Delegation of the European Union to Colombia

Raund i dytë i menaxhuar mirë pas rinumërimeve të shumta dhe konkurrencës së fortë në një fushatë dinamike

Prishtinë, 16/11/2021 - 12:00, UNIQUE ID: 211116_10
Press releases

Shefi i Misionit Vëzhgues, Z. Lukas Mandl, deputet i Parlamentit Evropian, prezantoi sot gjetjet preliminare të Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në Kosovë të mbajtur me 14 nëntor.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave ishte i administruar mirë dhe konkurrues,” tha Mandl në një konferencë për media sot në Prishtinë. “Fushata ishte i gjallë dhe e qetë, megjithëse toni i saj ishte më i ashpër krahasuar me raundin e parë. Megjithatë, në mungesë të ndëshkimeve për zhvillim të fushatës jashtë periudhës zyrtare pesëditore, shumica e kandidatëve filluan të kërkonin votën shumë kohë para se të niste fushata zyrtare,” shtoi Z. Mandl.

Në përgjithësi, vëzhguesit e BE-së e vlerësuan pozitivisht votimin dhe numërimin në pothuajse të gjitha vendvotimet e vizituara në 21 komunat e Kosovës ku u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave, edhe pse në disa vendvotime të vëzhguara janë vërejtur disa vështirësi në përputhjen e fletëvotimeve.

Në tubimet e kandidatëve morën pjesë liderët kombëtarë të partive të mëdha, përfshirë kryeministrin dhe ministrat. Mes dy raundeve, qeveria shpalli një rritje të përkohshme të përfitimeve sociale gjë që çoi në akuza të opozitës për blerje indirekte të votës.

“Derisa kandidatët ndanë informacione të dobishme përmes platformave online, disa faqe jotransparente në Facebook u përdorën për të shpërndarë përmbajtje çorientuese, duke penguar kështu aftësinë e votuesve për të formuar opinione pa ndërhyrje manipuluese,” tha zoti Mandl.

Mediat transmetuese organizuan disa intervista dhe debate dhe duke respektuar rregulloret, u përmbajtën nga transmetimi i përmbajtjeve politike me pagesë jashtë periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore. Disa kanale publikuan sondazhe jo të besueshme.

“Procesi i parashtresave dhe ankesave pas raundit të parë përgjithësisht u zhvillua në mënyrë transparente dhe të paanshme,” tha zoti Mandl, duke shtuar se “Megjithatë, tabelimi i rezultateve të raundit të parë, edhe pse i detajuar dhe transparent, vuri në pah disa dobësi të theksuara në numërim dhe plotësim të formularëve të rezultateve. Për më tepër, mungesa e hapur e transparencës lidhur me financimin e fushatave të kandidatëve vazhdoi edhe në raundin e dytë. Këto janë disa nga çështjet e vjetra që duhet përfundimisht të adresohen.

BE-ja dërgoi 62 vëzhgues nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra, për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave që u zhvillua me 14 nëntor në 21 komuna të Kosovës. EU EOM vazhdon të përcjell procesin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe zgjidhjen e parashtresave dhe ankesave.

Për më shumë informata, ju lutem kontaktoni zyrtarin për media të EU EOM Kosovë 2021.

Marek Mracka, Zyrtar për Media, EU EOM Kosovë 2021,

marek.mracka@eueomkosovo2021.eu +383 48 798 326

PDF icon KOMUNIKATË PËR SHTYP

Seksionet editoriale: