Delegation of the European Union to Central African Republic

Komisioni Evropian përgatit draftin e kornizës negociuese me Maqedoninë e Veriut

02/07/2020 - 00:03
News stories

Propozimi paraqet një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën e vendit drejt BE-së.posa të miratohet nga vendet-anëtare, dokumenti do t'ia hapë rrugën mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare, gjë që shënon hapjen zyrtare të negociatave aderuese.

 

Me 1 korrik, Komisioni Evropian i paraqiti Këshillit draftin e kornizave negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përcaktuar udhëzimet dhe parimet për bisedimet e tyre aderuese.  Komisioni ishte i ftuar t'i paraqiste këto propozime në Mars të vitit 2020 nga Këshilli për Punë të Përgjithshme kur ai e mori vendimin për hapjen e negociatave me të dy vendet.

"Sot, shënohet një hap tjetër i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Duke realizuar zotimin tonë, prezantojmë kornizat konkrete për zhvillimin e negociatave aderuese. Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit që kemi paraqitur në shkurt për ta bërë procesin e aderimit më të besueshëm, me shtytje më të fuqishme politike, më dinamik dhe të parashikueshëm. Mezi pres diskutimet me shtetet anëtare dhe mbajtjen sa më shpejt të konferencave të para ndërqeveritare me dy vendet. E ardhmja e tyre qëndron qartë në Bashkimin Evropian dhe unë jam i sigurt se ata do të vazhdojnë të zbatojnë reformat në rrugën e tyre evropiane, siç kanë bërë deri më tani", komentoi Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim Olivér Várhelyi.

Kornizat negociuese vendosin udhëzimet dhe parimet për negociatat aderuese me secilin vend kandidat. Draft-kornizat ndahen në tre pjesë: 1) parime që rregullojnë negociatat aderuese, 2) përmbajtja e negociatave dhe 3) procedura e negociatave. Synimi i bisedimeve është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të miratojnë në tërësi legjislacionin e BE-së dhe të sigurojnë zbatimin e tij të plotë dhe hyrjen në fuqi pas pranimit.

Drafti i kornizave negociuese bazohet në përvojën e zgjerimeve të kaluara dhe negociatat në vazhdim e sipër. Ato integrojnë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, marrin në konsideratë ndryshimet në legjislacionin evropian  dhe pasqyrojnë siç duhet meritat e veta të vendeve dhe situatat specifike.

Besueshmëria është forcuar përmes një përqëndrimi edhe më të fortë në reformat themelore, duke filluar me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratën publike, si dhe ekonominë e të dy vendeve. Propozimet parashikojnë gjithashtu një udhëheqje më të fortë politike të procesit, dhe më shumë dinamizëm duke organizuar kapitujt negociues në grupe tematike. Parashikueshmëria e procesit të aderimit mund të përmirësohet me më shumë qartësi mbi pasojat pozitive që mund të sjellin progresi në reforma, si dhe në pasojat e mundshme negative në rast të mungesës së përparimit, ngecje e zgjatur ose lëvizje prapa në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kërkesave të procesit të aderimit.

Ashtu si u zotua në mars kur u mor vendimi i Këshillit, Komisioni Evropian po i prezanton draft-kornizat negociuese tek shtetet anëtare të BE-së, të cilët gjithashtu marrin raport të përditësuar të përparimit nga të dy vendet që ato kanë shënuar në ndërkohë. Pasi Shtetet-anëtare të miratojnë kornizat negociuese, Presidenca e rradhës e Këshillit të Bashkimit Evropian do të paraqesë Pozicionin e Përgjithshëm të BE-së në konferencën e parë ndërqeveritare me secilin vend, që shënon fillimin zyrtar të negociatave aderuese. Kornizat negociuese do të bëhen publike në këtë fazë.