Komisioneri Europian Glenn Micallef viziton Tiranën me fokus në Rini, Kulturë dhe Sport

Të hënën, Glenn Micallef, Komisioneri Evropian për Drejtësinë Ndërgjeneracionale, Rininë, Kulturën dhe Sportin përfundoi një vizitë produktive në kryeqytetin e Shqipërisë, duke shënuar vizitën e tij të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Programi i tij përfshinte fjalimin e hapjes në ceremoninë përmbyllëse të grupit të parë të studentëve nga kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë, si dhe një sërë angazhimesh të nivelit të lartë me fokus te të rinjtë, arsimin, trashëgiminë kulturore dhe sportin.

Vizita nisi në Kolegjin e Evropës, ku Komisioneri Micallef zhvilloi një diskutim dinamik me studentët e diplomuar. Biseda u përqendrua tek zgjerimi i BE-së, rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE , roli i vendeve të Ballkanit Perëndimor në ndërtimin e një Evrope më të fortë dhe kontributet e të rinjve në këto procese transformuese.

Komisioneri u takua përsëri me studentët në mbrëmje, në ceremoninë e mbylljes së vitit akademik, ku nënvizoi rolin e tyre jetësor në formësimin e së ardhmes së Evropës. Ai theksoi se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një projekt politik, por edhe çështje e drejtësisë ndërgjeneracionale - një premtim për mundësi, unitet dhe prosperitet të përbashkët për brezin e ardhshëm.

Gjatë vizitës së tij, Komisioneri vizitoi edhe Shkollën e Arsimit dhe Trajnimit Profesional “Gjergj Canco”, ku u prit nga Bora Muzhaqi, ministrja e Shtetit për të Rinjtë dhe Fëmijët, dhe Olta Manjani, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Zyrtaret dhanë një pasqyrë të përgjithshme të programit pilot të Garancisë Rinore të financuar nga BE-ja në Shqipëri, i cili i ndihmon të rinjtë të kenë qasje në trajnime, arsim dhe mundësi punësimi. Ato gjithashtu ndanë njohuri mbi nismat më të zgjeruara të qeverisë në mbështetje të të rinjve.

Së bashku me përfaqësues nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, UNDP-ja dhe UNICEF-i - partnerë kryesorë në Garancinë Rinore - Komisioneri zhvilloi një bisedë jozyrtare dhe interesante me studentët, përfshirë Ambasadorët e Rinj Evropianë nga Shqipëria dhe pjesëmarrësit në programin e Garancisë Rinore. Përmes këtij programi, të rinjtë kanë marrë mbështetje të përshtatur, siç janë këshillimi, trajnimi i aftësive dhe sistemimi në vende pune, duke i ndihmuar ata të kalojnë në një punësim kuptimplotë dhe të qëndrueshëm.

Më vonë gjatë ditës, së bashku me zëvendësministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Lira Pipa, Komisioneri Micallef mori pjesë gjithashtu në një ceremoni të përbashkët përurimi që shënoi përfundimin me sukses të dy ndërhyrjeve të mëdha kulturore në kuadër të programit “BE për kulturën”, zbatuar nga UNOPS-i në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit . Ato përfshinin:

  • Restaurimin e fasadës historike të ish-ndërtesës së Kinostudios, një monument kulturor dhe ish-selia e kompanisë shtetërore të prodhimit të filmave në Shqipëri;

  • Përmirësimin e Arkivit Kombëtar të Filmit me pajisje të përparuara digjitalizimiduke rritur ndjeshëm kapacitetin e tij për të ruajtur dhe për të siguruar qasje publike në trashëgiminë e pasur audiovizuale të Shqipërisë.

Ai vizitoi gjithashtu Shoqatën Shqiptare të Shkencave Sportive (ASSA), e cila zbaton teknika digjitale novatore për të promovuar kulturën sportive dhe formën fizike te të rinjtë, mbështetur nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian. Komisioneri Micallef iu bashkua mësuesve të edukimit fizik, trajnerëve dhe studentëve për një demonstrim të vlerësimeve të përgatitjes fizike dhe mjeteve të monitorimit digjital, të cilat kryhen në përputhje me udhëzimet e BE-së për shëndetin dhe aktivitetin fizik.

 

Materiale fotografike dhe video të vizitës:

Fjalimi në ceremoninë e mbylljes së vitit akademik të Kolegjit të Evropës: https://audiovisual.ec.europa.eu/en/video/I-273793

Vizita në ish-Kinostudio dhe Arkivin Kombëtar të Filmit: https://audiovisual.ec.europa.eu/en/video/I-273761

Në linkun në vijim mund të lexoni fjalimin e plotë në ceremoninë e mbylljes së vitit akademik të Kolegjit të Evropës në anglisht: https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/speech_25_1527