Delegation of the European Union to Armenia

“Evropa është këtu”: Delegacioni i BE-së nis një fushatë të re për mbështetjen e tij financiare për Shqipërinë

Tirana, Albania, 15/07/2020 - 19:33, UNIQUE ID: 200715_19
Press releases

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nisi sot një fushatë komunikimi mbi atë se si Bashkimi Evropian po mbështet Shqipërinë për t’u bërë një shtet anëtar dhe shqiptarët për t’u bërë qytetarë të ardhshëm të BE-së.

Me moton “Evropa është këtu”, fushata gjashtëmujore do t’i informojë qytetarët për ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë, veçanërisht në sektorët kyç siç janë infrastruktura/transporti, mjedisi dhe bujqësia.

Aktiviteti prezantues, i drejtuar nga Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, u zhvillua në Kaninë, Vlorë, në Km 3 të bypass-it të ardhshëm të Vlorës, të financuar nga BE-ja. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, stafi i bypass-it të Vlorës dhe komuniteti i biznesit.

Në fjalën e tij, Ambasadori i BE-së Soreca tha: " “Evropa është këtu”, sepse BE-ja tashmë është e pranishme kudo në vend, duke përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe duke i afruar më shumë standardet me ato të BE-së. Bashkimi Evropian i jep 100 milionë Euro Shqipërisë çdo vit. Kjo do të thotë 1,5 miliardë në 15 vitet e fundit, duke përfshirë të gjithë sektorët e mundshëm: transportin, drejtësinë, bujqësinë, turizmin, sigurinë ushqimore, antikorrupsionin, doganat, peshkimin, arsimin dhe shumë më tepër. Kjo e bën Bashkimi Evropian donatorin më të madh në Shqipëri.

Kryetari i bashkisë së Vlorës Leli tha: “Ndihem i nderuar që, nga Vlora, ju nisni fushatën “Evropa është këtu”. Bashkia e Vlorës ka përfituar fonde të konsiderueshme nga Bashkimi Evropian, për të bërë të mundur forcimin e saj potencialisht dhe strategjikisht. Në vetëm 6 vitet e fundit Bashkimi Evropian ka financuar projekte të rëndësishme si: Shëtitorja përgjatë bregdetit (Lungomare), Bypass-i i Vlorës dhe impianti i  i ri i  Trajtimit të Ujrave. Të gjitha këto projekte strategjike theksojnë mbështetjen e plotë të BE-së kundrejt njësive të qeverisjes lokale në rrugën e integrimit por edhe detyrimin tonë për të përmbushur standartet evropiane nga pikëmpamja lokale”.

Bashkimi Evropian ka investuar 50 milionë Euro në Vlorë në 10 vitet e fundit, kryesisht në LungoMare, në infrastrukturën e kanalizimeve dhe në bypass. Para aktivitetit prezantues, Ambasadori Soreca dhe Kryebashkiaku Leli vizituan një segment të bypass-it, i cili po përparon me shpejtësi. Ambasadori i BE-së theksoi se qytetarët dhe udhëtarët shqiptarë do të arrijnë më shpejt në Rivierë, dhe cilësia e ajrit dhe jetës në Vlorë do të përmirësohet.

Gjatë aktivitetit u prezantua edhe faqja e internetit www.euprojects.al. Platforma online përmban informacione mbi projektet e financuara nga Bashkimi Evropian në të kaluarën dhe ato në vazhdim. Për çdo projekt, faqja e internetit ofron informacione në lidhje me partnerët zbatues, përfituesit, objektivat, veprimet dhe rezultatet e pritura, në një mënyrë plotësisht transparente. Baza e të dhënave mund të lundrohet lehtësisht nga përdoruesit dhe funksioni i kërkimit lejon kërkimin e projekteve sipas sektorit ose çdo fjale kyçe.

 

Fakte dhe shifra mbi mbështetjen e BE-së për transportin dhe bypass-in e Vlorës

  • Më shumë se 110 milionë Euro donacione nga BE-ja në sektorin e rrugëve në 10 vitet e fundit.
  • Më shumë se 700 km rrugë, nga rrjeti kombëtar dhe dytësor janë rehabilituar nga mbështetja e BE-së në të gjithë Shqipërinë, përfshirë projektet e rëndësishme siç është bypass-i i Rrogozhinës.
  • BE-ja mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës përmes një granti të drejtpërdrejtë prej 20 milionë Eurosh, i cili zbatohet përmes një Marrëveshjeje Kontributi të nënshkruar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Për më tepër, BERZH-i dhe Banka Evropiane e Investimeve po kontribuojnë me kredi prej 18 milionë Euro secila për këtë projekt. Kontrata e punimeve zbatohet nga Autoriteti Shqiptar i Rrugëve në përputhje me udhëzimet e BERZH-it.

 

Fjala e plotë e Ambasadorit Soreca mund të lexohet këtu: https://bit.ly/2DLKGVp

Languages:
Seksionet editoriale: