Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

KOMISIONI EVROPIAN NJOFTIM PËR SHTYP - Reformat në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi: Vlerësimet dhe rekomandimet vjetore

Bruxelles, 29/05/2019 - 15:07, UNIQUE ID: 190529_12
Press releases

Duke konfirmuar që një politikë e besueshme e zgjerimit është një investim gjeostrategjik për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe rritjen ekonomike në mbarë Evropën, Komisioni miratoi sot vlerësimin e tij vjetor për zbatimin e reformave në vendet partnere të Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi, së bashku me rekomandimet mbi hapat e ardhshëm për këto vende.

Ballkani Perëndimor

Një perspektivë e vendosur dhe e besueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor mbetet thelbësore për të vënë në lëvizje transformimin, për të nxitur pajtimin, për të eksportuar stabilitetin në rajon dhe për të promovuar vlerat, normat dhe standardet e BE-së. Strategjia e Komisionit për Ballkanin Perëndimor e shkurtit 2018 krijoi një angazhim të përtërirë nga ana e BE-së dhe Shteteve të saj Anëtare, si dhe një vrull të ri në të gjithë rajonin. Një vit më pas, vendet partnere kanë bërë progres konkret dhe kanë treguar përkushtim ndaj perspektivës evropiane, ndonëse përvetësimi i përgjithshëm i reformave ndryshon.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë përqafuar mundësinë dhe kanë dhënë rezultate me reformat, veçanërisht në fushat e identifikuara si vendimtare nga Këshilli në qershor të vitit 2018. Në dritën e progresit të madh të arritur dhe përmbushjes së kushteve përkatëse, Komisioni rekomandoi sot që Këshilli të hapë tani negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë / Zëvendëspresidentja e Komisionit Federica Mogherini tha: "Ballkani Perëndimor është Evropë dhe do të jetë pjesë e së ardhmes së BE-së, e një Bashkimi Evropian më të fortë, më të të qëndrueshëm dhe më të bashkuar. Viti i kaluar ka qenë viti i një ndryshimi pozitiv në mbarë rajonin. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë treguar një vendosmëri të fortë për të përparuar në rrugën e BE-së dhe kanë arritur rezultate konkrete që duhet të jenë të pakthyeshme. Bazuar në këtë, sot ne rekomandojmë që Këshilli të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Politika e zgjerimit e Bashkimit Evropian është një investim për paqen, sigurinë, prosperitetin dhe stabilitetin e Evropës".

Johannes Hahn, Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit deklaroi: "Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përqafuar mundësinë e agjendës së fuqizuar të zgjerimit dhe kanë dhënë rezultate me reformat. Maqedonia e Veriut jo vetëm që ka vazhduar agjendën e saj ambicioze të reformave, por gjithashtu arriti një marrëveshje historike me Greqinë, duke zgjidhur një mosmarrëveshje 27-vjeçare për emrin, një shembull për të gjithë rajonin dhe më gjerë. Shqipëria po ndjek reforma të thella, në veçanti një transformim të madh të sistemit të saj të drejtësisë. Të gjitha këto përpjekje janë dëshmi e fuqisë tërheqëse të Bashkimit Evropian."

Komisioni nxori gjithashtu ​​sot Opinionin e vet mbi kërkesën e Bosnje-Hercegovinës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, së bashku me një raport analitik që rishikon, për herë të parë, situatën në vend kundrejt të gjitha standardeve të aplikueshme për Shtetet Anëtare të BE-së. Komisioni mendon se negociatat për anëtarësim duhet të hapen sapo Bosnje-Hercegovina të arrijë shkallën e duhur të pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit dhe në veçanti, me kriteret politike që kërkojnë stabilitet të institucioneve, duke garantuar sidomos demokracinë dhe shtetin ligjor. Bosnje-Hercegovina do të duhet të përmirësojë rrënjësisht kornizën legjislative dhe institucionale për të siguruar që përmbush një numër përparësish të detajuara në fushën e demokracisë, shtetit ligjor, të drejtave themelore dhe reformës së administratës publike. Opinioni - një udhërrëfyes për reforma gjithëpërfshirëse në këto fusha vendimtare - është një moment historik në marrëdhëniet mes BE-së dhe Bosnje-Hercegovinës, që ofron një vrull të ri për vendin në procesin e integrimit të tij në BE.

