Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Apostolova: Sundimi i së drejtës është në thelbin e MSA-së

19/09/2016 - 15:30
News stories

Fjalim tematik nga Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Konferencën e GSJP-së “Progresi i zbatimit të MSA-së: sfidat e agjendës evropiane dhe reformat në sundimin e së drejtës”

Të nderuar anëtarë të Komisionit për Integrim Evropian,

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të jem sot në mesin tuaj dhe të përgëzoj Komisionin e Kuvendit dhe Grupin për Studime Juridike dhe Politike për organizimin e këtij diskutimi publik mbi zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

MSA-ja është e rëndësishme si për nga aspekti politik ashtu edhe ai ekonomik. Dhe zbatimi i saj është kyç.

Është kontrata e parë gjithëpërfshirëse mes BE-së dhe Kosovës, dhe e konfirmon rrugën e qartë të Kosovës në integrimin evropian.

Ajo mund të jetë një pikë kthese, një kauzë e përbashkët për të gjitha partitë politike në kapërcimin e dallimeve, dhe në riafirmimin e zotimit të tyre ndaj vlerave evropiane. Prania juaj këtu konfirmon zotimin tuaj ndaj Kosovës dhe progresit të saj për të cilin Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mund të jetë një mjet shumë i rëndësishëm, si dhe përkushtimin tuaj në rrugën evropiane të Kosovës ku MSA-ja paraqet një prej hapave që lehtësojnë rrugëtimin. Ajo po ashtu konfirmon potencialin unifikues të agjendës evropiane.

Është po aq me rëndësi të vërehet që, nëse zbatohet siç duhet, marrëveshja do të sjellë përfitime konkrete ekonomike për qytetarët, dhe do të ndryshojë shoqërinë e Kosovës për të mirë. Shpresoj që ngjarja e sotme do të na sjellë më afër për të kuptuar këto përfitime dhe mënyrat se si mund t’i shfrytëzojmë ato më së miri.

Marrëveshja paraqet një dëshmi se BE-ja dhe Shtetet Anëtare të BE-së përkujdesen, dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim, për zotimit tonë ndaj Kosovës dhe progresit të saj. 

Ne duam që të shohim forcim të demokracisë dhe sundimit të së drejtës në Kosovë me një Kuvend funksional, zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe ku të gjithë njerëzit trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit dhe institucioneve të sundimit të së drejtës.

Sundimi i së drejtës është në thelbin e MSA-së. Në të njëjtën kohë, sundimit i së drejtës paraqet një nga sfidat më të mëdha për Kosovën, me një numër çështjesh të përsëritshme si pavarësia e gjyqësorit, korrupsioni, krimi i organizuar, transparenca në procese të caktuara të ekonomike dhe të vendimmarrjes.

Këto probleme - nëse nuk trajtohen si duhet dhe me angazhim të plotë të të gjitha institucioneve - mund të pengojnë përpjekjet për ta sjellë Kosovën më afër BE-së.

Në periudhën vijuese, BE-ja do të donte të shohë përmirësime të mëtejme në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, veçanërisht në lidhje me 1) ndryshimin dhe përvetësimin e legjislacionit përkatës, 2) forcimin e organeve kundërkorrupsion, 3) përvetësimin e rregullave që garantojnë pezullimin dhe largimin e zyrtarëve publikë të akuzuar dhe të dënuar për korrupsion, 4) forcimin e  vijimësisë së rezultateve në lidhje me ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë, duke përfshirë hetimet, dënimet përfundimtare dhe konfiskimin e pasurisë, dhe 5) proceset e ligjshme dhe transparente të emërimit dhe nominimit në bordet drejtuese të ndërmarrjeve publike. 

Të gjitha këto veprime, nëse ndërmerren me kujdesin dhe përpjekjen e duhur do kontribuojnë në mënyrë të pamohueshme në zbatimin e plotë dhe të qëndrueshëm të kësaj marrëveshjeje.

Nga ana ekonomike, synimi kyç është përmirësimi i pozitës së Kosovës në tregtinë ndërkombëtare, duke i ndihmuar në korrigjimin e çekuilibrit të tanishëm tregtar, me ofrimin e mundësive të reja për eksportet nga Kosova.  MSA-ja ka për qëllim që të vendosë produktet e BE-së dhe të Kosovës (që përmbushin standardet e cilësisë së BE-së) në një fushëlojë të barabartë, duke i dhënë shumicës së produkteve nga Kosova qasje të pakufizuar në tregun e BE-së. Kjo do të krijojë kushtet për tërheqjen e investimeve të cilat mund të krijojnë vende pune, dhe të cilat do të krijojnë produkte më të mira në dispozicion për qytetarët.

