Tasmania, një vend i mundshëm shprese dhe shpëtimi
“Nisa ta shkruaj këtë libër gjatë viteve të vështira për Evropën. Pati sulme terroriste dhe po zhvilloheshin diskutime serioze rreth emergjencës klimatike. “Tasmania” lindi nga ky reflektim mbi krizën klimatike. Pavarësisht pozicionit gjeografik, u zgjodh sepse është ishull dhe si i tillë, do të ishte më e lehtë të mbroheshe atje, sepse e ardhmja që na pret, ndoshta do të jetë një e ardhme ku do të na duhet të mbrohemi”.
Në librin e tij “Tasmania”, shkrimtari italian Paolo Giordano i çon lexuesit e tij drejt një kërkimi personal dhe kolektiv për një vend të sigurt ku njerëzimi mund të gjejë strehë për t'i mbijetuar ndryshimeve klimatike, konflikteve dhe luftërave.
Në këtë libër emocionues, i cili përshkruan betejat e personazheve të ndryshëm, që i mbijetojnë krizave në një botë që ndryshon me shpejtësi, Giordano përpiqet të ndërgjegjësojë lexuesit për pasojat e ngrohjes globale. Ai thekson se është e vështirë të përballosh stuhinë, pasi një ishull nuk do të mjaftojë për të gjithë ne. Përmes dëshpërimit të personazhit të tij kryesor, i cili udhëton në Japoni për të takuar të mbijetuarit e bombave atomike, Giordano na kujton një moment në histori kur shpresa ishte pothuajse e pamundur.
“Po i bëja vetes një pyetje: si mund të jemi të lumtur, plot shpresë dhe energji në një botë të mbushur me kaq shumë rreziqe? Në një moment, ky hulumtim për librin tim më çoi instinktivisht në ditët pas hedhjes së bombave atomike mbi Hiroshima dhe Nagasaki. Njerëzit atje mund të kishin humbur çdo lloj shprese pasi po përballeshin me një përvojë krejtësisht të re për njerëzimin. Ndoshta, në njëfarë mënyre, ne po përballemi me një rrezik të madh si kriza klimatike, krizat e demokracisë, që ngjajnë me gjëra për të cilat ende nuk kemi fjalë. Ndaj i jam kthyer një prej momenteve më të errëta të njerëzimit, për të prodhuar një shpresë të vogël për të tashmen”, shpjegon ai në një nga diskutimet të tij gjatë Festivalit të Letërsisë Evropiane në Tiranë, organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Instituti Italian i Kulturës.
EU Delegation to Albania
Bomba atomike dhe nevoja urgjente për të kuptuar atë ngjarje ishin ndër arsyet pse ai studioi fizikë. Autorit italian i duket thellësisht intriguese të lidhësh një shpërthim me një ngjarje që ndodh në heshtje. Kjo, sugjeron ai në mënyrë metaforike, përfaqëson gjërat që ndodhin në heshtje absolute edhe kur presim një zhurmë të madhe.
Me doktoraturë në fizikën e grimcave, si intelektual i përkushtuar ndaj të drejtave të njeriut dhe shkrimit, ai thekson se nuk ka vendstrehimi, nuk ka plan B apo planet B për njerëzimin, madje edhe pikërisht në këtë çast. Ndërsa mbështet politikat evropiane për tranzicionin energjetik, ai shpjegon deklaratën e personazhit të tij: “Unë shkruaj për gjëra që më bëjnë të qaj”.
“Ajo së cilës po i referohem nuk është një qarje private. Nuk është diçka e vetmuar. Është një vajtim dëshpërimi, është ideja e një derdhjeje kolektive lotësh. Kam përshtypjen se të gjitha këto çështje që po diskutojmë – demokracia, kriza klimatike, luftërat – nuk jemi ende gati të flasim për to ashtu siç duhet”, thotë ai.
Ndërsa historia në librat e tij shpaloset, duke ndjekur personazhet në kërkimin e Tasmanisë së tyre vetjake, mesazhet e tij vijnë me mënyra të buta, inteligjente dhe lakonike, sikur po lufton vetë dëshpërimin e tij, duke kërkuar lumturinë dhe në të njëjtën kohë, duke theksuar brishtësinë e njerëzve me një shpirt të pacënuar.
EU Delegation to Albania
"Që nga pushtimi i Ukrainës, e kam gjetur veten të paaftë ta përdor fjalën "paqe" me lehtësinë që e përdorja dikur. Është bërë një fjalë e zbrazur nga kuptimi i saj më i thellë dhe më i vërtetë", reflekton Giordano. Megjithatë, pavarësisht peshës së temave të tij dhe udhëtimit të tij nëpër kontinente, libri kërkon t'i lërë lexuesit me një ndjesi shprese. Ai pothuajse rikrijon vizionin e parajsës ose imazhin e saj, në një ishull, diku në Australi – vizionin e asaj që jemi ose që duhet të kërkojmë.