Delegation of the European Union to Georgia

Nënkomiteti i 11-të BE – Shqipëri për Bujqësinë dhe Peshkimin

Brussels, 06/12/2019 - 18:16, UNIQUE ID: 191209_18
Press releases

Përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe Shqipëria u takuan në Bruksel, më 6 dhjetor 2019, për të diskutuar nivelin e zbatimit të MSA-së dhe përafrimin e legjislacionit të vendit me acquis të BE-së në fushën e bujqësisë dhe peshkimit, përfshirë çështjet e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe ato fitosanitare. Takimi u bashkëkryesua për BE-në nga znj. Ingrid Jenezova nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, ndërsa për Shqipërinë nga z. Sokol Dedja, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Sa i përket bilancit tregtar dypalësh të produkteve bujqësore dhe të peshkimit, Komisioni vuri në dukje rritjen e eksporteve nga të dy palët gjatë vitit të kaluar, ndërsa tregtia me produkte bujqësore të përpunuara u ul në vitin 2018.

Komisioni përshëndeti përpjekjet e autoriteteve shqiptare për zbatimin e Instrumentit për Ndihmë Para-Anëtarësimit për Zhvillimin Rural (IPARD - programi i zhvillimit rural të financuar nga BE-ja), dhe theksoi nevojën për të shpejtuar proceset që lidhen me qëndrueshmërinë ekonomike të projekteve, ngritjen e kapaciteteve të shërbimeve këshilluese për të ndihmuar përfituesit e mundshëm, forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Autoritetit Menaxhues dhe Agjencisë IPARD, si dhe vazhdimin e sigurimit të zbatimit të tij në një mënyrë transparente.

Komisioni e ftoi Shqipërinë të kompletojë dhe ta bëjë plotësisht funksional regjistrin e kafshëve, si dhe të krijojë regjistrin e fermerëve. Të dy regjistrat janë të nevojshëm për zbatimin efikas të IPARD-it, si dhe për kërkesat e përcaktuara në kuadrin legjislativ të politikës veterinare. Shqipëria duhet të sigurojë kalendarin e përfundimit të këtyre regjistrave në vitin 2020. Për më tepër, Komisioni e ftoi Shqipërinë të vazhdojë të punojë për konsolidimin e tokës - përfshirë krijimin e një kadastre - të cilat janë thelbësore për zbatimin e disa aspekteve të rëndësishme të Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) . Në këtë kontekst, Komisioni theksoi rëndësinë e fillimit të punës përgatitore për Regjistrimin e ardhshëm të Pronave Bujqësore (CAH).

Komisioni e inkurajoi Shqipërinë të përgatisë një politikë kombëtare për sigurinë e ushqimit dhe planin e zbatimit të përafruar me standardet e BE-së, si dhe të sigurojë një kapacitet të mjaftueshëm administrativ, i cili është thelbësor për të lejuar një zbatim të saktë dhe të harmonizuar, si dhe për të siguruar gjurmimin e plotë përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor.

Në sektorin e peshkimit, Komisioni e ftoi Shqipërinë të vazhdojë zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun (GFCM) dhe të riaktivizojë Sistemin e Monitorimit të Anijeve (VMS), i cili nuk ka funksionuar që nga marsi 2017. Shqipëria u ftua gjithashtu të përmirësojë kapacitetin administrativ në sektorin e peshkimit.

Languages:
Seksionet editoriale: