Si sporti, fitnesi dhe inteligjenca artificiale integrohen në platforma për të përmirësuar shëndetin e fëmijëve

Stërvitja e atletëve, nga të gjitha grupmoshat, me vështirësi në shikim, duke përshtatur teknikat dhe metodat e xhudos është një nga 14 modulet që projekti “Sporte Universale për Ndikim Social (USSI)” synon të zbatojë në Shqipëri, Kosovë, dhe Mal të Zi. Duke vlerësuar përshtatjen e teknikave të xhudos, si dhe përmirësimin e koordinimit fizik dhe perceptimit të hapësirës, ky modul është pjesë e një programi më të gjerë për rritjen e kapaciteteve të trajnerëve dhe edukatorëve të sportit, duke integruar metodologjitë e sporteve marciale në punën e tyre. Ato promovojnë disiplinën, fokusin, dhe këmbënguljen përmes sportit, duke nxitur njëherazi përfshirjen social në të tria vendet.

ASSA

Modulet e tjera përqendrohen te fëmijët me paralizë cerebrale ose zhvillim të vonuar motorik, fëmijët me ton muskulor ose çrregullime neuro-ortopedike, fëmijët me problematikë hiperaktiviteti, ADHD, si dhe sëmundje muskuloskeletore ose neurologjike. Në tërësi, përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse që zhvillohet në një mjedis argëtues të nxëni modulet dhe vëmendje individuale të gjendjes së çdo fëmije, modulet ofrojnë ushtrime dhe trajtime të posaçme terapeutike për sfida të ndryshme mjekësore dhe zhvillimore. Këtu mund të përfshihen teknikat manuale pa dhimbje, përdorimi sinergjik i disa terapive, teknikat e sigurisë dhe mbrojtjes në kontekste sportive, dhe zhvillimi i aftësive të vetëmbrojtjes, vetëdijes, vetëbesimit, vendimmarrjes, menaxhimit të stresit, dhe zgjidhjes së konflikteve.

Themeluar në Hungari dhe mbështetur nga Programi Erasmus i Bashkimit Evropian, projekti “Sporte Universale për Ndikim Social (USSI)” do të pilotohet në Ballkan. Ajo përfaqëson një qasje unike që e shfrytëzon sportin për të mirën sociale nëpërmjet gjithëpërfshirjes, qëndrueshmërisë, dhe promovimit të vlerave pozitive në Evropë e më tej. Duke nxitur pjesëmarrjen aktive dhe duke mundësuar një hapësirë të sigurt për të nxënë, për të eksploruar, dhe për t’u rritur, pjesëmarrësit do të ideojnë veprimtaritë e tyre për t’i zbatuar më vonë me grupet rinore pasi të kthehen në shtëpi.

“Është një nga projektet më të mira, pasi edhe fëmijët që nuk kanë nevoja të veçanta, përfitojnë nga rritja e vetëbesimit dhe motivimit. Këto module xhudoje përfshijnë ushtrime të përshtatura për grupe të ndryshme. Qëllimi është që pas dy vjetësh të shndërrohen në burime të hapura për të gjithë mësuesit dhe trajnerët” - shprehet Juel Jarani, bashkëthemelues dhe menaxher projekti pranë Shoqatës Shqiptare të Shkencave Sportive (ASSA), partneri vendas i nismës.

ASSA

Shoqata kontribuon në përmirësimin e shëndetit përmes aktivitetit fizik dhe sportit, duke zbatuar programe edukuese dhe projekte me ndikim në komunitet. Në këtë mënyrë ofrohen mundësi që, nëpërmjet njohurive shkencore, të përmirësohet cilësia e stërvitjes sportive dhe të promovohet jetesa e shëndetshme dhe aktive për të gjitha grupmoshat.

 “Ne punojmë mbi katër shtylla: edukim fizik, aktivitet fizik, sport dhe fitnes, si dhe kërkim. Synimi ynë është të krijohen pika të standardizuara reference për fitnesin, mirëqenien, dhe normat sportive”, shpjegon Jarani, i cili ka marrë pjesë në programet edukuese Erasmus në Romë, ku ka përfunduar studimet Master në fizioterapi dhe shëndet.

