BE - Shqipëri Komiteti i 11-të i Stabilizimit dhe Asociimit

09.12.2020

Takimi i 11-të i Komitetit të Stabilizimit dhe Asociimit (SA) mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian u zhvillua më 9 dhjetor 2020, në Tiranë (video-konferencë). Takimi u hap nga Shkëlqesia e Tij z. Zef Mazi, Kryenegociator për Integrimin e Shqipërisë në BE dhe znj. Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian. Në takim foli gjithashtu Shkëlqesia e Tij z. Luigi Soreca, Ambasador, Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Znj. Adea Pirdeni, Zëvendësministre e Drejtësisë së Shqipërisë dhe znj. Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën në Komision, bashkëkryesuan takimin.

Komiteti i SA-së bëri një vlerësim të progresit në zbatimin e MSA-së, si dhe të zhvillimeve më të rëndësishme të vitit të kaluar në fushat e sundimit të ligjit, reformës së administratës publike, tregtisë, zhvillimit ekonomik, bujqësisë dhe peshkimit, industrisë dhe tregut të brendshëm, inovacionit dhe kulturës, politikave sociale, transportit, energjisë, mjedisit dhe ndryshimit të klimës. Gjithashtu u rishikua zbatimi i ndihmës financiare të BE-së. Komiteti i SA-së theksoi zotimet e rëndësishme të mobilizuara për rindërtimet pas tërmetit dhe mbështetjen në kohë për nevojat e ngutshme dhe rimëkëmbjen nga COVID-19.

Komisioni mirëpriti prirjen pozitive të progresit të vazhdueshëm të arritur nga Shqipëria në të gjitha fushat gjatë vitit. Shqipëria është afër përmbushjes së të gjitha kushteve të nevojshme para takimit të parë të Konferencës Ndërqeveritare për negociatat e pranimit. Komisioni përgëzoi reformën zgjedhore të miratuar më 23 korrik në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Komiteti i SA-së shqyrtoi gjendjen e zbatimit praktik të saj. Komisioni theksoi përparimin e përgjithshëm të mirë të bërë në zbatimin e reformës në drejtësi dhe mirëpriti faktin që procesi i vetingut vazhdoi. Ai u bëri thirrje autoriteteve kompetente të përfundojnë emërimet e vonuara në Gjykatën Kushtetuese.

Komisioni mirëpriti angazhimin e treguar nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioni vuri në dukje pozitivisht se organet e reja të specializuara në fushën e antikorrupsionit dhe krimit të organizuar janë themeluar dhe kanë filluar të funksionojnë. Komiteti i SA-së shqyrtoi përparimin në rekrutimet e mbetura në Byronë Kombëtare të Hetimeve. Komisioni vuri në dukje se numri i operacioneve policore - përfshirë operacionet bashkërisht me Shtetet Anëtare të BE-së - që synonin grupe të krimit të organizuar është rritur dhe se janë bërë arrestime dhe padi të rëndësishme. U diskutua gjithashtu progresi në zbatimin e planit të veprimit FATF dhe Komisioni theksoi rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të luftës kundër pastrimit të parave. Komisioni rikujtoi se rekordi i përgjithshëm i hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçanërisht në rastet e nivelit të lartë, duhet të forcohet më tej.

Për më tepër, Komisioni mirëpriti bashkëpunimin e mirë në trajtimin e sfidave të përbashkëta migratore dhe të sigurisë, si dhe e vlerësoi Shqipërinë për krijimin e marrëveshjeve të punës me të gjitha agjencitë e BE-së për drejtësinë dhe punët e brendshme.

Komisioni dhe Shqipëria ranë dakord mbi rëndësinë e vazhdimësisë së trajtimit të fenomenit të kërkesave të pabazuara për azil, i cili kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me Shtetet Anëtare të destinacionit.

Për të drejtat themelore, Komisioni mirëpriti miratimin e ligjit të regjistrimit të popullsisë dhe inkurajoi zbatimin e tij. Komisioni nënvizoi se aktet e mbetura nënligjore për mbrojtjen e pakicave duhet të miratohen me shpejtësi. Angazhimi i ripërtërirë i Shqipërisë për të siguruar që legjislacioni në lidhje me median të jetë në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare, u theksua më tej. Komisioni mirëpriti emërimin e Vëzhguesit të Shqipërisë në Bordin Drejtues të Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore.

Komiteti i SA-së vuri në dukje me kënaqësi bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë dhe përafrimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe pjesëmarrjen e saj aktive të vazhdueshme në misione dhe operacione në kuadrin e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Angazhimi i Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal u mirëprit.

U diskutua politika ekonomike dhe e taksave, përfshirë planet e rimëkëmbjes dhe zhvillimit, si dhe strategjia fiskale afatmesme dhe pragu i përjashtimit nga TVSH-ja. Diskutimet mbi bujqësinë dhe peshkimin u përqendruan në planifikimin e zhvillimit rural, regjistrat e bujqësisë dhe siguria e ushqimit, si dhe monitorimi i anijeve të peshkimit. U rishikua progresi në përafrimin me BE-në në fushën e tregut të brendshëm, përfshirë prokurimin publik dhe kontrollin e ndihmës shtetërore. Komiteti i SA-së diskutoi strategjinë dhe financimin e arsimit, aftësitë digjitale, sigurinë kibernetike dhe inovacionin, programin kërkimor Horizon, kulturën dhe trashëgiminë historike, si dhe dialogun mes partnerëve socialë. Diskutimi përfshiu gjithashtu politikat rajonale dhe të kohezionit, lidhshmërinë, përfshirë transportin hekurudhor, si dhe kontrollin e flamurit të anijeve, eficiencën e energjisë dhe burimeve të rinovueshme, mjedisin duke përfshirë menaxhimin e ujit dhe mbetjeve, si dhe ndryshimet klimatike.