Historia e Elkierd Deliut, guida turistike që promovon fshatin e tij të lindjes

Elkierd Deliu, 37 vjeç, është një guidë turistike shqiptare, i pajisur me licencë kombëtare nga Ministria e Turizmit që nga viti 2017. Ai gjithashtu është i specializuar në Paris si ‘Guidë konferencier’ dhe mund të ofrojë ture në muze dhe monumente historike në gjithë Francën dhe Evropën.
“Unë vendosa të kthehem në atdheun tim”, shpjegon Elkierdi. “Jam fëmijë i vetëm, dhe doja të isha më pranë familjes time, duke jetuar e punuar në Shqipëri. Veç kësak ndieja një dëshirë të madhe për të kontribuar në komunitetin tim”.
Elkierdi ka lindur në Mollagjesh, një fshat pranë liqeneve piktoreske të Funarit, në Elbasan. Të dy prindërit e tij janë mësues, dhe ata i rrënjosën një vlerësim të thellë për atdheun, traditat, kulturën dhe bukurinë e natyrës, duke e inkurajuar të krenohej me rrënjët e tij.
“Bukuria natyrore e kësaj zone thjesht të lë pa frymë”, thotë Elkierdi. “Nga shpellat e deri te liqenet, gjithçka këtu është vërtet spektakolare. Fshati im është vetëm 4 km larg Tiranës, por nuk ka lidhje direkte rrugore. Për të arritur tek ne nga Tirana, duhet të bësh mbi 50 km”.
Pavarësisht sfidës gjeografike, Elkierdi ka gjetur një mënyrë për të futur turistët e parë në fshatin e tij.

Pandemia
Ndërsa kufijtë u mbyllën, guidat turistike mbetën pa punë. Në shtëpinë e tij në fshat, Elkierdi nisi të mendonte për mundësi të reja. Pa u konsultuar me prindërit, vendosi ta listojë banesën e tij në Airbnb dhe nisi punën për ta bërë shtëpinë më të përshtatshme për turistët.
“Kur mora rezervimin e parë për shtëpinë, nuk mund ta besoja. Fshati im ishte mjaft larg nga Elbasani dhe rruga nuk ishte në gjendje të mirë. Nuk i kisha njoftuar prindërit, ndaj hezitova ta konfirmoja”, kujton Elkierdi përvojat e tij fillestare.
“Pas disa muajsh, mora një rezervim të dytë nga tre turistë çekë. Këtë herë, e konfirmova rezervimin dhe njoftova prindërit. Fillimisht, ata ishin të shqetësuar, pasi nuk ndiheshin të përgatitur për të pritur turistë. Megjithatë, kur mbërritën turistët e parë, me gjithë hezitimin e tyre fillestar për këtë rajon të largët, ata u magjepsën nga mikpritja jonë e ngrohtë dhe, veçanërisht, nga kuzhina jonë tradicionale”, kujton Elkierdi.
Vlerësimet pozitive nga turistët e parë inkurajuan të tjerët të vinin. Prindërit e Elkierdit u mësuan tashmë të prisnin mysafirë. Nëna e tij nisi të bënte reçelra të ndryshme dhe të përgatiste gatime tradicionale. Me kalimin e kohës, familje të tjera në fshat shprehën interes për të bërë të njëjtën gjë, pavarësisht skepticizmit të tyre për gjendjen e rrugës.

Projekti i madh
Menjëherë pas pandemisë, një lajm i mirë erdhi për zonën e Funarit. Në dhjetor 2021, nisi një projekt ndërkufitar i financuar nga BE-ja, i quajtur “Krusheva dhe Elbasani – Destinacion i njohur ndërkufitar i turizmit”, me fokus të veçantë zhvillimin e rajonit të Funarit.“Mësova për herë të parë për këtë projekt gjatë takimeve të mia fillestare me aktorët e turizmit të Elbasanit dhe mezi prisja të bëhesha pjesë e tij”, kujton Elkierdi.
Ky projekt përfshin disa komponentë, përfshi ngritjen e një qendre të re informacioni turistik në Funar, e cila tashmë ka përfunduar, krijimin e një piste fluturimesh me parashutë, si dhe krijimin e shtigjeve të shumta për ecje. Elkierdi doli vullnetar për t'u bashkuar me ekipin e projektit, për shkak të njohurive të tij të thella për zonën dhe ekspertizës së tij për shënjimin e shtigjeve të ecjes. Ai ndihmoi për hapjen e tre shtigjeve dhe krenohet me kontributin e tij: “Një nga këto shtigje të çon në një shpellë interesante dhe kalon nga fshati im”.
Gjithashtu, ai mori pjesë aktive në fazën pasuese të projektit, duke përfituar nga trajnimi i mbajtur në Krushevë, në Maqedoninë e Veriut, ku bizneset turistike nga të dy vendet mësuan se si të promovojnë në mënyrë efektive destinacionet e tyre në tregje të ndryshme globale. “Trajnimi në Krushevë më mësoi aftësi të reja, të tilla si promovimi i bujtinës sime në platforma përtej Airbnb, krijimi i një profili në Google Business dhe Google Maps, si dhe përdorimi i medieve sociale për promovim më të mirë”, vlerëson ai.
Sot, Elkierdi është bashkëpronar i një kompanie turistike në Tiranë, e specializuar për paketat turistike për tregun francez. Ai ka plane ambicioze për të kontribuar për zhvillimin e përgjithshëm të të gjithë zonës, duke siguruar që të gjithë të mund të përfitojnë nga turizmi. “Aktualisht po punoj për ndërtimin e paketave të shumta turistike për të krijuar një rrjet të qëndrueshëm turistik në rajonin e Funarit. Përveç kësaj, po ndihmoj një bujtinë tjetër për të zgjeruar kapacitetin e saj dhe për ta promovuar atë në platforma të ndryshme të shitjeve online”, thotë Elkierdi.
Turistët që vizitojnë këtë zonë nuk do të vijnë më thjesht për të pushuar, por do të kenë mundësinë të angazhohen në aktivitete të ndryshme, të tilla si ecjet malore në shtigjet e reja të krijuara, shëtitje rreth liqeneve të Funarit, eksplorim i shpellave dhe përjetimin e aventurave emocionuese me parashuta.
Elkierdi ka kuptuar se edhe një zonë e largët me kushte të vështira rrugore mund të tërheqë turistë dhe të sigurojë të ardhura të qëndrueshme për banorët e saj. “Çdo rajon në Shqipëri meriton zhvillim”, thotë ai ndërsa ndjek me pasion ëndrrën që tashmë po bëhet realitet. Ai parashikon se në një të ardhme të afërt, Funari dhe fshati i tij do të jenë plot me turistë, duke sjellë mirëqënie për komunitetin.