evropian, i kryesuar nga Znj. Viola von Cramon-Taubadel, deputete e Parlamentit Evropian, i cili mbështet plotësisht këtë Deklaratë. Në ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit vizituan mbi 400 vendvotime në 37 komuna të Kosovës për të vëzhguar votimin dhe numërimin. The EU EOM është i pavarur në gjetjet dhe konkluzionet e tij dhe i përmbahet Deklaratës së Parimeve për Vëzhgimin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve të nënshkruar në selinë e Kombeve të Bashkuara në tetor të vitit 2005.

PDF icon DEKLARATË PRELIMINARE

Seksionet editoriale: