Komisionerja e BE-së Marta Kos viziton Elbasanin dhe takohet me përfituesit e projekteve të financuara nga BE-ja

Në ditën e dytë të vizitës së saj të parë zyrtare në Shqipëri, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos udhëtoi në Elbasan ku vizitoi projektet e financuara nga Bashkimi Evropian, ku dhe u angazhua me disa nga përfituesit e tyre. Së bashku me anëtarë të autoriteteve shqiptare, ajo takoi aktivistë të shoqërisë civile, gra në rrezik dhe nxënës të shkollave të mesme, duke parë në vetë të parë se si mbështetja e BE-së po përmirëson jetën dhe po forcon komunitetet.

Marta Kos in Elbasan Albania 2

Së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, Komisionerja Kos e nisi vizitën e saj në një punëtori të thurjes së qilimave, i cili mbështetet nga një grant i BE-së. E nisur në vitin 2021, nisma ka transformuar një pasuri që i është konfiskuar aktiviteteve kriminale në një ndërmarrje sociale tejet aktive. Menaxhuar nga Fondacioni “Joscelyn”, në bashkëpunim me Partners Albania në Elbasan dhe Libera nga Italia, punëtoria u ofron grave vendase – disa prej të cilave kanë qenë viktima të krimit të organizuar – mundësi për të mësuar aftësi të reja, për të gjetur punësim, si dhe për të arritur pavarësi financiare për familjet e tyre.

Marta Kos in Elbasan Albania 3

Komisionerja dhe ministrja më pas morën pjesë në një bisedë të thelluar, në një mjedis të sigurt, me gra të mbijetuara të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. I organizuar nga World Vision Albania dhe Forumi i Grave Elbasan, takimi theksoi ndikimin e mbështetjes së financuar nga BE-ja për viktimat, duke përfshirë këshillimin psikologjik, ndihmën ligjore dhe programet e fuqizimit ekonomik. Komisionerja dëgjoi përvojat personale të këtyre grave të guximshme dhe mësoi se si projekti po i ndihmon ato të rindërtojnë jetën e tyre.

Marta Kos in Elbasan Albania 4

Ndalesa e fundit e vizitës së Komisioneres Kos ishte shkolla e mesme “Dhaskal Todri”, ku së bashku me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, ajo takoi nxënës nga Shqipëria dhe Serbia të cilët marrin pjesë në programin “Supershkollat” të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO). Kjo nismë rajonale e financuar nga BE-ja dhe Gjermania nxit dialogun, pajtimin dhe shkëmbimin kulturor midis të rinjve në Ballkanin Perëndimor, duke ndihmuar për kapërcimin e paragjykimeve, ndërtimin e urave mes komuniteteve dhe promovimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

Duke reflektuar mbi vizitën e saj, Komisionerja Kos tha: "Vizita e sotme ka përforcuar besimin tim te ndikimi i thellë i mbështetjes së BE-së në Shqipëri. Fola me gra që po rindërtojnë jetën e tyre nëpërmjet aftësive të reja dhe punësimit, si dhe me të mbijetuarat e dhunës në familje që gjejnë forcë përmes mbështetjes. Pata diskutime të gjalla me mësues dhe nxënës të shkollave të mesme nga Shqipëria dhe Serbia, të cilët po kapërcejnë barrierat nëpërmjet shkëmbimit kulturor. Kjo është një dëshmi se si komunitetet vendase mund të fuqizojnë njëri-tjetrin për të krijuar mjedise më të sigurta dhe më të mira për të gjithë brezat, si dhe për të qenë aktorë të pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal”.

Marta Kos in Elbasan Albania 5

Ajo përsëriti se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët në mënyrë që të përfitojnë nga programet e BE-së dhe të përjetojnë avantazhet e procesit të anëtarësimit, edhe para anëtarësimit zyrtar në BE: "Sot më shumë se kurrë, BE-ja është e angazhuar të mbështesë Shqipërinë për të përshpejtuar rrugën e saj të integrimit në BE dhe për t'u bashkuar me familjen e BE-së. Ne do të vazhdojmë të nxisim modernizimin e shoqërisë shqiptare, duke punuar së bashku me pushtetin qendror, bashkitë dhe qytetarët drejt një të ardhmeje më të begatë, të barabartë dhe paqësore”.

Rreth projekteve të financuara nga BE-ja:

  1. Projekti “TWIST”:

TWIST (Drejt një modeli të ri të sipërmarrjes sociale për asetet e konfiskuara në Shqipëri) është një nismë prej 500,000 € e financuar nga BE-ja që synon ripërdorimin e aseteve të konfiskuara për sipërmarrje sociale. Projekti, i cili u finalizua me sukses në shkurt 2025 nga Libera, Bashkia e Tiranës dhe Partnerët Shqipëri, mbështeti OJQ-të vendore, si Fondacioni “Joscelyn”, për krijimin e ndërmarrjeve sociale që ofrojnë shërbime dhe punësim për grupet e cenueshme, përfshirë viktimat e krimit. Ndërmarrjet sociale për pasuritë e konfiskuara u mbështetën në qarkun Durrës, Fier, Gjirokastër, Shkodër dhe Pukë.

  1. Projekti “RISE HER”:

Projekti “RISE HER” (Rigjallërimi i pavarësisë dhe fuqizimit të qëndrueshëm për atë) financohet nga Bashkimi Evropian me një grant prej 0.5 milionë euro dhe zbatohet nga World Vision Albania dhe Forumi i Grave Elbasan, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Nisma ofron shërbime jetëshpëtuese për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore në Elbasan dhe bashkitë përreth. Projekti fokusohet te mbështetja e pavarësisë dhe fuqizimi i grave dhe vajzave, duke ofruar strehim, shërbime ligjore, psikologjike dhe sociale.

  1. Projekti “Supershkollat”:

“Supershkollat” është një program rajonal shkëmbimi i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO). Programi lidh shkollat e mesme nga Ballkani Perëndimor, duke promovuar ndërtimin e paqes, pajtimin dhe mirëkuptimin ndërkulturor. Me 4.5 milionë euro nga BE-ja dhe 1 milionë euro nga Gjermania, projekti inkurajon të rinjtë të përfshihen në dialogun ndërkufitar, duke nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë për një të ardhme të përbashkët.