Delegation of the European Union to Georgia

Sunjog nënshkruan projekte me vlerë 11.8 milionë euro që sigurojnë mbrojtje sociale për grupet e cenueshme

15/01/2021 - 14:00
Lajmet

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Tomash Sunjog, nënshkroi sot tri projekte me vlerë prej 11.8 milionë euro që sigurojnë mbrojtje sociale për grupet e cenueshme në Kosovë gjatë pandemisë së koronavirusit.

 

Projektet do të sigurojnë mbështetje emergjente, mbrojtje sociale dhe rimëkëmbje të shpejtë socio-ekonomike për grupet më të cenueshme, veçanërisht për fëmijët dhe gratë. Këto janë pjesë e një programi që si cak ka një popullatë prej 200,000 qytetarësh. Këtu përfshihet një skemë e ndihmës emergjente për adresimin e nevojave bazë të 8,000 familjeve që jetojnë në varfëri, duke përfshirë familje që u përkasin grupeve të pakicave ose që nuk janë të regjistruara zyrtarisht. Synimi është të përmirësohet qëndrueshmëria e politikave sociale që adresojnë pabarazitë dhe nxisin kohezionin social në planin afatmesëm dhe afatgjatë.

Ambasadori Sunjog përkujtoi se pandemia ka krijuar një ndjenjë izolimi mes individëve dhe e ka destabilizuar jetën shoqërore, duke shkaktuar shqetësime mendore dhe fizike si kurrë më parë.

“Prandaj, Zyra e BE-së në Kosovë është e kënaqur që po e lanson këtë program që do të kontribuojë në nxitjen e solidaritetit dhe kohezionit social në komunitetet tona të tronditura kaq thellë nga efekti dramatik i pandemisë dhe ndikimi i saj në jetën e njerëzve.”

Ambasadori Sunjog theksoi edhe se “tashmë, teksa vaksinat bëhen gradualisht të disponueshme, BE-ja po mobilizon të gjitha burimet e saj për të siguruar qasjen e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat COVID-19”.

Projektet do të zbatohen nga Programi për Zhvillimit i OKB-së (UNDP), Save the Children, dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Së bashku me Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së për Kosovën, Ahmet Kryeziun, Drejtor i Save the Children për Kosovë, dhe Anna Rostocka, Shefe e Misionit të IOM-it në Kosovë, Ambasadori Szunyog i nënshkroi kontratat në prani të Mentor Morinës, Drejtor i Departamentit për Politika Sociale dhe Familjen në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Programi do të zbatohet në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Qendrat Komunale për Punë Sociale, si institucionet kryesore përgjegjëse për politikat sociale dhe ndarjen e skemave dhe shërbimeve të ndihmës. Ai do të mbështesë edhe organizatat jofitimprurëse që mbrojnë dhe ndihmojnë fëmijët, gratë dhe familjet e pafavorizuara, duke përfshirë edhe ato nga komunitetet pakicë dhe/ose të paregjistruara zyrtarisht në sistemin e mirëqenies sociale.

Seksionet editoriale: