Delegation of the European Union to China

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në takimin e 27-të të Grupit të Financuesve të Projektit të Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)

Tirana, Albania , 23/05/2019 - 16:16, UNIQUE ID: 190523_14
Speeches of the Ambassador

Të dashur bashkëkryetarë,

Të dashur përfaqësues të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, donatorëve dypalësh dhe shumëpalësh dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, të dashur kolegë,

Është një kënaqësi e madhe për mua të jem sot këtu me ju me rastin e takimit të 27-të të Grupit të Financuesve të Projektit të Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) ka vërtetuar se është një platformë shumë e suksesshme që kontribuon në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur projektet strategjike të investimeve dhe duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe ndërlidhjen.

Kanë kaluar tashmë 10 vjet që nga fillimi i WBIF-së, gjatë të cilëve janë dhënë mbi 1 miliardë Euro grante për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të infrastrukturës përmes WBIF-së.

Ne e përqendrojmë pashmangshmërisht punën tonë në çuarjen përpara të reformave kyçe që janë themelore për anëtarësimin në BE, siç është shteti ligjor. Në të njëjtën kohë, është thelbësore që paralelisht, përmes mbështetjes siç është WBIF, të adresojmë nevojat kyçe të infrastrukturës për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve.

Por çfarë do të thotë të investosh në infrastrukturë? Këtu në Shqipëri, WBIF ka mbështetur 950 km rrugë rurale, ka siguruar furnizim me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza për rreth 450.000 njerëz, ka përmirësuar menaxhimin e mbetjeve të ngurta për 370.000 të njerëz, 22 shkolla janë rehabilituar, si dhe është përmirësuar infrastruktura e kujdesit shëndetësor për 65.000 pacientë. Në tërësi, Shqipëria ka përfituar nga grantet nën ombrellën e WBIF-së prej gati 140 milionë Euro.

WBIF gjithashtu ka ndihmuar lëvizshmërinë përmes ndërlidhjes më të mirë. Përafërsisht  200 milionë € në grante investimesh në vit i caktohen përfituesve të Ballkanit Perëndimor për zbatimin e investimeve të infrastrukturës në shkallë të gjerë në sektorët e transportit dhe energjisë. Lidhjet e transportit dhe energjisë janë përmirësuar, veçanërisht falë ndihmës substanciale të BE-së dhe mbështetjes së WBIF-së. Kjo ka përfshirë përgatitjen dhe ndërtimin e "rrjeteve bazë të transportit dhe energjisë" që lidhin të gjitha kryeqytetet, qendrat kryesore ekonomike dhe portet kryesore.

Dua të nënvizoj një aspekt që e konsideroj thelbësor: mbështetja për infrastrukturën duhet shoqëruar gjithmonë me progres në kryerjen e reformave të sektorit. Në këtë drejtim, WBIF gjithashtu ofron një kuadër për angazhimin e institucioneve financiare ndërkombëtare në dialogun e politikave dhe reformat në transport, energji, ujë dhe sektorë të tjerë kryesorë.

Kuadri ekziston, por ne duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë. Dhe ta bëjmë së bashku.

Natyrisht, ka pak kuptim të investohet shumë në rrugë apo hekurudha moderne nëse kamionët apo trenat ngecin në kufij. Apo të investohet në rrjete energjie nëse pastaj ato janë tregje të grupuara apo të rregulluara keq

Ndërlidhja dhe ndërtimi i infrastrukturave duhet të plotësohen me masa rajonale, institucionale dhe rregullatore që hapin tregjet, krijojnë një kornizë rregullatore transparente, ndërtojnë besimin e investitorëve dhe heqin pengesat.

Kjo është arsyeja pse Zona Ekonomike Rajonale është kaq e rëndësishme. Siç është vlerësuar, më shumë se 80.000 vende pune mund të krijohen në të gjithë Ballkanin Perëndimor përmes integrimit më të thellë ekonomik. Dhe integrimi më i thellë ekonomik do të forconte gjithashtu qëndrueshmërinë e rajonit kundër sfidave globale ekonomike dhe gjeopolitike.

Duke parë përpara, Strategjia për Ballkanin Perëndimor dhe iniciativat e tij për zhvillimin socio-ekonomik, ndërlidhjen e transportit dhe energjisë dhe agjendën digjitale, shërbejnë si bazë për ta bërë WBIF-në më strategjik dhe më efikas.

Ne duhet të mësojmë nga përvoja 10-vjeçare në mënyrë që të shfrytëzojmë sa më mirë mundësinë e dhënë dhe potencialin e plotë të WBIF-së duke i lidhur më mirë përparësitë investuese dhe përparësitë socio-ekonomike strategjike të rajonit.

Ne duhet të punojmë me projekte të maturuara, afate realiste dhe perspektiva financimi të qëndrueshme. Dhe duhet të fokusohemi në zbatimin e Zonës Ekonomike Rajonale, për të përmirësuar lehtësimin e tregtisë, investimet dhe për të përforcuar përfshirjen sociale.

Unë kam besim se takimi i sotëm do të kontribuojë me reflektimin tonë mbi të ardhmen e WBIF-së dhe mbështetjen e tij për zhvillimin socio-ekonomike të vendeve.

BE-ja është e angazhuar të mbetet fuqia kryesore e rajonit për të rritur tregtinë, investimet, qeverisjen, veprimet mes njerëzve dhe për të ndihmuar çuarjen përpara të reformave aq të nevojshme.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: