Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në konferencën "Luftimi i antigjipsizmit: Një perspektivë largpamëse në Shqipëri"

Tirana, Albania, 08/04/2021 - 16:13, UNIQUE ID: 210408_26
Speeches of the Ambassador

 

I dashur Zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, z. Nikolla,

I dashur Zëvendësshef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, z. Dekovi,

I dashur z. Afflerbach,

Përfaqësues të autoriteteve shqiptare dhe partnerë të shoqërisë civile,

Zonja dhe zotërinj,

 

Për mua personalisht është shumë e rëndësishme që të bashkohemi çdo vit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, për të festuar historinë dhe kulturën e romëve në të gjithë botën dhe në Shqipëri.

Me këtë rast, dua të sjell një mesazh miqësie dhe mbështetjeje - në emër të Bashkimit Evropian - për miqtë tanë romë dhe egjiptianë.

Për fat të keq, çdo vit duhet t’i kujtojmë vetes kushtet e vështira të jetesës me të cilat përballen romët dhe egjiptianët në Shqipëri, ku pabarazitë tashmë ekzistuese janë shtuar edhe më shumë nga pandemia.

COVID 19 ka sjellë gjithashtu një rritje të dokumentuar të diskriminimit të rrënjosur thellë kundër këtij komuniteti në të gjithë Evropën.

BE-ja dënon të gjitha format e stigmatizimit, “anticiganizmin”, të cilat janë në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe kundër parimeve themelore të demokracisë.

Prandaj jam i kënaqur që marsin e kaluar Këshilli i BE-së miratoi një sërë Rekomandimesh mbi barazinë, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve, ndërsa tetorin e kaluar Kuadrin e ri Strategjik të BE-së për Romët 2020-2030.

Ato do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë te Shtetet Anëtare të BE-së. Por ne u bëjmë thirrje qeverive të vendeve partnere, madje edhe më shumë vendeve që duhet të bëhen Shtete Anëtare të BE-së, që t’i përdorin këto mjete për të përditësuar politikat kombëtare.

BE-ja e pranon që anticiganizmi është shkak kryesor për përjashtimin socio-ekonomik. Ndaj lufta kundër anticiganizmit dhe diskriminimit është një element kyç i strategjisë së re.

Kapërcimi i diskriminimit dhe përjashtimit të romëve nuk është një detyrë e lehtë: ajo kërkon një angazhim afatgjatë dhe një qasje gjithëpërfshirëse nga qeveritë, me mbështetjen e institucioneve të pavarura (siç është Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi), si dhe angazhimin aktiv të shoqërisë civile.

Falë angazhimit të qeverive të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes nëntorin e kaluar, dosja e përfshirjes së romëve po fiton një hov të ri edhe në Shqipëri.

Në të ardhmen e afërt Shqipërisë do t’i kërkohet të përafrohet në mënyrë progresive me politika shumë më ambicioze të përfshirjes së romëve.

Është gjithashtu e rëndësishme që të caktohet staf dhe burime të mjaftueshme, si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë vendor, për të siguruar zbatimin dhe monitorimin e duhur të politikave të përfshirjes së romëve.

Që nga viti 2014, BE-ja ka investuar mbi 80 milionë euro për integrimin e romëve në Ballkanin Perëndimor. Dhe ne do të vazhdojmë të sigurojmë mbështetje për shtimin e përpjekjeve për të ndihmuar për përafrimin e veprimeve në Shqipëri me politikat e përfshirjes së romëve në BE.

Është thelbësore që projektet e synuara të financuara nga BE-ja të hartohen me përfshirjen e komunitetit rom dhe OSHC-ve të drejtuara nga romët që nga fillimi. Pjesëmarrja dhe përgjegjësia janë çelësi i suksesit.

Është gjithashtu thelbësore që masat antidiskriminuese të përfshihen në të gjitha politikat dhe programet përkatëse. Kjo do të përfshijë edhe ato programe për të cilat do të bihet dakord në kuadrin e ciklit tonë të ardhshëm financiar në kuadrin e programit IPA III.

Dëshiroj ta përmbyll duke njohur përpjekjet e rëndësishme të organizatave të shoqërisë civile, të cilat çdo ditë promovojnë përfshirjen sociale, antidiskriminimin, si dhe ofrojnë shërbime për qytetarët më të prekshëm në Shqipëri.

Roli i shoqërisë civile është thelbësor për të luftuar anticiganizmin, për t’i kërkuar llogari qeverisë për sa i përket përpjekjeve të integrimit, si dhe për të propozuar dhe për të vënë në provë zgjidhje të reja.

Për rolin që luan në zhvillimin demokratik të Shqipërisë, BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë shoqërinë civile dhe në veçanti, OShC-të rome.

Uroj një Ditë Ndërkombëtare të Romëve të shkëlqyer dhe të barabartë për të gjithë!

Languages:
Seksionet editoriale: