BE për Bashkitë: Rinovimi, nismat rinore dhe energjia e gjelbër në një program

Një djalë 8-vjeçar që projekton një ndërtesë qyteti në laptop është një pamje e zakonshme në Njësinë e Inovacionit dhe Kulturës në Mat, një qytet i vogël në veri të Shqipërisë. Me një interes të madh për dizajnin dhe lëvizjen e objekteve, djali i vogël është një ndër 200 fëmijët e moshës 6-14 vjeç, të cilët kanë ndjekur kurse për robotikë, dizajn dhe kodim.

“Fëmijëve u pëlqejnë lojërat si ‘Super Mario’, pasi iu ngjallin interesin. Këtu ata mësojnë se si t'i programojnë këto lojëra, kuptojnë se si funksionojnë robotët, madje projektojnë ndërtesa ashtu siç i përfytyrojnë ata. Ndonjëherë kemi frikë nga teknologjia, por kjo është ana e ndritshme: fëmijët mësojnë se si ta përdorin atë në mënyrën më të mirë, të jenë kreativë, të mësojnë si t’i përmirësojnë aftësitë e tyre dhe ta shijojnë atë sikur të ishte një lojë”, shpjegon Elson Reçi, koordinator i ICTe –Mat (Inovacion dhe Kulturë për të Fuqizuar Matin), një projekt i qendrës rinore.

Që nga fillimi i saj, kurset e qendrës kanë ngjallur interes dhe kanë tërhequr 80 nxënës të rinj që javën e parë. Pas një muaji, në to u regjistruan edhe fëmijë nga qytetet e afërta, të etur për të mësuar më shumë mbi botën e algoritmeve, dizajnin 3D dhe teknologjitë e së ardhmes. “Ne kemi një lloj laboratori të vogël, por në të ardhmen mund të kemi mësime më të avancuara”, thotë Reçi, i cili e konsideron këtë qendër një minierë ari për ndikimin e saj te fëmijët.

mat

Pallati i Kulturës “Shefqet Doda” në Burrel, që mban emrin e dirigjentit të parë nga Mati, është rinovuar dhe shndërruar në një qendër inovacioni me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit “BE për Bashkitë”. Ndërtesa, tashmë e pajisur me salla baleti dhe muzike, një galeri arti, si dhe një sallë konferencash, është një nga 24 ndërtesat publike të rinovuara në 19 bashki si pjesë e programit.

“BE për Bashkitë” është një nismë shumësektoriale që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, modernizimin e infrastrukturës vendore, mbrojtjen e mjedisit, energjinë e gjelbër dhe promovimin e rinisë, sportit dhe kulturës. “Programi erdhi si një zhvillim i natyrshëm për fazën ku ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit evropian. Bashkitë krijojnë dhe menaxhojnë hapësira dhe shërbime publike që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. Bashkitë, si nivel vendor i qeverisjes, zbatojnë deri në 70% të legjislacionit të BE-së dhe për këtë arsye kanë një rol të rëndësishëm në përthithjen e granteve, si dhe standardet e shërbimeve të BE-së”, shpjegon Elton Stafa nga programi “BE për Bashkitë” në Shqipëri.

mat

Me 1.7 milionë Euro mbështetje financiare për 19 bashki, janë hapur apo përmirësuar 68 shërbime publike, nga të cilat kanë përfituar 49.000 qytetarë, përfshirë 32.000 të rinj. Projektet u përzgjodhën përmes një thirrjeje të hapur dhe konsultimit me komunitetet vendore për të trajtuar nevojat e tyre. Nga Shkodra në veri deri në Gjirokastër në jug, investimet u përqendruan në objekte dhe nisma të ndryshme, duke përfshirë qendrat rinore në Përmet, Lushnjë, Tropojë, Rrogozhinë dhe Mat; mjediset sportive në Skrapar dhe Pukë; një pikë turistike informacioni në Shëngjin; një çati të gjelbër dhe një serë edukative në Tiranë; një qendër kulturore për fëmijë në Patos; si dhe këndet e lojërave komunitare në Klos dhe Rrëshen.

Projekte të tjera të rëndësishme përfshijnë një shkollë në Kuçovë, një qendër multifunksionale për grupet e margjinalizuara në Fushë-Arrëz, tri godina arsimore në Berat, qendrat e inovacionit në Mat dhe Pukë, një qendër komunitare multifunksionale në Shkodër dhe një treg për zanatet tradicionale rome në Gjirokastër. Në Kavajë janë instaluar panele diellore, ndërsa janë promovuar politikat e gjelbra përmes projekteve si zbatimi i sistemeve të ndarjes së mbetjeve në 25 shkolla në Kamëz, duke përfshirë 752 nxënës në nisma miqësore me mjedisin dhe duke zgjeruar hapësirat e gjelbra përreth objekteve.

Kjo qasje multisektoriale jo vetëm që ka synuar fusha të ndryshme, por ka përfshirë edhe komunitete të ndryshme, duke promovuar gjithëpërfshirjen dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët. Tregu për zanatet tradicionale rome është një shembull i rëndësishëm.

“Në Shkodër, një shkollë e vjetër veterinare është rijetësuar në qendrën multifunksionale për fëmijë “Xixëllonja” me shërbime shëndetësore, një kopsht fëmijësh, një kënd lojërash dhe një çerdhe – e para në zonë. Në Berat, Qendra e Shërbimit Arsimor e rikonstruktuar është bërë një vend ku mësuesit, prindërit dhe komuniteti mund të angazhohen në trajnime dhe diskutime. Mbështetja e shtuar e Drejtorisë Arsimore për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre shënon një hap të rëndësishëm përpara”, thekson Elton Stafa.

xixellonja

Lorena Bardelli nga Bashkia e Shkodrës nënvizon se si “Xixëllonja” e ka transformuar lagjen, duke krijuar një qendër të re kulturore e sociale. Marius Qytyku, Drejtor i Drejtorisë së Integrimit Evropian dhe Projekteve në Bashkinë e Beratit, vëren se ndërhyrjet e Qendrës së Shërbimit Arsimor i kanë afruar më shumë vendimmarrësit, mësuesit, prindërit dhe nxënësit.

Duke kombinuar përmirësimet e infrastrukturës me nismat e reja, kujdesin social dhe fuqizimin e të rinjve, programi “BE për Bashkitë” e ndihmon shoqërinë të përparojë. Në të njëjtën kohë, fëmijët nxënë aftësi ndërdisiplinore si mekatronika dhe programimi, duke i përgatitur ata për të ardhmen teksa i gëzohen së tashmes.

 

INFORMACION  PLOTËSUES

“BE për Bashkitë” është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, i cili synon nxitjen e potencialit zhvillimor të bashkive dhe përmirësimin e kushteve socio-ekonomike dhe mjedisore të komuniteteve vendore në Shqipëri. Ai mbështet zhvillimin e infrastrukturës vendore duke ofruar shërbime publike më të mira dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik vendor. Gjithashtu, një nga objektivat e projektit është të mbështesë proceset strategjike dhe t'u mundësojë aktorëve të qeverisjes vendore të mobilizojnë burimet për të zbatuar planet dhe strategjitë e tyre, duke i dhënë përparësi zhvillimit të komuniteteve vendore, përmirësimit të qeverisjes dhe, rrjedhimisht, cilësinë e jetës së qytetarëve. Ky program zbatohet bashkërisht me NALAS, Co-PLAN dhe Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.