Fjala e Ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, në Konferencën për Digjitalizimin e Zgjedhjeve në BE dhe në Ballkanin Perëndimor

I nderuar Komisioner, z. Celibashi,

I nderuar z. Wolf,

Të nderuar përfaqësues nga IDEA dhe Stiftung Mercator,

Të dashur kolegë,

Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi t’i bashkohem hapjes së kësaj konference të rëndësishme rajonale mbi digjitalizimin në proceset zgjedhore, një temë që qëndron në pikëtakimin mes demokracisë, teknologjisë dhe qeverisjes.

Teknologjitë digjitale po e transformojnë mënyrën se si qytetarët angazhohen në demokraci, mënyrën se si prodhohet dhe qarkullon informacioni, por edhe mënyrën se si menaxhohen zgjedhjet. Këto ndryshime sjellin mundësi të mëdha për pjesëmarrje dhe transparencë gjithëpërfshirëse, por ato vijnë gjithashtu me dobësi të reja, që nga dezinformimi dhe manipulimi i drejtuar nga IA-ja deri te çështjet e sigurisë kibernetike dhe keqpërdorimit të të dhënave.

Bashkimi Evropian ka ngritur një nga kornizat digjitale më gjithëpërfshirëse në botë për të mbrojtur demokracinë në internet – ky korpus ligjor përfshin Aktin e Shërbimeve Digjitale, Aktin Evropian të Lirisë së Medias dhe Aktin e IA-së, dhe së shpejti do të plotësohet me Rregulloren e ardhshme të Transparencës dhe Synimit të Reklamimit Politik.

Këto instrumente nuk kanë të bëjnë vetëm me rregullimin e tregjeve; por edhe me mbrojtjen e qytetarëve, duke garantuar konkurrencë të drejtë politike dhe duke ruajtur besimin tek institucionet. Nisma të tilla si Mburoja Evropiane për Demokracinë dhe Rrjeti i Bashkëpunimit Evropian për Zgjedhjet do të forcojnë më tej koordinimin dhe qëndrueshmërinë.

Por, më lejoni tani të kthehem te vendi ynë pritës, Shqipëria.

Diskutimi i sotëm përkon me një moment vendimtar në Shqipëri. Pas zgjedhjeve të majit 2025, peizazhi politik tashmë po angazhohet në mënyrë aktive me reformat. Ngritja e një Komisioni të Përbashkët Parlamentar për Reformën Zgjedhore – së bashku me nisma të tjera që synojnë trajtimin e mjedisit të përgjithshëm zgjedhor (jo vetëm kuadrin legjislativ), çka mund të ndikojë në fushën e barabartë të lojës e cila, sipas OSBE/ODIHR-it mungonte në zgjedhjet e vitit 2025 – pasqyron një njohje të fortë kombëtare të nevojës për të trajtuar sfidat e së kaluarës dhe për të forcuar integritetin zgjedhor. BE-ja i mirëpret të gjitha këto hapa dhe inkurajon një proces gjithëpërfshirës dhe të bazuar në prova, të udhëhequr nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka ndërmarrë tashmë hapa të rëndësishëm në analizën e tij pas zgjedhjeve, duke hartuar propozime konkrete për të forcuar transparencën, efikasitetin dhe besimin te proceset e ardhshme zgjedhore.

Ne i mbështesim plotësisht këto propozime.

Mbikëqyrja digjitale është gjithnjë e më qendrore në këtë agjendë reformash. Kjo do të thotë të garantohet që fushatat në internet, reklamat politike dhe përdorimi i të dhënave të jenë transparente, të verifikueshme dhe t'i nënshtrohen monitorimit të pavarur.

Përdorimi i teknologjisë digjitale kërkon gjithashtu modernizimin e sistemeve zgjedhore – që nga edukimi i votuesve dhe deri te trajnimi me infrastrukturën e TI-së dhe menaxhimin e rezultateve – në një mënyrë që mbron si sigurinë ashtu edhe besimin e publikut.

BE-ja dhe Këshilli i Evropës janë krenarë që vazhdojnë partneritetin tonë përmes projektit të ri “Mbështetje për Ciklin Zgjedhor në Shqipëri”. Ky projekt synon të rrisë kapacitetin e KQZ-së, të promovojë pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të shoqërisë civile dhe medias, si dhe të nxisë transparencën digjitale në përputhje me standardet evropiane.

Demokracia dhe qeverisja digjitale janë përgjegjësi të përbashkëta. Ato mbështeten në dialogun e hapur, institucionet e forta dhe angazhimin kolektiv të të gjithë aktorëve politikë. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur këtu sot.

Reformat zgjedhore dhe digjitale janë pjesë e angazhimeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE në kuadër të Grup-kapitullit 1 - Themeloret. Ato kontribuojnë drejtpërdrejt në Udhërrëfyesin për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, i cili nënvizon rëndësinë e zgjedhjeve transparente, qeverisjes së përgjegjshme dhe pjesëmarrjes së qytetarëve si themele thelbësore për anëtarësimin në BE.

Demokracia nuk është statike – ajo evoluon me teknologjinë dhe institucionet, bazuar në vlera të përbashkëta, veçanërisht transparenca, integriteti dhe besimi te zgjedhjet. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët. BE-ja është angazhuar ta mbështesë Shqipërinë dhe KQZ-në në këtë proces gjithëpërfshirës.

Ju uroj një shkëmbim frymëzues sot dhe falënderoj International IDEA-n, Stiftung Mercator-in dhe partnerin tonë KQZ që e sollën këtë temë në këtë diskutim të rëndësishëm sot.