Kairo Urovi: Fillova të krijoj pasi nuk e shihja veten askund

Silueta e një burri tregon një trup në lëvizje në një ekspozitë në Tiranë, ku kombinohet një peizazh personal dhe kujtime, duke luajtur dhe vendosur një trup mes pranisë dhe mungesës. Kairo Urovi, një artist vizual me prejardhje shqiptare, i lindur në Fano (Itali) dhe aktualisht me banim në Londër, e përqendron praktikën e tij rreth kompleksitetit të kësaj deklarate. Te fakti i të qenit i lindurit dhe i rritur në Itali, me një familje me origjinë nga Shkodra, dhe që e jeton jetën si një individ transgjinor dhe queer. Përmes punës së tij, Urovi hetoi narrativat e përkatësisë dhe zhvendosjes, duke e përdorur përvojën e tij personale si një lente për reflektim më të gjerë kulturor. Në një projekt në vazhdim në Shqipëri me Art Explora, Urovi dokumenton një eksplorim personal të udhëtimit të kthimit në qytetin e tij të origjinës Shkodër, 13 vjet pas vizitës së fundit dhe 4 vjet pas tranzicionit të tij gjinor. Ajo që dikur ishte e njohur tashmë ndihet e largët, ndërsa kujtimet përballen me një ndjenjë në ndryshim për veten dhe vendin në veprën e tij "Qeni endacak". Ka fërkime midis dëshirës për t'u parë dhe fshehjes, ndërsa identiteti, përkatësia dhe vendi rinegociohen me kalimin e kohës. Përmes një procesi fotografik të ngadaltë dhe të qëllimshëm, vepra sfidon narrativat fikse të gjinisë dhe queerness brenda një konteksti të ngarkuar kulturor. “Qeni endacak” është një hartëzim personal dhe politik i identitetit në tranzicion, i vendosur në sfondin e një peizazhi që pasqyron këtë kompleksitet. Puna e Urovit është paraqitur në Paris Photo (2023), Bazament Art Space (2025) dhe Photo London (2025).

Kairo Urovi 2

- Sa ju përshtatet slogani “Kreativiteti na fuqizon së bashku”?

Slogani më përfaqëson në kuptimin që mendoj se puna ime nuk është bërë vetëm nga unë, nuk e kam bërë vetë. Ajo vjen gjithmonë në bisedë me njerëz të tjerë. Kreativiteti dhe aftësia për të kanalizuar energjinë time në krijimin e diçkaje që ka kuptim dhe mund të ndihmojë dikë, do t’i forcojë këto lloj lidhjesh kolektive. Nuk besoj se gjërat ndodhin në boshllëk. Sa më mirë të organizohemi si komunitete dhe të bashkohemi, aq më shumë ndikim do të kemi në planin afatgjatë. Dhe arti është një mënyrë e shkëlqyer për ta bërë këtë. Ai na ndihmon me këto mesazhe që duhet të ndajmë.

 

- A mund të ndihmojë kreativiteti në formësimin e një bote ku të gjithë ndihen të përfshirë dhe të vlerësuar, pavarësisht nga prejardhja ose identiteti i tyre?

Po. Mendoj se ky është qëllimi i krijimit. Është një mënyrë se si dikush shprehet pa ndjerë asnjë lloj gjykimi. Ky është parimi i krijimtarisë - të krijosh art që do të ndikojë te dikush, do të tregojë një histori ose do të provokojë të tjerët që të sjellin ndryshime. Puna ime është në thelb personale, ka të bëjë me mua dhe historinë time, me përvojën time, me të qenit queer, me të qenit transgjinor, me ardhjen nga Shqipëria, me largimin nga Shqipëria, me kthimin dhe përballimin me këto realitete dhe këto tema. Arsyeja pse fillova ta bëj këtë punë është se kam parë shumë pak njerëz ta bëjnë. Nuk e shihja veten askund. Nuk dëgjon shumë histori për persona transgjinorë në Shqipëri. I vetmi burrë transgjinor që kam hasur ishte David Cuka - ta shihja atë më ndihmoi në rrugëtimin tim. Të flasësh hapur dhe të jesh i dukshëm mund të vijë me një kosto shumë të lartë. Fillova të fotografoja sepse doja të nisja një bisedë. Dua që historia ime të arrijë tek njerëzit në të njëjtën mënyrë siç arriti historia e Davidit tek unë. Kreativiteti të ndihmon të imagjinosh liri të ndryshme dhe mënyra të ndryshme se si mund të ekzistosh në botë.

Kairo Urovi 3

-Si mendoni se kontribuon puna juaj krijuese në ndryshimet politike dhe shoqërore?

Ekspozita ime “Diku ku ende po mbërrij” në “Bazament” ka të bëjë tërësisht me marrëdhënien time me shtëpinë e gjyshes. Ajo prek temat e humbjes, zhvendosjes, përpjekjes për të bashkuar kujtimet, kujtimet e fragmentuara. Është edhe një vepër që prek identitetin tim queer. Ideja ime është që, nëse i bën njerëzit të mendojnë, nëse puna ngre pyetje, kjo mund të ndihmojë për të sjellë disa ndryshime. Një lloj shkëndije. Ka mënyra të ndryshme përmes të cilave kreativiteti mund ta bëjë këtë. Mendoj se është një mjet, ashtu siç është edhe aktivizmi një mjet, artet vizuale janë një mjet që mund të provokojë ndryshime shoqërore dhe politike. Përmes “Qenit endacak”, unë tregoj diçka tjetër, si e përjetoj kthimin në Shqipëri pas tranzicionit tim. Familja ime mundi të shihte mënyrën se si e përjetoja unë botën përmes imazheve të mia dhe kjo i ndihmoi të kuptonin se nga vij. Ka pasur edhe njerëz që më janë afruar, queer shqiptarë ose njerëz nga diaspora, dhe kemi folur për rëndësinë e të pasurit mundësi për të treguar historinë tënde. Pra, lloji i vizibilitetit që vjen me këtë i ndihmon njerëzit të kuptojnë dhe të mos e gjykojnë këtë. Ofron një derë të ndryshme për një mundësi tjetër, sepse problemi kryesor me njerëzit që janë transfobikë/homofobë është se ata nuk mund ta imagjinojnë se ekziston një mënyrë tjetër jetese përtej jetës së tyre. Unë nuk po përpiqem të fitoj respektin apo vlerësimin e tyre. Nuk po kërkoj pranim. Unë kërkoj të respektohem, të shihem dhe të vlerësohem.