BE akordon grante me vlerë €1.2 milion për shoqërinë civile për të nxitur punësimin gjithëpërfshirës dhe zhvillimin e aftësive për grupet në nevojë në Shqipëri.

Sot, Bashkimi Evropian (BE) dhe UNDP në Shqipëri prezantuan 12 projekte të zbatuara nga 12 organizata të shoqërisë civile (OSHC) për të përmirësuar shërbimet e punësimit dhe zhvillimin e aftësive për grupet në nevojë në 19 bashki në Shqipëri.
Të financuara në kuadër të projektit BE për Përfshirjen në Tregun e Punës (EU4LMI), këto grante synojnë të rrisin punësimin dhe zhvillimin e aftësive për grupet që nuk janë në punësim, arsim ose trajnim (NEET), nënat e reja, komunitetet rome dhe egjiptiane, personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e ndihmës ekonomike.
Ceremonia, e mbajtur në Shkollën Teknike Profesionale në Korçë, tregon një angazhim të përbashkët për zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës dhe akses të barabartë në punë të denjë për të gjithë shqiptarët. Në ceremoni morën pjesë Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Randi Davis dhe Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.
“Me këto grante të financuara nga BE-ja, ne po e kthejmë politikën në praktikë, duke ofruar mundësi reale për njerëzit në rrezik përjashtimi për të fituar aftësi, për të gjetur punë, si dhe për të ndërtuar jetë më të mira. Kjo nismë është pjesë e një programi më të gjerë ndihme të BE-së, prej 70 milionë eurosh, për përfshirjen sociale në Shqipëri, duke mbështetur Qeverinë për të çuar përpara reformat në sektorin social dhe për t'u përafruar me kërkesat e anëtarësimit në BE, veçanërisht me Kapitullin 19 mbi politikën sociale dhe punësimin. Sepse integrimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me përafrimin e ligjeve, por edhe me ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse, ku askush nuk lihet pas”, tha Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.
“UNDP-ja është krenare për partneritetin me Bashkimin Evropian në këtë ndërhyrje strategjike”, tha Randi Davis, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Shqipëri. “Këto projekte do t’i fuqizojnë grupet vulnerabël me akses më të mirë në tregun e punës.”
Skema e granteve prej 1.2 milionë euro, që koordinohet në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) në Shqipëri, do të ofrojë shërbime sipas nevojave gjatë 16 muajve të ardhshëm duke u fokuasuar në tre drejtime: Këshillim Intensiv për Punësim; Trajnim për Aftësi Bazë; Punësim me Mbështetje dhe Zhvillimi i Aftësive për Personat me Aftësi të Kufizuara.
EU4LMI, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga UNDP-ja në Shqipëri në partneritet me Shërbimin Publik të Punësimit Suedez dhe Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, promovon rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse përmes bashkëpunimit me AKPA-n, ministritë e linjës, shërbimet sociale shtetërore, bashkitë dhe OSHC-të.
Informacion mbi grantet:
- Këshillim Intensiv për Punësim. Gjashtë organizata do të ofrojnë mbështetje të personalizuar:
- Tjetër Vizion (Elbasan), me Bashkinë e Elbasanit dhe CIES Onlus: Menaxhimi i Integruar i Rastit (MIR) për të kaluar punëkërkuesit vulnerabël nga ndihma ekonomike drejt punësueshmërisë. Synimi: 100 përfitues.
- Iniciativa për Ndryshim Social – ARSIS (Korçë): Orientim për karrierën, mentorim dhe mundësi për praktikë pune për të rritur punësueshmërinë. Synimi: 80 përfitues.
- Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë (Durrës, Kavajë, Vlorë, Mallakastër): Këshillim intensiv, zhvillim të aftësive, shërbime sociale të integruara dhe mentorim për integrimin në tregun e punës. Synimi: 200 përfitues.
- Lëvizja e të Rinjve Romë dhe Egjiptianë (LRER) (Elbasan): Këshillim dhe referime te shërbimet sociale në nivel vendor për integrimin në tregun e punës. Synimi: 60 përfitues.
- Terre des Hommes (Kukës, Kurbin, Krujë): Formimi profesional, këshillim, ndërmjetësim dhe gjetje e një pune dhe mentorim. Synimi: 200 përfitues.
- Fondacioni Joscelyn (Elbasan, Cërrik, Librazhd, Prrenjas) me Bashkinë e Elbasanit: Kombinojnë arsimin formal/joformal, trajnimin dhe shërbimet sociale të përshtatura për të rinjtë në nevojë. Synimi: 160 përfitues.
- Trajnim për Aftësi Bazë. Tre përfitues të granteve do të përmirësojnë aftësitë e shkrim-leximit, aftësitë numerike dhe ato digjitale:
- COSV (Pogradec, Korçë), me Bashkinë e Pogradecit: Trajnim për aftësi bazë digjitale, shkrim-leximin dhe aftësi numerike, si edhe orientim në karrierë, trajnim profesional dhe mentorim për individë të papunë afatgjatë. Synimi: 60 përfitues.
- Save the Children (Elbasan, Cërrik, Librazhd, Prrenjas): Aftësi për jetën, shkrim-lexim, mentorim, referime punësimi dhe menaxhim i integruar i rasteve. Synimi: 207 përfitues.
- Qendra për Aftësi Konkurruese (Tiranë, Shkodër), me Bashkinë e Tiranës: Mësim i kombinuar në aftësitë bazë, mbështetje psikosociale dhe rrugëtim drejt arsimimit ose punësimit të mëtejshëm. Synimi: 200 përfitues.
- Punësimi i Mbështetur dhe Zhvillimi i Aftësive për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Tre organizata do të promovojnë shërbime gjithëpërfshirëse të punësimit:
- Instituti për Promovimin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik (IPSED) (Gjirokastër) dhe Qendra Equilibrium: Model i punësimit me mbështetje me këshillim pune, zhvillim aftësish, përshtatshmëri me një punë, trajnim në vendin e punës dhe integrim në shërbimet në nivel bashkie. Synimi: 75 përfitues.
- Shoqata Kombëtare Shqiptare e personave që nuk dëgjojnë (Shkodër, Tiranë, Kamëz, Vorë) dhe Qendra për Studime Krahasuese dhe Ndërkombëtare: Mentorim dhe trajnim profesional i përshtatur për të rinjtë që nuk dëgjojnë. Synimi: 100 përfitues.
- Qendra Xhonatan (Tiranë, Shijak) dhe Nevoja të Veçanta Shqipëri: Punësim gjithëpërfshirës përmes mbështetjes së strukturuar, trajnimit profesional dhe këshillimit në punë. Synimi: 80 përfitues.