Glenn Micallef, Komisioneri Evropian për Barazinë Ndërgjeneracionale, Rininë, Kulturën dhe Sportin, do të vizitojë Shqipërinë më 16 qershor, duke shënuar misionin e tij të parë zyrtar në vend dhe në Ballkanin Perëndimor.

Komisioneri do të takohet me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi. Përveç kësaj, Komisioneri Micallef do të vizitojë kampusin e Kolegjit të Evropës në Tiranë dhe do të flasë para studentëve në ceremoninë e diplomimit të brezit të parë. Fjalimi i Komisionerit në ceremoninë e Kolegjit të Evropës do të zhvillohet në orën 18:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në EBS në linkun në vijim: https://audiovisual.ec.europa.eu/en/ebs/live/1.

Si pjesë e misionit të tij, Komisioneri Micallef do të vizitojë dy projekte të financuara nga BE-ja në Tiranë, ku do të angazhohet me të rinjtë që përfitojnë nga programet e financuara nga BE-ja, të tilla si Garancia Rinore, programet e trajnimit për arsim profesional dhe Ambasadorët e Rinj Evropianë.

Ai do të vizitojë gjithashtu mjediset e Arkivit Kombëtar të Filmit dhe ish-Kinostudios, duke shënuar përfundimin me sukses të dy projekteve të rëndësishëm në kuadër të programit “BE për Kulturën”, restaurimin e fasadës së ish-Kinostudios dhe dorëzimin në Arkivin Kombëtar të Filmit të pajisjeve për restaurimin dhe ruajtjen e gjithë arkivit të filmit të Shqipërisë.

Më 16 qershor, në orën 15:00, është planifikuar një deklaratë e përbashkët për shtyp me Ministrin Blendi Gonxhja, e cila do të zhvillohet në mjediset e Arkivit Kombëtar të Filmit.