Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (IDAHOT) BE-ja vishet me ylber për “Thyerjen e Heshtjes”

Sot është Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (IDAHOT). Me këtë rast, dua ta fokusoj këtë blog tek njerëzit që ende vuajnë nga diskriminimi dhe dhuna për shkak të identitetit të tyre dhe sepse nuk mund të jetojnë e të dashurojnë lirshëm dhe sipas dëshirës së tyre. Më konkretisht, ky është një homazh ndaj komunitetit të lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, transgjinorëve dhe interseksualëve (LGBTI+) dhe të gjithë aktivistëve LGBTI+ që mbrojnë të drejtën për të qenë vetvetja.

 

 

Shumë është arritur, por duhet ta vazhdojmë luftën

Këtë e bëj si dikush që vjen nga një vend që ka bërë përparim të madh gjatë viteve të fundit në drejtim të njohjes së të drejtave të komunitetit LGBTI+, çka nuk ndodhte gjatë fëmijërisë dhe pjesës më të madhe të rinisë sime. E mbaj mend mirë se si homoseksualët dhe pakicat e tjera seksuale përballeshin me ndëshkime dhe diskriminim të jashtëzakonshëm gjatë regjimit të Frankos. Pastaj, në vitin 1998, kur konkurrova për udhëheqjen e partisë socialiste të Spanjës, u përhapën thashetheme sikur unë isha homoseksual dhe isha në lidhje me një burrë - për të më diskredituar dhe për të dëmtuar kandidaturën time - duke nënkuptuar se dikush që është homoseksual nuk është i aftë ta udhëheqë partinë ose vendin. Që atëherë, martesa brenda seksit u legalizua në Spanjë në 2005 nga qeveria socialiste, duke e bërë Spanjën vendin e tretë në botë që i lejoi në nivel kombëtar martesat brenda seksit. Dhe sot, gjithnjë e më shumë udhëheqës politikë në Evropë mund ta deklarojnë hapur orientimin e tyre seksual.

Sidoqoftë, duhet të vazhdojmë të luftojmë për të drejtën e çdo personi të krenohet me atë që është, ta përcaktojë identitetin e vet dhe të dashurojë personin që zgjedh. Si shoqëri dhe si komunitet, të drejtat tona janë të sigurta vetëm nëse ato zbatohen për të gjithë, kurse veprimet tona duhet të pasqyrojnë rëndësinë e njohjes dhe barazisë, jo vetëm për personat LGBTI+, por për të gjithë.

Neni i parë i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut deklaron se “Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe të drejta”. Fatkeqësisht, ka ende shumë vende në botë ku ky premtim i rëndë është larg nga realiteti, madje deri në vitin 1990 homoseksualiteti ishte ende i klasifikuar si çrregullim mendor nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo gjë u ndryshua më në fund më 17 maj 1990. Për shkak të këtij momenti historik në luftën për barazi dhe dinjitet, si dhe për ta përkujtuar këtë ditë, IDAHOT tani kremtohet çdo vit, më 17 maj.

Tani, gjatë krizës së koronavirusit, në disa vende rreth globit, komuniteti LGBTI+ po përballet me probleme shtesë, përfshirë stigmatizimin dhe frikën e mos marrjes së kujdesit të duhur mjekësor. Gjithashtu, distancimi social është i vështirë për ata që nuk pranohen nga familjet e tyre.

Kjo është arsyeja pse BE-ja iu është bashkuar OKB-së dhe organizatave të shoqërisë civile nën temën e këtij viti “Thyerja e Heshtjes” dhe nën thirrjen “Vishu me ylber”. Kjo temë është zgjedhur nga shoqëria civile e LGBTI+ dhe promovohet nga fushata e OKB-së “Të lirë dhe të barabartë". BE-ja është kundër diskriminimit dhe i inkurajon të gjitha shtetet që të sigurohen se orientimi seksual dhe identiteti gjinor nuk formojnë arsye për dënime penale dhe diskriminim.

Nga fjalët në vepra

Si BE, ne përpiqemi që fjalët t’i kthejmë në vepra. Ne i mbështesim mbrojtësit e të drejtave të njeriut për LGBTI+ përmes mekanizmave të posaçme të mbrojtjes, duke përdorur Instrumentin Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut. Kjo bën që ne shpëtojmë jetë dhe ndihmojmë që të kapërcehen vuajtjet e shkaktuara nga dhuna. BE-ja mbetet një nga donatorët kryesorë në mbarë botën për organizatat e shoqërisë civile për LGBTI+. Ne, për shembull, kemi projekte të shumta në Afrikën Jugore dhe Qendrore, Amerikë Latine dhe Rusi. Ndihma jonë përfshin ofrimin e sigurisë parandaluese dhe mbrojtjes nga kërcënimet, mbështetjen e nismave lokale dhe lëvizjeve të nivelit bazë, inkurajimin e krijimit të aleancave dhe rrjeteve, dhe ndihmë për raportimin dhe dokumentimin e rasteve të diskriminimit. Por mbi të gjitha, ne vazhdojmë të ngremë lart flamurin e të drejtave universale.

Sot, në shumë vende të botës, BE-ja do të ngrejë lart flamuj me ylber në Delegacionet tona. Ndërtesat tona në Bruksel u veshën me ngjyrat e ylberit natën mes 16 dhe 17 majit. Po ashtu, kemi nisur sfidën e ylberit në kanalet tona në rrjete sociale.

Përveç këtyre veprimeve të rëndësishme dhe simbolike, është në dorë të secilit prej nesh që çdo ditë të luftojë kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut, diskriminimit dhe abuzimeve ndaj personave LGBTI në mbarë botën. Jo vetëm në IDAHOT, por çdo ditë dhe kudo.


Shiko gjithashtu

HR/VP box
HR/VP Josep Borrell cartoon

“A Window on the World” – by HR/VP Josep Borrell

Blog by Josep Borrell on his activities and European foreign policy. You can also find here interviews, op-eds, selected speeches and videos.