Fjalimi i Ambasadorit të Bashkimit Evropian Luigi Soreca gjatë ceremonisë me rastin e nisjes së Presidencës kroate të Këshillit të Bashkimit Evropian

20.01.2020

I dashur Ambasador i Kroacisë (I dashur Zlatko),

Të dashur kolegë,

Gjatë 6 muajve të ardhshëm, Presidenca e parë kroate e Këshillit do të drejtojë Bashkimin Evropian në udhëtimin e tij gjithnjë përpara. Presidenca juaj do të formësojë me të vërtetë pamjen që do të ketë Bashkimi Evropian në vitet e ardhshme.

Ashtu siç i njoftoi Parlamentit Evropian Kryeministri juaj, z. Andrej Plenković, ju do të kërkoni të përfundoni Kornizën e re Financiare Shumëvjeçare, duke siguruar tërheqjen e rregullt të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, duke përgatitur Konferencën për Ardhmërinë e Evropës dhe natyrisht, duke reformuar dhe çuar përpara politikën e zgjerimit. Një program shumë mbresëlënës!

Më pak se shtatë vjet pasi Kroacia iu bashkua Bashkimit Evropian, BE-ja mund të mbështetet te një Presidencë që do ta shtyjë më tej agjendën e zgjerimit. Në këtë drejtim, pas Kryesisë rumune dhe asaj finlandeze, mirëpres fuqimisht vazhdimësinë e mbajtjes së Ballkanit Perëndimor ndër përparësitë tona kryesore këtë semestër.

Samiti i Zagrebit do të jetë një moment historik në këtë proces. Për këtë, ne kemi ende shumë punë për të bërë. Komisioni do të punojë për metodologjinë dhe do të paraqesë një propozim për procesin e zgjerimit në fillim të këtij viti. Kjo do të reflektojë se si mund ta përmirësojmë politikën e pranimit.

Por, puna me metodologjinë nuk e ngrin pjesën tjetër të procesit. Presidentja Von der Leyen e tha qartë kur takoi Kryeministrin Plenković. Ajo tha: “Jam thellësisht e bindur që kjo nuk do të na pengojë të marrim përsipër bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne u kemi kërkuar atyre që të bëjnë shumë, ata i plotësuan kriteret, kështu që tani duhet të realizojmë dhe të mbajmë premtimet tona”.

Kështu që për Shqipërinë, Presidenca juaj do të jetë vendimtare. Pas Samitit të Zagrebit, Komisioni do të miratojë Raportin Vjetor të tij. Përparësi duhet të jenë përpjekjet shtesë që mbeten për t'u arritur për t’i bindur të gjitha Shtetet Anëtare - domethënë përqendrimi te realizimi i reformave.

Në krye të agjendës së integrimit të BE-së janë: vazhdimi i krijimit të institucioneve të reja kyçe gjyqësore, të pasurit e një Gjykate Kushtetuese plotësisht funksionale, miratimi i akteve nënligjore të mbetura për mbrojtjen e pakicave dhe miratimi përfundimtar i një reforme zgjedhore që adreson plotësisht rekomandimet e OSBE / ODIHR-it. Ne jemi të kënaqur që është arritur përparim me dosjen e fundit dhe Komisioneri Várhelyi, i cili ishte me ne të enjten e kaluar, i inkurajoi të gjitha palët të arrijnë një marrëveshje para mesit të marsit.

Për këtë nevojitet një dialog konstruktiv midis të gjitha partive politike. Gatishmëria e tyre për t'u bashkuar në dobi dhe interes të të gjithë shqiptarëve është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Nuk ka mbetur edhe shumë kohë para piketave të ndryshme të pranverës. Do të ishte gabim për Shqipërinë që të mos përqendrohej për të bërë gjithçka që vendi mund të bëjë gjatë muajve të ardhshëm për t’u paraqitur plotësisht i përgatitur.

Së fundi, pas tërmetit të tmerrshëm të nëntorit, Komisioni Evropian do të presë një konferencë të donatorëve më 17 shkurt, në Bruksel. Bashkimi Evropian po punon me Bankën Botërore dhe Kombet e Bashkuara për përpilimin e një vlerësimi të përbashkët të nevojave pas katastrofës. Ai po hartohet me ekspertët më të mirë evropianë dhe ndërkombëtarë. Ky vlerësim i nevojave do të japë besueshmërinë dhe sigurinë që u nevojitet donatorëve për ta ndihmuar Shqipërinë në rindërtimin e saj.

Duke pasur parasysh të gjitha këto, është shans që të mund të mbështetemi në angazhimin e Kroacisë si partnere për ta drejtuar këtë punë në mënyrë efikase dhe të suksesshme së bashku.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian me Kroacinë në vitin 2013 u dëshmoi të gjithëve në rajon që përmes punës së palodhur, këmbënguljes, guximit politik dhe vendosmërisë, anëtarësimi në BE është i arritshëm. Kroacia ishte një pioniere, duke treguar në mënyrë konkrete se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor në tërësi është në Bashkimin Evropian. Unioni mbetet, më shumë se kurrë, i përkushtuar ndaj kësaj perspektive.

Në një kohë kur, për fat të keq, do të humbasim një anëtar, arritjet e Kroacisë në dhjetë vitet e fundit dëshmojnë se anëtarësimi në BE sjell zhvillim të mëtejshëm ekonomik, mbrojtje sociale dhe ndikim politik mbi vendimet që prekin vendet tona, Evropën dhe botën.

Për më tepër, nuk duhet të harrojmë kurrë që ideja evropiane lindi më shumë se gjashtëdhjetë vjet më parë me objektivin për ta bërë të pamundur që luftërat dhe konfliktet të ndodhin përsëri në Evropë. Lufta e fundit mizore në kontinentin evropian u zhvillua këtu, në Ballkanin Perëndimor.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një garanci që ajo, gjithashtu, t'i përkasë të kaluarës. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është ende sot spiranca e paqes në kontinentin tonë.

Të dashur miq, dëshiroj t'i uroj Kroacisë sa më shumë fat dhe sukses për këtë Presidencë të parë historike të vendit.

Pas një filmi të shkurtër mbi Presidencën kroate, do të kem nderin të ftoj Shkëlqesinë e Tij Zlatko Kramaric, Ambasador i Kroacisë në Republikën e Shqipërisë, për të paraqitur përparësitë e Presidencës kroate të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Faleminderit!