Bashkimi Evropian prezanton programin prej 40 milionë eurosh për të rehabilituar trashëgiminë kulturore të Shqipërisë pas tërmetit

29.09.2020

DURRËS, 29 shtator 2020 – Programi i ri “EU4Culture” u nënshkrua sot nga Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca dhe Drejtoresha e UNOPS-it për Zyrën Shumëvendëshe të Vjenës Freya Von Groote, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Kulturës Elva Margariti dhe Ministrit për Rindërtim Arben Ahmetaj, për rigjallërimin e qendrave dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Programi “EU4Culture” prej 40 milionë eurosh synon të ndreqë pasojat e tërmetit përmes rindërtimit, riaftësimit dhe fuqizimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare të dëmtuara nga tërmeti. Ai synon të arrijë rigjallërimin e tyre, duke kontribuar në rimëkëmbjen socio-ekonomike të Shqipërisë nëpërmjet përmirësimit të potencialit të Shqipërisë për turizmin.

Lista e monumenteve dhe qendrave ku do të përqendrohet programi “EU4Culture” do të jetë rezultat i konsultimeve dhe një vlerësimi të plotë me autoritetet dhe komunitetin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Ajo do të përfshijë muze, si Muzeu Arkeologjik dhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë. Do të përfshijë gjithashtu qendra të rëndësishme si Amfiteatri i Durrësit, si dhe kështjella e monumente fetare.

Komunitetet e tri bashkive - Tiranë, Durrës dhe Krujë - ndër destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë, do të përfitojnë nga fondet e BE-së bazuar në nevojat e identifikuara nga vlerësimi i nevojave pas fatkeqësisë. Programi do të synojë zhvillimin socio-ekonomik, përmes rehabilitimit të artefakteve kulturore, do të përfshijë dhe mbështesë komunitetet vendore me grante, do të miratojë standarde ndërkombëtare dhe të BE-së, do të sigurojë mbështetje teknike për institucionet shqiptare, si dhe do të përdorë qasjen “Rindërtojmë më mirë”.

Me rastin e ceremonisë së nënshkrimit, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca tha: “EU4Culture është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të hartuara ndonjëherë nga Bashkimi Evropian, për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira. Ndihma për të ruajtur trashëgiminë e Shqipërisë është një shans ekonomik, një përgjegjësi e përbashkët, por edhe një detyrë morale dhe historike ndaj brezave të mëparshëm dhe atyre të ardhshëm të evropianëve”.

Programi “EU4Culture” do të zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS).

Nënsekretarja e Përgjithshme dhe Drejtorja Ekzekutive e UNOPS-it Grete Faremo tha: “Nisma EU4Culture ofron një mundësi të madhe për të rigjallëruar sektorin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, në dobi të brezave të tashëm dhe të ardhshëm. UNOPS është krenar që e mbështet atë, duke punuar ngushtësisht me Qeverinë shqiptare dhe palët e interesuara vendore. Kjo shënon një hap tjetër përpara në partneritetin e fortë midis UNOPS-së dhe Bashkimit Evropian në të gjithë rajonin. Së bashku ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”.

Në shkurt të këtij viti, më pak se tre muaj pas tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor 2019, Bashkimi Evropian organizoi në Bruksel Konferencën e Donatorëve “Together4Albania” me një premtim rekord prej 1.15 miliardë eurosh. Komisioni Evropian po dhuron 115 milionë euro në grante të drejtpërdrejta të ndara mes programit “EU4Culture” dhe programit binjak “EU4Schools”, i cili siguron 75 milionë euro për riparimin dhe rindërtimin e shkollave.

Gjatë katër viteve të ardhshme, programi “EU4Culture” do të zbatohet në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës dhe palët e tjera të interesit në nivelin kombëtar dhe vendor, duke promovuar qasjen vendore dhe qëndrueshmërinë e investimit.