Delegation of the European Union to El Salvador and to the Central American Integration System (SICA)

Fjalimi i Ambasadorit Soreca gjatë eventit mbi "Sfidat dhe mundësitë në luftën kundër korrupsionit dhe nxitjen e integritetit"

Tirana, Albania, 05/07/2021 - 12:31, UNIQUE ID: 210705_5
Speeches of the Ambassador

Ajo që e bën korrupsionin një armik të fuqishëm për t’u luftuar janë ndërlidhjet kriminale midis botës administrative, gjyqësore, policore dhe politike. Mënyra e vetme për ta luftuar me efektivitet është të punojmë së bashku, në një veprim të mirë-koordinuar dhe të palodhur.

Dhënia fund pandëshkueshmërisë për korrupsionin është thelbësore në kthimin e besimit te shoqëria dhe një klime të shëndoshë biznesi që tërheq investime. Për të arritur atje, qasja “ndiq paratë” është thelbësore për të goditur korrupsionin dhe për të shpartalluar krimin e organizuar.

Ndërsa sa më sipër janë të vërteta të njohura, këto të vërteta nuk shndërrohen lehtësisht në praktikë. Arsyet janë të shumëfishta: mungesa e burimeve, mjeteve dhe aftësive, mungesa e marrëveshjeve dhe mekanizmave efikasë të bashkëpunimit ndërkufitar, mungesa e vullnetit për shkak të korrupsionit të brendshëm, mungesa e vullnetit për shkak të presionit politik.

Në Shqipëri, ne po shohim rezultatet e para konkrete të reformës së thellë të sistemit të saj të drejtësisë.

Krijimi i strukturave të specializuara hetimore dhe gjyqësore për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin po finalizohet. Dhe SPAK ka nisur të japë rezultate në të dyja fushat, d.m.th., çuarjen e zyrtarëve të korruptuar në gjyq dhe konfiskimin e pasurive në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në të kaluarën, ishte e padëgjuar të çoje në gjyq një Prokuror të Përgjithshëm. Muajin e kaluar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dënoi me burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Edhe magjistratë të tjerë të lartë po arrestohen dhe po ndiqen penalisht për krime të rënda. Dhe vetëm të premten e kaluar, operacioni “Shpirti” ishte një sukses i jashtëzakonshëm i SPAK-ut dhe forcave shqiptare të zbatimit të ligjit që u vlerësua nga prokurorët e lartë italianë të antimafias. Tani mezi pres ta shoh këtë çështje duke u gjykuar.

Unë shoh gjithashtu përpara - dhe e di se çdo Prokuror i Posaçëm është edhe më i paduruar për t’i parë 27 hetuesit e parë të BKH-së të bëhen plotësisht funksionalë në gusht. Kam dëgjuar që i kanë vlerësuar si më të mirët dhe më të mençurit. Shpresojmë që do të shohim një grup tjetër po kaq të motivuar dhe të trajnuar mirë hetuesish të rekrutohen dhe të trajnohen gjatë vjeshtës, duke e përmirësuar më tej historikun.

Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se duhet më shumë, veçanërisht në dy pika: dënime dhe konfiskime përfundimtare të pasurive.

Për të pasur sukses me përmirësimin e historikut të dënimeve dhe konfiskimeve, hetimet financiare janë thelbësore dhe duhet të ndiqen në çdo rast. Hetimet financiare janë komplekse dhe nevojitet ekspertizë specifike. Në këtë drejtim, BE-ja nisi marsin e kaluar një program novator, të drejtuar nga autoritetet spanjolle, italiane dhe holandeze, që mbështesin agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit, me 5.5 milionë euro për të përmirësuar hetimet financiare dhe për të ndjekur në mënyrë efektive paratë.

Dënimi i figurave publike të nivelit të lartë ka qenë një pikë kthese në disa prej vendeve të Evropës Jug-Lindore në vitet e fundit. Vetëm me zyrtarë të nivelit të lartë pas hekurave, politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët do ta kuptojnë se ata nuk janë - ose më mirë të them “nuk janë më”- mbi ligjin.

Me gjithë progresin e bërë, ne ende nuk kemi arritur këtë në Shqipëri.

Tri fusha duhet të bëhen fokusi i vëmendjes së autoriteteve shqiptare në të ardhmen e afërt:

Siç u përmend, vendi duhet të rrisë përpjekjet e tij për të krijuar një historik të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe gjykimeve të çështjeve të korrupsionit, sekuestrimit dhe konfiskimit / rikuperimit të pasurive kriminale që rezultojnë nga veprat penale që lidhen me korrupsionin.

Prokurorisa e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykatat e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuarduhet ta trajtojnë me efektivitet korrupsionin e nivelit të lartë. Por ato kanë nevojë për burime dhe aftësitë e duhura, si dhe për bashkëpunim efektiv mes këtyre strukturave të reja dhe enteve të tjera prokuroriale dhe gjyqësore.

Vendi duhet të sigurojë gjithashtu që ndjekjet penale të nisin në mënyrë që qëndrueshme dhe sistematike kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të rivlerësimit.

Unë besoj se tani - me një SPAK funksionues që po jep rezultatet e para dhe me një Prokuror të Përgjithshëm, i cili e ka vendosur luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave në krye të agjendës së tij - Shqipëria është në pozicionin e duhur për të goditur fenomenin helmues të korrupsionit.

Sigurisht që Shqipëria nuk është e vetme në këtë luftë. BE-ja dhe Shtetet e saj Anëtare, si dhe partnerët ndërkombëtarë, duke nisur nga SHBA-të, janë pranë jush.

BE-ja e ka mbështetur Shqipërinë duke shpenzuar gati 60 milionë euro që nga viti 2012 për të:

ndihmuar Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në,

përmirësuar pajisjet e prokurorisë dhe Policisë së Shtetit Shqiptar,

forcuar kapacitetet e agjencive të zbatimit të ligjit përmes PAMECA-s,

mbështetur procesin e verifikimit përmes financimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, dhe

mbështetur hetimet financiare.

Duke nisur nga kjo javë, në kontekstin e një programi rajonal, ekspertët do të monitorojnë çështjet e para të gjykimeve të korrupsionit të nivelit lartë dhe krimit të organizuar në Gjykatën e Posaçme, duke synuar identifikimin e çështjeve më sistemike që pengojnë përmirësimin e historikut në rastet e nivelit të lartë.

Sfidat janë të shumta dhe disa prej tyre janë më të vështira për t'u kapërcyer sesa të tjerat. Sidoqoftë, qëllimi përfundimtar ia vlen të gjitha përpjekjet e përbashkëta. Për të krijuar një mjedis në vend ku qytetarët të ndihen më të sigurt dhe t'u besojnë institucioneve të tyre. Dhe një klimë biznesi që do të tërheqë investime dhe si rezultat do të rrisë standardet ekonomike dhe cilësinë e jetës së qytetarëve të zakonshëm.

Të gjitha autoritetet shqiptare dhe qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se mund të mbështeten te Bashkimi Evropian për të ndjekur këtë qëllim.

Faleminderit për vëmendjen.

 
Languages:
Seksionet editoriale: