Inovacioni i gjelbër në Shqipëri: Si krijuesit e rinj, të mbështetur nga BE-ja, po formësojnë një të ardhme të qëndrueshme

"Botanica është një projekt inovativ që synon të revolucionarizojë mbrojtjen e bimëve duke ofruar një biopesticid të sigurt, efektiv dhe miqësor ndaj mjedisit. Ky produkt kërkon të zëvendësojë pesticidet tradicionale kimike, të cilat kanë ndikime negative si ndotja e tokës dhe ujit, dëmtimi i biodiversitetit dhe rreziqe për shëndetin e njeriut. Bazuar në përbërës natyralë me veti antifungale, antibakteriale dhe insekticide, Botanica do të jetë një zgjedhje e sigurt për fermerët dhe konsumatorët që kërkojnë produkte organike dhe të qëndrueshme", thotë Adela Lamçe, një nga fitueset e hackathon-it të organizuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri si pjesë e fushatës “BE për Edukimin”.

Hackathon

Ndërsa fushata nxori në pah gjithë nismat e mbështetura nga Bashkimi Evropian, hackathon-i mblodhi dhjetëra novatorë të rinj nga Shqipëria, duke demonstruar se si brezi i ri mund të punojë drejt një të ardhmeje ku shoqëria është e vetëdijshme për çështjet mjedisore dhe mbështet jetesën e gjelbër.

Por si është e mundur që një vajzë 19-vjeçare nga Korça, që studion Shkenca Kompjuterike dhe IA si Lamçe, fituese e sfidës “Bujqësi e Qëndrueshme”, është e shqetësuar për bujqësinë, bimët dhe biopesticidet? "Është koha kur nga fermerët pritet të kenë produkte organike. Një tregtar i sugjeroi babait tim që të përdorte një kombinim bimësh medicinale në vend të pesticideve. Rastësisht ndodhesha atje dhe, që atëherë, kam menduar dhe kam punuar për këtë ide. Ky biopesticid do të prodhohet duke kombinuar bimë medicinale me karakteristika të ndryshme, secila prej të cilave synon sëmundje specifike të bimëve. Botanica është një insekticid që lufton insektet që dëmtojnë bimët pa dëmtuar organizmat e tjerë", shpjegon ajo.

Ajo synon të krijojë një biopesticid që bashkëjeton në harmoni me ekosistemin duke përdorur ekstrakte bimore dhe mikroorganizma të dobishëm, duke synuar eliminimin e dëmtuesve pa ndikuar negativisht tek organizmat e tjerë thelbësorë për bujqësinë, siç janë bletët dhe krimbat e tokës. Përmes kërkimit dhe testimit laboratorik, Botanica do të formulohet për të ofruar mbrojtje afatgjatë kundër sëmundjeve dhe insekteve, duke zvogëluar nevojën për aplikime të shpeshta dhe duke e bërë atë një zgjidhje më efektive nga ana e kostos për fermerët.

Hackathon

Një tjetër fituese, ideja e së cilës trajton sfidat mjedisore është Olisa Sinani, një stiliste dhe studente mode në Universitetin e Arteve në Tiranë. Ajo ka fituar sfidën “Moda e Qëndrueshme” me “Pëlhurën e Rilindjes”, një nismë e ndërtuar mbi parimet thelbësore të modës së qëndrueshme: zvogëlimin e mbeturinave duke ricikluar rrobat që përndryshe do të përfundonin në groposje, promovimin e ripërdorimit dhe transformimit ndërsa çdo material i vjetër merr një formë të re dhe të vlefshme, mbështetjen e ekonomisë vendore përmes bashkëpunimit me artizanët shqiptarë, rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit duke i përfshirë njerëzit në veprime të prekshme mjedisore dhe krijimin e produkteve afatgjata me një histori për të treguar.

Hackathon

Ajo dhe të motrat prodhojnë çanta të personalizuara duke përdorur rroba të vjetra të sjella nga njerëz që dëshirojnë të kenë një çantë të zbukuruar me detaje nga vallet, qëndisjet apo pikturat shqiptare, përfshirë një etiketë të brendshme që tregon historinë e origjinës së veshjes dhe një histori të shkurtër të vallëzimit tradicional nga një zonë e caktuar.

"Ideja lindi nga përzierja e dy ndjenjave të forta brenda meje: dashuria ime për modën dhe shqetësimi për mbeturinat që ajo lë pas. Duke parë sa shumë rroba harrohen, digjen ose hidhen, mendova: pse të mos i japim një jetë të dytë diçkaje që dikur kishte vlerë për dikë? Pastaj m'u kujtuan thesaret tona kulturore: qëndisjet, simbolet, ngjyrat. Atëherë e kuptova se nuk doja vetëm të krijoja çanta, por një mesazh: se moda e së ardhmes është ajo që kujton të kaluarën dhe mbron planetin", thotë Sinani, duke theksuar se moda e qëndrueshme nuk ka të bëjë vetëm me atë që veshim, por ka të bëjë me mënyrën se si mendojmë, jetojmë dhe respektojmë botën përreth nesh.

Hackathon

Fituesja e tretë vjen nga kategoria e “Turizmit të Qëndrueshëm”, një nismë e krijuar për të ndihmuar turistët dhe aventurierët që shijojnë malet, duke siguruar një përvojë më të sigurt dhe më të këndshme për ata që udhëtojnë nëpër terrene të paeksploruara.

“HikeMate” do të jetë një aplikacion i dedikuar aktiviteteve malore dhe turizmit në natyrë, që ofron një gamë shërbimesh, përfshirë mjete navigimi, paralajmërime për motin dhe rreziqet, organizimin e takimeve, ndarje përvojash me komunitetin dhe këshilla të personalizuara mbi etikën në natyrë. Përdoruesit do të mund të gjurmojnë dhe shënojnë rrugët e tyre duke përdorur GPS për të siguruar navigim të saktë dhe pa humbje. Aplikacioni do të funksionojë edhe pa internet, duke ofruar informacion në kohë reale në lidhje me kushtet e motit dhe rreziqet e mundshme natyrore, duke i paralajmëruar përdoruesit për çdo rrezik në zonë dhe duke rekomanduar rrugë alternative më të sigurta”, thotë Katerina Bllaca.

Hackathon

Meqenëse gjithçka filloi nga pasioni i saj për ecjen në natyrë që në fëmijëri, ideja pas këtij aplikacioni është një kombinim i përvojës personale, dashurisë për aventurat malore dhe një vizioni për ta përdorur teknologjinë në mënyrë praktike dhe të qëndrueshme. “Ne po e krijojmë “HikeMate” për të ndihmuar udhëtarët, por projekti përqendrohet edhe te promovimi i turizmit malor dhe mbështetja e ekonomisë vendore, përfshirë guidat turistike dhe grupet që ndihmojnë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri", shton Kaltrina.

 

Kjo nismë është në përputhje me fushatën e përvitshme #ForOurPlanet që synon të aktivizojë qytetarët në të gjithë botën për të mbrojtur, restauruar dhe kujdesur për planetin tonë të bukur.