Nga heshtja te drejtësia: BE-ja mbështet përpjekjet për identifikimin e viktimave të diktaturës në Shqipëri

Mbrëmjen e 17 majit 1990, 35-vjeçari Gjok Beqi dhe vëllai i tij më i vogël Vata, 25 vjeç, hynë në ujërat e Vilunit, në Velipojë, dhe nisën të notonin drejt ishullit Ada Bojana në Mal të Zi. Shqipëria ishte ende nën diktaturë dhe ata të dy kishin vendosur të arratiseshin. Kishin planifikuar gjithçka me hollësi.

Vëllezërit Beqi kishin zgjedhur një zonë të fshehur nga sytë e ushtarëve dhe e kishin caktuar kohën e orvatjes së tyre që të përkonte me ndërrimin e turnit të rojeve. Ata hoqën rrobat, u lyen me vaj kushinetash për t'i bërë ballë të ftohtit dhe morën me vete një kamerdare të vogël për t'u çlodhur, po të ishte nevoja. Notuan 5 km larg bregut për të shmangur zbulimin, duke qëndruar paralel me vijën bregdetare në mënyrë që të mos humbnin drejtimin. Kishin menduar për gjithçka, përveç projektorëve që përshkonin detin natën. 

“Kishim notuar për orë të tëra, duke menduar se 5 km larg bregut nuk do të na shihnin me projektorë. Por ata na vunë re dhe erdhën drejt nesh me varkë. Dëgjova një breshëri plumbash; dy prej tyre më qëlluan, njëri në shpatull dhe tjetri në nofull. Humba ndjenjat dhe ishte vëllai që më tërhoqi zvarrë në breg. Në breg, komandanti e qëlloi vëllain për vdekje. Duke menduar se unë pothuajse kisha vdekur, ma kurseu jetën”, kujton Gjok Beqi, tani 70 vjeç.

Missing Persons

Mban mend që i kanë thënë se ushtarët e mbuluan atë dhe vëllanë e tij me një pelerinë përpara se të vraponin në repart për të thirrur grupin operativ të mjekësisë së brendshme dhe ambulancën, e cila i çoi dy vëllezërit në morg. Atje u zbulua se Gjoka ishte ende gjallë, me puls. E dërguan me urgjencë në reanimacion, ku iu nënshtrua një operacioni për të hequr plumbat. “Mjekët bënë një punë të jashtëzakonshme nën mbikëqyrjen e policisë, sepse plumbi në nofullën time kishte kaluar afër qafës - mund të isha paralizuar fare lehtë ose të kisha probleme serioze të shëndetit mendor”, tregon Beqi.

Ai erdhi në vete pas dy ditësh. “Vëllai tjetër erdhi të më shihte dhe unë e thirra “Vat”. Ai m’u përgjigj sikur të ishte Vata. Nuk e dija që Vata kishte vdekur. E mbaja mend gjallë, para të shtënave, dhe nuk më kujtohej asgjë pas kësaj. E kuptova që Vata kishte vdekur vetëm kur erdhën të më vizitonin motrat, të veshura me të zeza. Në atë çast, e kuptova çfarë kishte ndodhur – çfarë kisha bërë. E kisha humbur Vatën, vëllanë tim më të vogël, plot jetë dhe ëndrra për t'u bërë kampion boksi. Mendova, si do t’i dal përpara babait? Isha përgjegjës për Vatën. Isha vëllai i tij më i madh”, kujton Gjoka duke qarë. Në atë moment, ai u bë një fëmijë i pafuqishëm, i torturuar nga ajo çka mund të kishte bërë ndryshe.

“Vëllai im u vra në breg – ai ishte i paarmatosur. Kjo është ajo çka mësova më vonë nga ushtarët e rinj. Ne kishim vendosur të arratiseshim në atë kohë sepse, pas vizitës së shefit të OKB-së, Javier Pérez de Cuéllar, situata dukej se po ndryshonte. Ligji kishte ndryshuar: jo më “tradhti e lartë kundër atdheut”, por “kalim i paligjshëm i kufirit”. Besohej se ata që përpiqeshin të arratiseshin nuk do të vriteshin më. Në rastin më të keq, do të burgoseshin, por familjet e tyre nuk do të internoheshin. Por ishte kurth. Dhe ne ramë në të. Im vëlla e pagoi me jetë”, thotë Beqi.

Ai u gjykua dhe u burgos ndërsa ishte ende duke u shëruar. Por është mirënjohës për një gjë: “Familja ime arriti ta merrte trupin e vëllait dhe ta varroste siç duhet. Deri atëherë, trupat nuk u jepeshin kurrë familjeve; ata thjesht zhdukeshin. Për këtë, u jam borxhli miqve të vëllait tim të vdekur. Ata protestuan para Degës së Punëve të Brendshme, duke kërkuar trupin. Disa u arrestuan dhe u torturuan, por nuk u tërhoqën. Qytetarë të tjerë u bashkuan me ta, derisa më në fund trupi iu dorëzua familjes”.