Turqia

Turqia është një partner kyç për BE-në dhe një vend kandidat. Dialogu dhe bashkëpunimi, duke përfshirë në nivelin më të lartë, në fusha thelbësore me interes të përbashkët kanë vazhduar, duke përfshirë edhe përmes bashkëpunimin efektiv mbi migracionin dhe mbështetjen për refugjatët. Megjithatë, Turqia ka vazhduar të largohet nga Bashkimi Evropian, me përkeqësim serioz në fushat e shtetit ligjor dhe të drejtave themelore dhe nëpërmjet dobësimit të sistemeve efektive të kontrollit në sistemin politik, të sjella nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese. Në qershor të vitit 2018, Këshilli vuri në dukje njëzëri se për këtë arsye negociatat e anëtarësimit me Turqinë kanë mbetur efektivisht në vend dhe nuk mund të merren në konsideratë kapituj të tjerë për hapjen apo mbylljen. Faktet themelore që çojnë në këtë vlerësim ende qëndrojnë.

Hapat e ardhshëm

Tani i takon Këshillit të shqyrtojë rekomandimet e Komisionit dhe të marrë vendime për hapat në vijim.

Të dhëna

Procesi i zgjerimit

Agjenda aktuale e zgjerimit mbulon partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Bisedimet e anëtarësimit janë hapur me vendet kandidate Mali i Zi (2012), Serbi (2014) dhe Turqi (2005). Maqedonia e Veriut është një vend kandidat që nga viti 2005 dhe Shqipëria që nga viti 2014. Bosnje-Hercegovina (aplikimi për anëtarësim në BE është paraqitur në shkurt 2016) dhe Kosova (Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit hyri në fuqi në prill 2016) janë kandidatë të mundshëm.

Procesi i anëtarësimit në BE vazhdon të bazohet në kritere të përcaktuara, në kushtëzimin e drejtë dhe të rreptë, si dhe në parimin e meritave të veta. Anëtarësimi në BE kërkon zbatimin e reformave komplekse në një mjedis sfidues; është një objektiv që mund të arrihet vetëm në periudhën afatgjatë. Që procesi të ecë përpara, kandidatët për pranim duhet të japin me përparësi rezultate vërtet të shpejta dhe të qëndrueshme në fushat kyçe: shteti ligjor, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siguria, të drejtat themelore, funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike, si dhe në zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën.

Gjithashtu, Ballkani Perëndimor duhet të bëjë përparim me pajtimin, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, duke ndjekur shembullin e marrëveshjes historike midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Strategjia e Ballkanit Perëndimor i ka dhënë një vrull të ri marrëdhënieve BE-Ballkani Perëndimor. Strategjia fokusohet në fusha ku nevojiten reforma dhe përpjekje të mëtejshme nga partnerët e Ballkanit Perëndimor, si dhe te mbështetja e shtuar e BE-së për rajonin, përmes një numri angazhimesh të veçanta të grupuara në gjashtë nisma të mëdha.

Që nga miratimi i Strategjisë, BE-ja është përqendruar në përmbushjen e angazhimeve të veta nëpërmjet angazhimit të shtuar politik, forcimit të bashkëpunimit të sigurisë, forcimit të lidhjeve operative mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe agjencive të saj, duke siguruar qasje më të gjerë në financa dhe asistencë teknike, si dhe duke e rifokusuar ndihmën financiare të BE-së në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA), që vetëm në vitin 2018 arriti një shpërndarje vjetore për Ballkanin Perëndimor prej mbi 1.1 miliardë Euro.

Për më shumë informacion

http://europa.eu/rapid/press-release_IP-19-2752_en.htm

Për gjetjet dhe rekomandimet e hollësishme mbi secilin vendin,lexo:

Mali i Zi: MEMO; Raport

Serbia: MEMO; Raport

Turqia: MEMO; Raport

Maqedonia e Veriut: MEMO; Raport

Shqipëria: MEMO; Raport

Bosnje-Hercegovina: MEMO; Opinion

Kosova: MEMO; Raport

Për më shumë informacion të përgjithshëm:

Perspektiva e besueshme e zgjerimit dhe rritja e angazhimit me Ballkanin Perëndimor

Angazhimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor

 

 

Languages:
Seksionet editoriale: