Ujë më i mirë, jetë më e shëndetshme, si po e forcon BE-ja infrastrukturën ujore të Shqipërisë

Pothuajse 70% e ujërave të ëmbla të botës ruhen në akullnaja dhe ndërsa shkrihen, ushqejnë lumenjtë dhe mbushin ujërat nëntokësore, duke siguruar ujë të pijshëm për miliona njerëz. Megjithatë, ndërsa ndryshimi klimatik ndikon në rezervuarët e ujit, akullnajat e vendosura në vargmalet përreth ndikojnë edhe në disponueshmërinë e ujit në Shqipëri, duke prishur gjithë ciklin që mbështet ekosistemet dhe nevojat njerëzore.

“Shqipëria ka lumenj që do të ndikohen nga ndryshimet klimatike. Është e rëndësishme të zbatohen plane të forta të menaxhimit të pellgjeve lumore, pasi ato janë kritike për balancimin e kërkesave konkurruese për ujë dhe mbrojtjen e burimeve ujore. Në një seminar të kohëve të fundit me palë të interesuara për të diskutuar mbi gjenden e çështjeve të rëndësishme të menaxhimit të ujit për lumenjtë Drin dhe Buna, një nga trysnitë e identifikuara në Shqipëri është ulja e pritshme e reshjeve verore, me gati 9-20%. Kjo do të çojë gjithashtu në një reduktim të rimbushjes së ujërave nëntokësore, që lidhet me ndryshimet në sezonalitetin e reshjeve të shiut dhe reshjeve të borës”, thotë Debora Bonucci, drejtuese e ekipit “BE për lumenjtë”, një projekt i financuar nga BE-ja, i mbështetur nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe i zbatuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim në Shqipëri.

EU Watter Support Albania

Duke qenë se ky reduktim do të ketë një ndikim të rëndësishëm në të gjitha kërkesat për ujë, “BE për lumenjtë” ka punuar për zgjidhjen e këtyre shqetësimeve që në fillim, duke vepruar në tre nivele të ndryshme: kornizat ligjore, aspektet teknike dhe planifikimi. Kjo qasje gjithëpërfshirëse hedh themelet për sigurimin e të dhënave thelbësore dhe zbatimin e masave konkrete në të ardhmen. Miratimi së fundmi i ligjit për ujërat, planifikimi i planeve të menaxhimit të pellgjeve lumore për të shtatë pellgjet lumore, si dhe monitorimi i cilësisë së ujit janë elementë kyç të punës në vazhdimësi.

Projekti përfshin gjithashtu investime në pajisje dhe ngritjen e një stacioni monitorimi hidro-meteorologjik për të forcuar kapacitetet e institucioneve shqiptare për monitorimin e ujërave në nivel baseni. Kjo do të lehtësojë mbledhjen e saktë të të dhënave, identifikimin e ndotjes dhe vlerësimet e bilancit të ujit. Siç shpjegon Bonucci, trajtimi i sfidave të ndryshimit të klimës kërkon monitorimin e të dhënave historike për të kuptuar reduktimin e reshjeve, për të parashikuar thatësirat dhe përmbytjet, si dhe për të planifikuar në përputhje me rrethanat.

Duke pasur parasysh rëndësinë e burimeve ujore për pirje, bujqësi dhe industri, planet e menaxhimit për pellgjet e lumenjve Drin, Bunë dhe Seman janë aktualisht në shqyrtim. “Si pjesë e planit të menaxhimit të pellgjeve lumore, po hartohet një program masash për trajtimin e këtyre çështjeve. Një nga trysnitë e identifikuara është ndotja “jo-burimore” nga bujqësia, e cila prek lumenjtë dhe ujërat nëntokësore me kimikate, pesticide dhe nitrate”, thotë ajo, duke nënvizuar prioritetin për rregullimin e praktikave të mira bujqësore.

Si pjesë e nismës “BE për lumenjtë”, ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, së bashku me universitetet, po punojnë ngushtësisht me Agjencinë Shqiptare të Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) dhe institucione të tjera kryesore monitoruese për të hartuar një program gjithëpërfshirës të monitorimit të ujit. Projekti synon të përmirësojë të kuptuarit e trysnive mjedisore dhe ndotjes së shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, industria dhe bujqësia.

EU Watter Support Albania

Duke qenë se ndotja e lumenjve ndikon negativisht në biodiversitet dhe dëmton habitatet ujore, ajo ndikon edhe te familjet duke reduktuar disponueshmërinë e ujit të pastër për pirje dhe rekreacion. Bonucci thekson nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit: “Ndërgjegjësimi publik është thelbësor në nivel shkollor, brenda komuniteteve, si dhe mes fermerëve e industrive. Njerëzit duhet të kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së ujit dhe se si veprimet tona ndikojnë drejtpërdrejt në menaxhimin e burimeve ujore dhe në të ardhmen. Përtej rregulloreve dhe angazhimeve, garantimi i përdorimit të qëndrueshëm të ujit për brezat e ardhshëm kërkon përpjekje kolektive”.

Po diskutohen, miratohen dhe zbatohen masa afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Nëpërmjet projekteve të ndryshme, Bashkimi Evropian po e ndihmon Shqipërinë për përmirësimin e menaxhimit të ujit që nga burimet malore e lumenjtë deri te çezmat shtëpiake.

BE për një mjedis më të pastër – Programi i performancës dhe investimeve në sektorin e ujit po investon në infrastrukturën e re dhe të rehabilituar të ujit dhe ujërave të zeza në gjashtë kompani rajonale të ujësjellës-kanalizimeve (UKR) në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë. Ky projekt synon të përmirësojë shërbimet e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve për rreth 30% të popullsisë së përgjithshme të Shqipërisë – 50% të popullsisë urbane – në dobi të rreth 19.100 subjekte korporative (përfshirë administratën publike, institucionet shtetërore dhe bizneset) dhe 446.000 banorë gjithsej.

Sipas nevojave vendore, projekti mbulon rehabilitimin dhe zëvendësimin e rrjeteve të transmetimit të vjetruara dhe me rrjedhje të mëdha, ndarjen e ujërave të zeza nga rrjetet e reshjeve, ndërtimin e rezervuarëve të rinj, instalimin e stacioneve të reja të pompimit të kanalizimeve dhe kolektorëve, shpimin e puseve të reja dhe ndërtimin e impianteve të reja të trajtimit të ujërave të zeza me trajtime mekanike dhe biologjike, trajtimin e llumrave dhe tharjen me energji diellore termike. Veç kësaj, përmirësimet në Sistemin SCADA do të rrisin monitorimin dhe kontrollin e rezervuarëve, klorinimit, pompave kryesore dhe zonave DMA, duke reduktuar humbjen e ujit dhe duke rritur të ardhurat.

EU Watter Support Albania

Në përputhje me të gjitha direktivat e BE-së, projekti kontribuon për zhvillimin ekonomik, social, mjedisor dhe territorial, duke rritur gjithashtu potencialin turistik. Ai synon të rrisë furnizimin mesatar ditor me ujë nga 13 në 16 orë.

Programi i Performancës dhe Investimeve në Sektorin e Ujit përfaqëson qasjen e përparuar të Shqipërisë ndaj infrastrukturës moderne dhe të qëndrueshme të ujit. “Në zemër të këtyre reformave është një vizion që kapërcen kufijtë. Ashtu si akullnajat lëshojnë ngadalë ujin e depozituar për të mbështetur komunitetet në rrjedhën e poshtme, programi “WPIP MIP V” garanton që sistemet e modernizuara të ujit të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për komunitetet shqiptare, pavarësisht sfidave klimatike. Në një epokë kur ndryshimet klimatike kërcënojnë si akullnajat e lashta ashtu edhe furnizimin tonë të përditshëm me ujë, ristrukturimi strategjik dhe investimet e Shqipërisë në infrastrukturën ujore shërbejnë si një fener shprese dhe qëndrueshmërie”, thotë Ervin Koçi nga projekti.

Duke përmirësuar rrjetet e furnizimit me ujë dhe strukturat e trajtimit të ujërave të zeza, Shqipëria jo vetëm që po përmirëson shëndetin publik, por gjithashtu po nxit rritjen ekonomike dhe po garanton një të ardhme të qëndrueshme për banorët e saj.

Informacion

“BE për lumenjtë” është një projekt i bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim për 61 bashkitë në Shqipëri, që synon ruajtjen apo përmirësimin e statusit cilësor të trupave ujorë në Shqipëri. Ai fuqizon zbatimin e Reformës Kombëtare të Ujit dhe progresin e Shqipërisë drejt përmbushjes së kërkesave të legjislacionit të BE-së për ujërat, duke rezultuar në rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e sektorit në përputhje me politikat e BE-së. Rezultatet e pritshme janë gjithëpërfshirëse; kuadri ligjor dhe institucional për menaxhimin e integruar të ujit është përmirësuar ndjeshëm në përputhje me kërkesat e acquis të BE-së (Direktiva Kuadër e Ujit dhe direktiva të tjera që lidhen me ujin); zbatimi i menaxhimit të baseneve lumore është përmirësuar në të gjitha basenet lumore në përputhje me kërkesat e DKU-së; monitorimi i ujërave, raportimi dhe vënia në zbatim janë përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme në përputhje me kërkesat e direktivave të BE-së që lidhen me ujin. Me një vlerë rreth 8.800.000.00 Euro, projekti zbatohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

“BE për një mjedis më të pastër – Programi i performancës dhe investimeve në sektorin e ujit”

Një projekt i financuar nga BE-ja, me një investim të konsiderueshëm prej 125.6 milionë Eurosh, ky program po e drejton vendin drejt infrastrukturës moderne dhe të qëndrueshme të ujit dhe ujërave të zeza në gjashtë ndërmarrje rajonale ujësjellës-kanalizime. Projekti është pjesë e Programit të Performancës dhe Infrastrukturës së Investimeve në Sektorin e Ujit, një program i madh i investimeve dhe performancës në sektor, i bashkëfinancuar nga BE-ja, KfW-ja dhe Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO). Ai do të sigurojë përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe kanalizimeve për popullatën në bashkitë e përzgjedhura, si dhe do të forcojë menaxhimin e sektorit si në nivel vendor ashtu edhe në nivel kombëtar.