Mirëpo, MSA-ja nuk është një kurë gjithëpërfshirëse ekonomike. Kosova do të vazhdojë të përballet me sfida serioze ekonomike. Pasja e kësaj qasjeje të garantuar në tregjet e BE-së do të sjellë përfitime të plota vetëm nëse brezi dhe cilësia e produkteve të Kosovës do të përmirësohet për të qenë sa më konkurrues që të jetë e mundur. 

Dhe, për shkak se asgjë nuk ndodh në izolim, këto reforma thelbësore ekonomike shkojnë krah-për-krahu me përmirësimin e gjendjes së demokracisë, sundimit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, në mënyrë që të përfitohet plotësisht nga MSA-ja.

Roli i Kuvendit në këto procese është i pazëvendësueshëm, sidomos në mbikëqyrjen e veprimeve që çojnë kah ndryshimi që mund të sendërtohet në Kosovë.

Dhe zbatimi i MSA-së do të sjellë një varg ndryshimesh. Tashmë e kemi mbajtur mbledhjen e parë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim në Prishtinë në maj, me deputetët nga Kuvendi i Kosovës, që përfaqësojnë të gjitha partitë politike, dhe anëtarët e Parlamentit Evropian.  Jemi në fazën përfundimtare të ngritjes së strukturave të mbetura të organeve kryesore të MSA-së, siç janë Këshilli i MSA-së, Komisioni dhe nënkomisionet. 

I ftoj qeverinë dhe opozitën, si dhe shoqërinë civile, që të bashkëpunojnë në lidhje me punën e strukturave të MSA-së, për të siguruar që interesat e Kosovës përfaqësohen në nivelin dhe cilësinë më të mirë të mundshme, dhe që puna e Këshillit dhe komisioneve të gëzojë mbështetje në mbarë vendin. 

Zonja dhe zotërinj,

Instrumentet e tilla si MSA-ja, janë mjetet e duhura për të trajtuar problemet e Kosovës, për të zbatuar reformat e nevojshme, dhe për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane.

Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit parasheh instrumente konkrete për të përmirësuar ekonominë, për krijimin e vendeve të punës, luftimin e korrupsionit, forcimin e demokracisë dhe sundimit të së drejtës, dhe rritjen e stabilitetit politik dhe institucional. I mbetet Kosovës që të realizojë funksionimin e saj për qytetarët e vet dhe për të mirën e qytetarëve të vet. Sa më shumë që të zbatojë MSA-në Kosova, aq më shumë do t’i afrohen standardet e saj atyre të shteteve anëtare të BE-së.

Është e rëndësishme që kjo t’i komunikohet kuptueshëm popullit.  Një nga mënyrat për ta bërë këtë është me përqendrimin e përpjekjeve dhe prioritetizimin e veprimeve që duhen ndërmarrë në afat të shkurtër. Në këtë drejtim, Agjenda e Reformës Evropiane (ERA), aktualisht në bërje e sipër, do të paraqesë një mjet të rëndësishëm zbatimi për MSA-në që ka për qëllim kapjen e plotë të mundësive të MSA-së si mjet kryesor për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës. 

Kuvendi, me rolin dhe kompetencat e veta institucionale, mund të formësojë cilësinë e legjislacionit dhe të përshpejtojë reformat që lypsen për zbatimin e MSA-së.

I bëj thirrje Kuvendit dhe Komisionit për Integrim Evropian për t’u angazhuar seriozisht rreth zbatimit të MSA-së duke (a) siguruar përvetësimin e legjislacionit cilësor në vijë me acquis të BE-së, (b) monitoruar rregullisht zbatimin e këtij legjislacioni dhe duke ndërmarrë masa për të trajtuar zbrazëtirat dhe mangësitë e identifikuara, dhe duke (c) emëruar me kohë persona profesionistë në të gjitha institucionet relevante. 

Në këtë drejtim, roli i opozitës dhe shoqërisë civile është vendimtar. Zbatimi i MSA-së kërkon mbështetje nga i gjithë spektri politik, por po ashtu nga shoqëria civile dhe aktorë të tjerë që kanë një rol të rëndësishëm në monitorimin e progresit dhe llogaridhënien e kërkuar nga prijësit politikë për kryerjen e detyrave.

Si opozita ashtu edhe shoqëria civile duhet të jenë aktive, të angazhuara dhe - nëse del nevoja - zëra dhe partnerë kritikë për të siguruar zbatimin e plotë dhe efektiv të Marrëveshjes. 

Për këtë qëllim, e kam ndërmend që të takohem me të gjithë anëtarët e Komisionit Kuvendor për Integrim Evropian si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile në një të ardhme fare të afërt. 

Ju uroj sukses dhe ju falënderoj për vëmendjen.

Seksionet editoriale: