BE siguron paketë financiare prej 90 milionë eurosh për përmirësimin e hekurudhës Durrës–Rrogozhinë në Shqipëri

  • Fondet e BE-së, që përbëhen nga një grant prej 60,5 milionë eurosh, në kuadër të KIBP dhe një hua prej 30 milionë eurosh nga BEI Globale, do të mundësojnë modernizimin e një linje hekurudhore 34 km të gjatë.
  • Paketa financiare u nënshkrua në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga Komisioni Evropian, qeveria e Shqipërisë dhe BEI Globale.
  • Projekti do të mundësojë transport më efikas, të qëndrueshëm dhe më të sigurt të pasagjerëve dhe mallrave, duke kontribuar në rritjen socio-ekonomike dhe integrimin rajonal.

Gjatë vizitës zyrtare të përfaqësueses së lartë për Punët e Jashtme dhe të Sigurisë dhe zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas, në Shqipëri, u nënshkrua një paketë financiare e BE-së me vlerë 90,5 euro për rindërtimin e seksionit hekurudhor Durrës–Rrogozhinë, ndërmjet Bankës Evropiane të Investimeve (BEI Globale) dhe qeverisë së Shqipërisë. Fondet përbëhen nga një grant i BE-së me vlerë 60,5 milionë euro, i kanalizuar në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) dhe një hua prej 30 milionë eurosh nga BEI Globale. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i departamentit të Zgjerimit dhe Fqinjësisë i BEI Globale, Lionel Rapaille dhe ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, në prani të zëvendëspresidentes Kallas dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Fondet do të mundësojnë modernizimin e një linje hekurudhore me gjatësi 34 km midis portit të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipërinë qendrore, e cila shtrihet në Korridorin VIII multimodal që lidh portet e Italisë jugore, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Projekti është i një rëndësie strategjike, si zgjerim tregues i rrjetit TEN-T dhe është pjesë e planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.  Kostoja totale e projektit është vlerësuar në 121 milionë euro, e bashkëfinancuar me një hua prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Përfaqësuesja e lartë për Punët e jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, u shpreh: “Nënshkrimi i huasë së Bankës Evropiane të Investimeve për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë si pjesë e Korridorit VIII, bashkëfinancuar nga BE, është një moment i rëndësishëm. Ky projekt do të krijojë vende të reja pune, do të rrisë tregtinë dhe do të përmirësojë lidhjen duke e afruar Shqipërinë më pranë fqinjëve të saj dhe më pranë Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu do të shërbejë si një rrugë kritike midis Shteteve Anëtare dhe NATO-s për mobilitetin ushtarak në Evropën Juglindore, që është jashtëzakonisht e rëndësishme në mjediset aktuale të sigurisë.”

Zëvendëspresidenti i BEI-t, Robert de Groot,  përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, u shpreh: “Ne kemi kënaqësinë të jemi pjesë e kësaj përpjekjeje të rëndësishme të 'Team Europe', duke nënvizuar angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e lidhjeve më të sigurta, më të zgjuara dhe më të gjelbra të transportit në Ballkanin Perëndimor. Si një segment kyç i Korridorit VIII, ky projekt do të rrisë zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë, duke përmirësuar aksesin dhe duke lehtësuar lidhjet tregtare dhe ekonomike brenda rajonit dhe me BE-në. Në vazhdim, BEI Globale do të vijojë të kontribuojë me mbështetjen e saj teknike dhe financiare në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, edhe nëpërmjet mundësive të ofruara në kuadër të planit të ri të rritjes”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh: “Nënshkrimi që u bë është pjesë e një programi masiv investimesh në infrastrukturën hekurudhore. Kjo është arsyeja se përse ky 5-vjeçar që na ndan nga mbyllja e kësaj dekade, do jetë edhe një 5-vjeçar ku do kthehen hekurudhat në Shqipëri dhe kjo është një nga shumë arsyet jo vetëm, për të besuar, por edhe për të luftuar që ne të anëtarësohemi në BE, se falë kësaj marrëdhënie jemi në gjendje sot të kryejmë një sërë investimesh që përndryshe do ishin të pamundura për ne.”

 

Si një financuese kryesore e sektorit të transportit në Ballkanin Perëndimor, BEI Globale po mbështet disa projekte të rrjetit hekurudhor në Shqipëri. Kjo përfshin financimin për seksionin nga Vora deri në Han të Hotit dhe përgatitjen e fazës së dytë të hekurudhës së Korridorit VIII nëpërmjet mbështetjes teknike të ofruar në kuadër të nismës për rimëkëmbjen ekonomike të BEI-tProgrami këshillimor “JASPERS” ka mbështetur gjithashtu zhvillimin e një plani veprimi për të forcuar kapacitetin menaxhues të infrastrukturës hekurudhore të Shqipërisë.

 

Të dhëna bazë:

Rreth BEI-t dhe BEI Globale:

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian, në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo financon investime që kontribuojnë në objektivat e politikave të BE-së.

BEI Globale është krahu i specializuar i Grupit të BEI-t, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit, si dhe një partner kyç i Global Gateway. Ne synojmë të mbështesim investime me vlerë 100 miliardë euro deri në fund të vitit 2027- rreth një të tretën e objektivit të përgjithshëm të kësaj nisme të BE-së. Në kuadër të “Team Europe”, BEI Globale nxit partneritete të forta dhe të fokusuara së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron Grupin e BEI-t më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën.

Rreth BEI Globale në Ballkanin Perëndimor:

BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2009, banka ka financuar projekte me vlerë prej mbi 11 miliardë eurosh në rajon. Përveç vijimit të mbështetjes së saj për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, BEI është shtrirë në shumë fusha të reja që prej vitit 2010, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, kërkimin dhe zhvillimin, arsimin dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI-t në Ballkanin Perëndimor, vizitoni: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans

Rreth BEI Globale në Shqipëri:

BEI Globale ka qenë aktive në Shqipëri që nga viti 1995. Deri më sot, janë financuar 27 projekte dhe janë investuar mbi 700 milionë euro, kryesisht në infrastrukturën kryesore të transportit, energjisë dhe ujësjellës-kanalizimeve. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI-t në Shqipëri, mund të shihni: https://www.eib.org/en/projects/regions/enlargement/the-western-balkans/albania/index.htm