Tashmë kryetar i Shoqatës “16 Qershori”, Beqi përfaqëson interesat dhe kërkesat e familjeve që humbën fëmijët dhe të afërmit në vrasjet në kufi gjatë periudhës komuniste. “Emri i shoqatës vjen nga data kur një djalë i ri, Nikollë Pëllumbi, u vra në kufi ndërsa përpiqej të arratisej”, shpjegon ai, duke shtuar: “Më shumë se 30 persona janë vrarë vetëm gjatë viteve 1989-1990, ndërsa vlerësojmë se gjithsej rreth 900 qytetarë janë vrarë në kufijtë e zonës së Shkodrës gjatë regjimit”.

Familja e Beqit pësoi humbje të tjera: një nga xhaxhallarët e tij u vra në lumin Buna në vitin 1954 ndërsa përpiqej të arratisej, një tjetër vdiq në Burgun e Burrelit dhe trupi i tij nuk është gjetur kurrë.

Që nga viti 2017, Bashkimi Evropian në Shqipëri ka mbështetur përpjekjet për të identifikuar personat e humbur që u zhdukën gjatë regjimit komunist. Kjo punë është kryer së bashku me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Autoritetin për Informacion mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe organizatat e shoqërisë civile – duke u përpjekur të përmirësojnë koordinimin dhe të rrisin ndërgjegjësimin publik. 

Missing Persons

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato theksoi: “Për Shqipërinë, përballja me trashëgiminë e vrasjeve në kufi dhe zhdukjeve me forcë nën regjimin komunist është një çështje dinjiteti, drejtësie dhe ndërtimi i besimit mes qytetarëve dhe institucioneve. Trajtimi i së kaluarës kërkon vullnet politik, një kuadër ligjor funksional dhe, mbi të gjitha, veprime konkrete nga institucionet përkatëse shqiptare për të siguruar zbatimin e ligjit. Kemi nevojë urgjente që Këshilli i Ministrave të miratojë një mekanizëm koordinues mes aktorëve përkatës që mundëson kërkimin dhe zhvarrimin e personave të vrarë gjatë regjimit komunist. Përballja me të kaluarën është një përgjegjësi kolektive, ku të gjithë kanë një rol për të luajtur”.

Missing Persons

Në një simpozium të mbajtur në Shkodër për të nderuar ata që humbën jetën në kufi dhe ata që ende janë të humbur, u nxorën në dritë disa raste – nëna, baballarë, fëmijë, nipër dhe mbesa, të gjithë në kërkim të mbetjeve njerëzore, të së vërtetës dhe drejtësisë.

Missing Persons

Pëllumb Dedndrejaj, familja e të cilit u shkatërrua, tregoi historinë e gjyshes së tij, e cila luftoi për të shpëtuar djalin e vet shtatëmuajsh. “Gjyshi im u arratis në vitin 1948 së bashku me shkrimtarin e famshëm Martin Camaj, priftin Ambroz Martini dhe 30 të tjerë. Dy javë më vonë, gjyshja ime, Butja, u internua në Berat me djalin e saj shtatëmuajsh, duke lënë dy fëmijët e tjerë pas në fshatin Lekbibaj, Tropojë, me një kushëri të paralizuar. Për shkak të kequshqyerjes dhe kushteve të tmerrshme, fëmijët në Berat vdisnin dhe varroseshin në brigjet e lumit Osum, dhe mbetjet e tyre i merrte uji”, shpjegon Dedndrejaj.

Kur foshnja u sëmur, gjyshja e tij vendosi të arratisej nga kampi për ta shpëtuar. “Ajo iku natën, flinte nëpër varreza, hante kalli misri dhe pas 18 ditësh ecjeje fshehurazi, arriti më në fund në fshatin e saj në Tropojë. Forcat e Sigurimit e arrestuan prapë dhe u përpoqën ta dërgonin përsëri në internim me djalin e saj. Por dy vendas ndërhynë. Ata premtuan ta mbanin të sigurt foshnjën e saj, duke e çuar te kushëriri i paralizuar në fshat, ndërsa ajo u dërgua në kampin e Tepelenës”, tregon Dedndrejaj.

I vogli dhe dy fëmijët u rritën pa asnjërin prind deri në vitin 1954, kur nëna e tyre u kthye. Ata nuk e panë më kurrë babanë e tyre. Tri përpjekjet e tij për t'i kaluar përtej kufirit dështuan. Letrat e tij nuk mbërritën kurrë në shtëpi – ato mbetën të mbyllura në një dosje të Sigurimit derisa familja i gjeti dy vjet më parë. “Bute Dedndrejaj e shpëtoi djalin e saj nga vdekja, por nuk mundi t'i jepte praninë e vet apo një fëmijëri normale”, thotë nipi i saj.

INFORMACION 

Që nga viti 2017, Bashkimi Evropian po e mbështet Shqipërinë për të gjetur personat e zhdukur gjatë regjimit komunist, duke fuqizuar sigurinë e kapaciteteve teknike të dosjeve, prerogativat e ndërgjegjësimit dhe duke rritur rolin e tij koordinues. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) ka zbatuar dy projekte për një total prej afërsisht 1 milion euro kontribute të BE-së. Në shkurt 2024 nisi një projekt i ri me ICMP-në mbi “Mbështetjen e drejtësisë tranzitore dhe përballjen me të kaluarën në Shqipëri”, i cili synon të rrisë angazhimin e institucioneve shtetërore shqiptare për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur si një trashëgimi e së kaluarës, si dhe të rrisë kohezionin social në Shqipëri.