Komisionerja Kos udhëton në Shqipëri për të bërë një bilanc të negociatave të anëtarësimit në BE

Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos do të vizitojë Shqipërinë nga data 12 deri më 14 mars, duke shënuar misionin e saj të parë zyrtar në vend.
Kjo vizitë do të shërbejë si një rast për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi gjendjen e procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht për progresin me reformat themelore dhe ato në drejtësi. Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të përcjellë rëndësinë e konsolidimit të arritjeve përmes rezultateve të mëtejshme të prekshme, në përputhje me natyrën e bazuar në merita të procesit.
Ndër të tjera, Komisionerja do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, si dhe me Kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali. Ajo do të takohet gjithashtu me institucionet e pavarura shqiptare të drejtësisë, me deputetë, përfshirë përfaqësues nga opozita, si dhe me organizata të shoqërisë civile. Gjithashtu, Komisionerja Kos do t'u drejtohet studentëve të Kolegjit të Evropës dhe Universitetit të Tiranës, si dhe do të shkëmbejë mendime mbi rolin e shoqërisë civile dhe angazhimin e të rinjve në politikën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Si pjesë e misionit të saj, Komisionerja Kos do të vizitojë tre projekte të financuara nga BE-ja në Elbasan, ku do të angazhohet me sipërmarrje sociale të mbështetura nga asetet e konfiskuara nga krimi i organizuar, do të takohet me gra, viktima të dhunës me bazë gjinore, si dhe do të shkëmbejë mendime me nxënës që marrin pjesë në programin e shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor, i cili mbështet pajtimin, të nxënit ndërkulturor dhe dialogun.
Një konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama, e planifikuar për datën 13 mars, ora 10:10, do të transmetohet drejtpërdrejt në EBS.