Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në prezantimin e programit #EU4Culture

29.09.2020

Dhjetë muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, tragjedia dhe shkatërrimi që goditi Shqipërinë janë ende në mendjen e të gjithëve.

Familjet, miqtë dhe komunitetet kanë pësuar humbje për të cilat ende mbahet zi.

Nga tërmeti mbetet dëmi që iu shkaktua trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Të gjithëve na tronditën imazhet e mureve të shembura bizantine të Durrësit të shekullit të 5-të.

Ka diçka veçanërisht prekëse kur sheh dëmtime të ndërtimeve shekullore. Monumentet dhe simbolet e kulturës flasin për rrënjët e përbashkëta dhe për lidhjen me brezat dhe civilizimet e kaluara. Shkatërrimi i tyre ndikon drejtpërdrejt në identitetin tonë dhe në ndjenjën e përkatësisë.

Vlerësimi i dëmit pas tërmetit, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, arriti në përfundimin se 53 muze, monumente apo site kulturore rrezikohen dhe janë klasifikuar si me rrezik të lartë apo të mesëm. Për më tepër, janë dëmtuar koleksione nga thyerja apo plasaritja e objekteve.

Trashëgimia kulturore është ura jonë me të kaluarën - është gjithashtu ura jonë drejt të ardhmes. Mbrojtja dhe rindërtimi i saj kanë një fuqi të madhe simbolike, duke ndihmuar për rindërtimin e shpresës dhe komuniteteve.

Një nga pikat e forta të Bashkimit Evropian është pikërisht aftësia jonë për të ruajtur të kaluarën, ndërsa ndërtojmë së bashku të ardhmen.

Prandaj jam krenar të them sot se Bashkimi Evropian po sjell 40 milionë euro për të mbështetur rindërtimin, rehabilitimin dhe fuqizimin e vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare të dëmtuar nga tërmeti.

Ne e kemi quajtur këtë program: EU4Culture.

EU4Culture do të zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit, UNOPS. Me ekspertizën e saj për zbatimin në mënyrë efikase të projekteve të ndërlikuara, UNOPS është partneri më i mirë për të zbatuar programin EU4Culture. Pres një partneritet të shkëlqyer me UNOPS në 3-4 vitet e ardhshme.

EU4Culture është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore i krijuar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira

Ai është gjithashtu një shans unik, që vjen ndoshta një herë në jetë, për sektorin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Këtu, do të doja të falenderoja ministren Margariti dhe stafin e saj për një bashkëpunim të shkëlqyer deri tani.

Sigurisht, programi do të zbatohet me pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar të trashëgimisë kulturore - historianë, arkeologë apo arkitektë me njohuri të paçmueshme. Ekziston gjithashtu një ekspertizë e madhe në shtetet tona anëtare, cilësia e misioneve arkeologjike të të cilave njihet nga të gjithë.

Lista e monumenteve dhe siteve në të cilat do të përqendrohet programi EU4Culture do të përmbyllet pas konsultimeve dhe një vlerësimi të plotë. Sidoqoftë, tashmë mund t'ju them se ajo do të përfshijë muze, siç është Muzeu Arkeologjik ku jemi mbledhur sot, dhe Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Do të përfshijë gjithashtu zona të rëndësishme, si Amfiteatri i Durrësit, si dhe kështjella e monumente fetare.

Në shekullin e 4-të, një tërmet i fuqishëm shkatërroi mbrojtjen e Dyrrachium-it, siç quhej Durrësi në atë kohë. Anastasius I, Perandori bizantin i lindur në këtë qytet, rindërtoi dhe forcoi muret e qytetit, duke krijuar fortifikimet më të forta në Ballkanin Perëndimor.

E njëjta frymë novacioni duhet të udhëheqë edhe këtë program. Të gjitha rindërtimet do të ndjekin parimin “Rindërtojmë më mirë”, duke zbatuar norma miqësore me mjedisin dhe duke rindërtuar objekte më të forta, më të sigurta dhe më të qëndrueshme ndaj katastrofave.

Për më tepër, programi EU4Culture do të rrisë vlerën ekonomike e siteve. Do të përmirësojë peizazhin, menaxhimin e siteve, mjediset e vizitorëve dhe digjitalizimin e koleksioneve.

Ndërsa bota ka hyrë në një krizë ekonomike të një shkalle katastrofike, disa mund të mendojnë se investimi në trashëgiminë kulturore nuk është përparësi dhe duhet të vijë i fundit. Por jo Bashkimi Evropian. Ne jemi të bindur se kultura ka rëndësi për ekonominë tonë po aq sa ka rëndësi për identitetin tonë.

Në Shqipëri trashëgimia kulturore do të jetë një element thelbësor për rimëkëmbjen socio-ekonomike të vendit. Ajo është një nga fushat e pakta ku investimet e planifikuara mirë mund të gjenerojnë të ardhura më të larta ekonomike dhe të nxisin zhvillimin ekonomik vendor.

Programi EU4Culture do të promovojë një ofertë turistike që është më e qëndrueshme, më e larmishme dhe më pak stinore. Në kontekstin aktual, unë nuk mendoj se BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj mund të bëjnë një investim më të mirë në një vend që është i destinuar të kthehet në familje sa më shpejt.

 

Zonja dhe zotërinj,

Pas tërmetit, Bashkimi Evropian ishte pranë Shqipërisë që nga dita e parë. BE-ja solli operacione kërkimi dhe shpëtimi, inxhinierë strukturorë dhe ndihmë në natyrë. Më pas, vlerësimi i nevojave pas fatkeqësisë shërbeu si bazë për konferencën e donatorëve në Bruksel - me një premtim rekord prej 1.15 miliardë eurosh.

Komisioni Evropian po dhuron 115 milionë euro në grante të drejtpërdrejta. Ato ndahen mes programit EU4Culture dhe programit të tij binjak, EU4Schools, i cili siguron 75 milionë euro për riparimin dhe rindërtimin e shkollave.

Kjo natyrisht nuk përfshin ndihmën e jashtëzakonshme dypalëshe të Shteteve tona Anëtare. Thjesht nuk ka pasur asnjë çast të vetëm në 10 muajt e fundit që Bashkimi Evropian të mos ketë qenë në vijën e parë për të ndihmuar Shqipërinë.

Ka një fjalë që e përmbledh angazhimin tonë: solidaritet.

Solidariteti i Bashkimit Evropian me një nga fqinjët e tij më të afërt. Solidaritet me një Shtet Anëtar të ardhshëm. Dhe fare thjesht, solidaritet me partnerët tanë evropianë në Shqipëri.

Investimi në trashëgiminë kulturore nuk është thelbësor vetëm për identitetin e një vendi, por lidhet edhe me historinë e përbashkët të rajonit dhe kontinentit të tij më gjerë.

Asnjë vend tjetër nuk e simbolizon historinë dhe përkatësinë tonë të përbashkët sa Durrësi. Durrësi, kolonia e parë greke në detin Adriatik, sistemi i qeverisjes së të cilit u diskutua nga Platoni. Durrësi romak, ku Cezari erdhi për të luftuar dhe Adriani për të ndërtuar. Durrësi ilir, bizantin, bullgar, venecian. Shtresa mbi shtresa të historisë evropiane nën këmbët tona.

Historia juaj është historia jonë. Ndihma që ju të ruani trashëgiminë e Shqipërisë është një shans ekonomik, një përgjegjësi e përbashkët, por edhe një detyrë morale dhe historike ndaj brezave të mëparshëm dhe të ardhshëm të evropianëve.

 

Faleminderit