Një udhëzues praktik për të mbështetur bizneset për zbatimin e ligjit për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit (PZP)

Ndërsa Shqipëria avancon drejt një ekonomie rrethore dhe përafrimit të mëtejshëm me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian, bizneset kanë një rol kyç në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme. Në këtë kontekst, Projekti EU4Green, i financuar nga Bashkimit Evropian, ka përgatitur “Udhëzuesin Praktik për Bizneset mbi Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit (PZP)”, në kuadër të fushatës “Redukto, Ripërdor, Riciklo për një Shqipëri më të Gjelbër.”

Udhëzuesi është konceptuar si një mjet i qartë, praktik dhe i lehtë për t’u përdorur, për t’i ndihmuar bizneset të kuptojnë dhe të përgatiten për zbatimin e ardhshëm të ligjit për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit. Ai “përkthen” kërkesat ligjore dhe politikat përkatëse në hapa konkretë dhe të zbatueshëm, të cilët mund të ndiqen nga bizneset, pavarësisht madhësisë apo sektorit të tyre.

Përmes shpjegimeve të thjeshta, shembujve praktikë dhe rasteve studimore nga praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, udhëzuesi ndihmon prodhuesit, importuesit dhe shpërndarësit të kuptojnë nëse janë pjesë e sistemit PZP, cilat janë përgjegjësitë e tyre të reja dhe si mund të përmbushin detyrimet në mënyrë efikase – individualisht ose përmes Organizatave të Përgjegjësisë së Prodhuesit (OPR).

Njëkohësisht, udhëzuesi thekson se ky ligj nuk duhet parë vetëm si një detyrim ligjor, por edhe si një mundësi strategjike për të optimizuar paketimin, për të ulur kostot, për të përmirësuar besueshmërinë e markës dhe për të forcuar aksesin në tregjet evropiane.

Ky udhëzues pasqyron objektivat e Kapitullit 27 dhe synon fuqizimin e sektorit privat përmes informacionit të qartë dhe praktik, reduktimin e pasigurive gjatë fazës së tranzicionit dhe mbështetjen e Shqipërisë në kalimin drejt modeleve të prodhimit dhe konsumit të qëndrueshëm, në përputhje me legjislacionin e BE-së për mjedisin.

Duke pajisur bizneset me orientime të qarta dhe mjete konkrete, ky publikim synon të sigurojë që ndërmarrjet shqiptare jo vetëm të jenë të përgatitura për zbatimin e PZP-së, por edhe të afta ta shndërrojnë përgjegjësinë mjedisore në një avantazh afatgjatë për biznesin e tyre.