Komisioneri Várhelyi udhëton në Ballkanin Perëndimor pas mbërritjes së vaksinave të para të financuara nga BE-ja

30.04.2021

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme, ndërsa vaksinat e para COVID-19, të shpërndara dhe të financuara nga Bashkimi Evropian, mbërrijnë në rajon.

Siç është njoftuar nga Komisioni Evropian dhe Austria më 20 prill, gjithsej 651,000 doza BioNTech / Pfizer do të dorëzohen në rajon me transhe javore që nga fillimi i majit deri në gusht. Këto vaksina do të ndihmojnë për të përshpejtuar fushatat e vaksinimit, si dhe për të siguruar që të vaksinohen të gjithë punonjësit mjekësorë të vijës së parë dhe disa nga grupet më të prekshme.

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi tha: “Unë do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor për të dhënë një mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Ne kujdesemi për partnerët tanë, si dhe për punonjësit e tyre të kujdesit shëndetësor dhe grupet më të prekshme. Dorëzimi i vaksinave konfirmon angazhimin tonë të vazhdueshëm për të siguruar mbështetje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Së bashku jemi më të fortë!"

Vaksinat financohen nga paketa 70 milionë euro e miratuar nga Komisioni në dhjetor 2020 për të ndihmuar mbulimin e kostos së vaksinave të siguruara në bazë të marrëveshjeve paraprake të BE-së për blerje për partnerët e Ballkanit Perëndimor. Austria ka lehtësuar ndarjen e këtyre vaksinave të financuara nga BE-ja përmes marrëveshjeve ligjore me prodhuesin dhe secilin partner të Ballkanit Perëndimor. Shpërndarja e përgjithshme midis vendeve bazohet në nevojat epidemiologjike. Këto vaksina u shtohen atyre të siguruara nga COVAX, ku BE-ja është një nga kontribuesit kryesorë, me afërsisht 2.5 miliardë euro nga Ekipi Evropa (BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj).

Komisioneri Várhelyi do ta nisë vizitën e tij në rajon të hënën pasdite në Serbi, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të martën, më pas në Shqipëri dhe Kosovë të mërkurën. Gjatë qëndrimit në rajon, ai do të diskutojë me autoritetet për përgjigjen ndaj pandemisë, si dhe për mbështetjen e BE-së në këtë kontekst.

BE-ja ka vepruar me vendosmëri që nga fillimi i krizës, duke mobilizuar një paketë shumë të madhe prej 3.3 miliardë eurosh për ta ndihmuar rajonin të trajtojë krizën e menjëhershme shëndetësore, të zbutë ndikimin socio-ekonomik dhe të sigurojë rimëkëmbjen afatgjatë.

Përmes kësaj pakete janë dorëzuar për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor pajisje jetike të tilla si maska, ventilatorë, ambulanca, komplete testimi dhe ngrirës. Janë mundësuar masa të forta për zbutjen e krizës socio-ekonomike. Paketa tani do të nxisë edhe fushatat e vaksinimit. Kjo është një shprehje e qartë e solidaritetit evropian me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, e ardhmja e të cilave është qartazi në BE.

Së fundi, në tetor, Komisioni propozoi një Plan Ekonomik dhe të Investimeve që mund të mobilizojë deri në 28 miliardë euro në grante, garanci dhe kredi preferenciale, për të nxitur rimëkëmbjen afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe konvergjencën me BE-në.

Për më shumë informacion

Reagimi Global ndaj Koronavirusit

Skedë informative mbi mbështetjen e BE-së për Ballkanin Perëndimor në përgjigje ndaj koronavirusit