“Studimet më ndihmuan të zgjeroj horizontin dhe të ndryshoj qasjen time ndaj sportit. Ne ndiqnim modelin rus, duke u përqendruar vetëm te performanca sportive, por u njoha me një mendësi të re që vë shëndetin të parin, duke vijuar me sportin. Vetëm 1-2% e popullsisë merret me sport në mënyrë aktive, por aktiviteti fizik duhet të zhvillohet nga kushdo. Kjo ishte ajo që më frymëzoi të krijoja shoqatën.”, shprehet ai.

Për të kuptuar më mirë gjendjen dhe aftësitë fizike të fëmijëve, gjatë viteve të fundit, ASSA ka bashkëpunuar me projektin EUFITMOS (Sistemi Evropian për Monitorimin e Fitnesit). Ky projekt evidentoi testet ekzistuese të fitnesit, sistemet e monitorimit, dhe praktikat e mira për të gjurmuar prirjet rinore me fitnesin. Krahas partnerëve nga Portugalia dhe Greqia, ASSA dha kontributin e vet në hartimin e burimeve edukuese dhe trajnuese të EUFITMOS-it, duke përfshirë një libër, një paketë instrumentesh, dhe një modul trajnimi, që kulmoi me krijimin e testit të fitnesit nga EUFITMOS-i.

ASSA

Vlerësuan parametra, si: antropometria, kapaciteti aerobik/anaerobik, shpejtimi dhe shpejtësia, shkathtësia dhe zhdërvjelltësia, forca dhe rezistenca muskulore, duke krijuar kësisoj një bazë të konsoliduar të dhënash.

“Nëpërmjet testeve të ndryshme, duke përfshirë rezistencën aerobike, vrapin, sprintin, zhdërvjelltësinë, pompat, shtytjet, ushtrimet për këmbë, ulje-ngritjet, shtytjet për këmbë, pasimin me top mjekësor, hedhjen vertikale, etj., ne kemi zhvilluar matje të standardizuara në shtatë qytete të Shqipërisë me 1,800 nxënës. Këto matje fillestare tregojnë sfida me sistemin kardiorespirator, çka lidhet me mungesën e hapësirës për aktivitet fizik. Megjithatë, pamë rezultate pozitive me shpejtësinë dhe zhdërvjelltësinë. Nga ana tjetër, 7-8% e grupit ishin obezë, ndërsa 14% ishin mbipeshë.”, shpjegon Jarani.

Kjo bazë të dhënash do të mbështesë edhe projektin e ri “i4EUFITMOS”, që synon të përmirësojë platformën të EUFITMOS me shërbime digjitale inteligjente dhe më të sofistikuara. Këto instrumente do të lehtësojnë shfrytëzimin dhe shpërndarjen e të dhënave të fitnesit, për të mbështetur vendimmarrjen dhe planifikimin e politikave të Aktivitetet Fizike që përmirësojnë Shëndetin (HEPA).

ASSA

“i4EUFITMOS do të shndërrojë të dhënat në veprime inteligjente, duke i ndihmuar trajnerët, mësuesit, hulumtuesit, dhe politikbërësit në mbarë Evropën që të përmirësojnë shëndetin dhe aktivitetet fizike të fëmijëve. Ofron udhëzime për fëmijët, prindërit, dhe mësuesit e edukimit fizik”, thotë Jarani.

Projekti “Shërbime Inteligjente Digjitale për Mbështetjen e Sistemit Evropian për Monitorimin e Fitnesit” po zhvillon shërbime dhe aplikacione celulare miqësore ndaj përdoruesit, ndërvepruese, dhe mbështetur në të dhëna, që u mundësojnë mësuesve dhe prindërve të monitorojnë të dhënat dhe të mësojnë si të përmirësohen dhe të ndihmojnë të rinjtë me më efektshmëri.

ASSA

TË DHËNA PLOTËSUESE 

Erasmus+ është programi i BE-së për mbështetjen e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit, që ofron mundësi për miliona pjesëmarrës për të studiuar, për t’u trajnuar, për të fituar përvojë, si dhe për të qenë vullnetarë jashtë vendit. Programi 2021 - 2027 i kushton vëmendje të veçantë përfshirjes sociale, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, si dhe promovimit të pjesëmarrjes së të rinjve në jetën demokratike. Krahas ofrimit të granteve, Erasmus+ gjithashtu mbështet mësimdhënien, kërkimin, rrjetëzimin, dhe debatin politik rreth çështjeve të BE-së. Kapitulli i sportit promovon aktivitetet sportive me bazë komunitare.