Delegation of the European Union to El Salvador and to the Central American Integration System (SICA)

Ambassador Luigi Soreca’s concluding remarks on the occasion of Europe Weeks 2021

Tirana, Albania, 30/05/2021 - 20:11, UNIQUE ID: 210530_4
Speeches of the Ambassador

Të dashur miq,

21 ditë më parë nisëm një udhëtim të jashtëzakonshëm, nga dëbora e Vermoshit te nxehtësia e Konispolit.

Që atëherë autobusi ynë i Javëve të Evropës ka vizituar 24 bashki dhe më shumë se 50 projekte të BE-së dhe Shteteve Anëtare. Ne, gjithashtu, organizuam 104 aktivitete, duke përfshirë diskutime, vizita, koncerte, shfaqje, lojëra, tryeza të rrumbullakëta dhe shumë më tepër.

Kemi udhëtuar gjithsej 2.230 kilometra me autobus.

E nisëm këtë udhëtim të jashtëzakonshëm me një frymë shprese dhe optimizmi, dhe kudo përgjatë këtij rrugëtimi gjetëm një entuziazëm dhe përgjigje që na kanë lënë pa fjalë në kaq shumë raste.

Në çdo ndalesë, ne pamë një dëshirë të madhe për të diskutuar dhe për t’u angazhuar me ne, si dhe një dëshirë të zjarrtë për të festuar së bashku pas muajsh vështirësish për shkak të pandemisë.

Ne donim që Javët e Evropës 2021 të ishin për njerëzit në Shqipëri. Ne donim të gjenim kohë për të biseduar drejtpërdrejt me ju, personalisht, aty ku jetoni, aty ku punoni, aty ku studioni.

Ky ishte objektivi ynë dhe më duhet të them se reagimet që kemi marrë nga ju i tejkaluan të gjitha pritshmëritë tona.

Në nivelin personal, pata shumë takime të jashtëzakonshme që nuk do t’i harroj kurrë. Që nga Esmeralda 17-vjeçare, të cilën e takova në Përmet dhe e cila dëshiron të jetë prokurore për të forcuar shtetin e së drejtës, deri te e mrekullueshmja Nëna Antigoni në Himarë. Kurrë nuk do t’i harroj fjalët e tyre, shikimin në sytë e tyre apo buzëqeshjet, të cilat do të më shoqërojnë përgjithmonë.

Kam takuar një Shqipëri që është punëtore, zemërmirë, plot integritet dhe e përkushtuar për t’i ndryshuar gjërat, madje edhe në zonat më rurale e të izoluara.

Një Shqipëri që shikon drejt Bashkimit Evropian për aspiratë dhe mbështetje.

Mësuam më shumë për ju, dhe ju mësuat më shumë për ne. “Evropa është këtu” nuk ka qenë kurrë më kuptimplote sesa në tri javët e fundit. Ne kemi parë sesi fuqia transformuese e mbështetjes së BE-së dhe Shteteve Anëtare të saj është materializuar në terren në vendin tuaj.

Në çdo cep të Shqipërisë, çdo ditë të vitit, BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj po ndihmojnë për transformimin e vendit drejt arritjes së të njëjtës cilësi jetese si në Bashkimin Evropian. BE-ja nuk është vetëm në Bruksel apo Tiranë, por është dhe do të jetë gjithmonë në çdo bashki që kemi vizituar.

Unë do të doja të falënderoja të gjithë ata që janë përfshirë në projektet tona të BE-së, të gjithë ata që marrin mbështetje nga ne: OJQ-të, grupet e të rinjve, bashkitë, bizneset. Ju jeni ambasadorët tanë më të përkushtuar në këtë vend. Faleminderit për gjithçka që keni bërë!

Por më lejoni tani të përqendrohem te të rinjtë me të cilët kemi ndërvepruar në çdo ndalesë të udhëtimit tonë. Po i mbyll këto Javë të Evropës më i bindur se kurrë se Shqipëria ka nevojë të investojë te rinia e saj dhe ta përfshijë atë në qeverisjen e vendit. Ne do të dëshironim të shihnim Këshilla Bashkiake të Rinisë që ndihmojnë qeverinë vendore në çdo bashki, siç pamë në Ersekë.

Si qytetarë të ardhshëm të BE-së, me shkallën e angazhimit dhe njohurive që pamë, të rinjtë e këtij vendi janë një mundësi unike, si për Shqipërinë ashtu dhe për integrimin e saj në BE.

Këto Javë të Evropës kanë qenë gjithashtu Javë të Ekipit Evropa. Kam udhëtuar nëpër vend me kolegët e mi ambasadorë të BE-së. Shumë prej tyre kanë qenë në autobus gjatë gjithë udhëtimit, sepse ne jemi një familje. Unitet në diversitet.

Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Sepse Shqipëria është Evropë. Udhëtimi me ju e ka bërë edhe më të qartë se ne ndajmë të njëjtat vlera, të njëjtën histori dhe të njëjtat aspirata.

Ju e keni vendin me ne. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë derisa Shqipëria dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian.

Kjo është ajo për çka punojmë çdo ditë unë dhe kolegët e mi në Delegacionin e BE-së në Tiranë dhe në institucionet tona në Bruksel.

Tani të gjithë po presim me padurim fillimin e bisedimeve të pranimit. Kushtet janë vendosur... dhe janë përmbushur. Ne besojmë se TANI është koha për ta bërë këtë hap.

Sepse Evropa është këtu dhe këtu është Evropë.

Faleminderit shumë dhe mirupafshim!

 

Languages:
Seksionet editoriale: