Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Bashkimi Evropian dhe UNICEF kanë nisur një program në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi për të zbutur ndikimin e COVID-19-ës në jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre

Tirana, Albania, 01/04/2021 - 13:05, UNIQUE ID: 210401_25
Press releases

Sot, Bashkimi Evropian dhe UNICEF-i njoftuan nisjen e një programi prej 5 milionë eurosh për të lehtësuar ndikimin e COVID-19-ës te fëmijët dhe familjet e shtresave të cenueshme në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi. Përpjekjet e partneritetit do të ofrojnë akses më të mirë të shërbimeve publike për rreth 490000 fëmijë dhe për prindërit e tyre, duke promovuar kështu zhvillimin në fëmijërinë e hershme, arsimimin, shëndetin, dhe mbrojtjen si pjesë e rimëkëmbjes nga COVID-19.

Drejtoresha Rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore, Znj. Afshan Khan, u shpreh “Në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, bashkëpunimi i UNICEF-it me Bashkimin Evropian ka si synim mbrojtjen e të drejtës së fëmijëve për arsimim, shëndetësi, dhe mbrojtje si dhe garantimin e shpërndarjes së këtyre shërbimeve nga sistemi kombëtar në mënyrë të barabartë, gjithëpërfshirëse dhe që të jetë në gjendje të përmbushë nevojat e fëmijëve dhe prindërve të shtresave të cenueshme. Duke parë periudhën e rimëkëmbjes nga kriza COVID-19, ky program synon të kontribuojë në ndërtimin e sistemeve më ripërtëritëse në këto vende.”

“Nuk mundemi t’ia lejojmë vetes një brez COVID-i. Me anë të këtij programi jemi duke ndihmuar për të ofruar akses të vazhdueshëm në shërbimet thelbësore të kujdesit ndaj fëmijëve për gati gjysmë milioni fëmijë dhe prindër. Kjo do të përfshijë ofrimin e mjeteve digjitale dhe ofrimin e përmbajtjeve digjitale cilësore për familjet në zonat e largëta, mbështetjen e vazhdimit të shërbimeve shëndetësore dhe ushqimore, si dhe përmirësimin e Shërbimeve të Zhvillimit në fëmijërinë e hershme. Kjo është pjesë e përpjekjeve më të gjera të BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në reagimin e tyre ndaj pandemisë dhe për të zvogëluar ndikimin e saj në grupet më të cenueshme," u shpreh Genoveva Ruiz Calavera, Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor, në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit.

Programi shumë-sektorial BE-UNICEF do të forcojë përpjekjet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë *, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Turqi me qëllim përmirësimin e aksesit ndaj shërbimeve kryesore, prezantimin e llojeve të reja të mbështetjes për fëmijët dhe familjet dhe rritjen e kapaciteteve të punëtorëve të vijës së parë në të gjithë sektorët.

* Ky emërtim nuk paragjykon pozicionet mbi statusin dhe është në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me Opinionin e GJND-së për deklaratën e pavarësisë së Kosovës

Financimi i programit është pjesë e paketës së ndihmës së BE-së për Ballkanin Perëndimor në përgjigje të COVID-19-ës, që, aktualisht, tejkalon 3.3 miliardë euro. “Team Europe” gjithashtu ka dhënë një kontribut prej 2.2 miliardë euro për COVAX-in, duke përfshirë edhe fondin prej 1 miliardë eurosh.

Falë kontributit të BE-së, UNICEF-i në Shqipëri do të vazhdojë të mbështesë qeverinë për të forcuar vazhdimësinë e shërbimeve thelbësore të shëndetit dhe të të ushqyerit, duke përfshirë kapacitetin e profesionistëve të shërbimeve shëndetësore për ofrimin e këtyre shërbimeve; rreth 1,100 fëmijë do të jenë në gjendje të marrin shërbime të specializuara mbrojtjeje, duke përfshirë mbështetjen e pandërprerë për shëndetin mendor dhe psiko-emocional gjatë dhe pas periudhës së COVID-19-ës; shërbimet e linjave telefonikë që ofrojnë ndihmë për fëmijët do të jenë në gjendje të menaxhojnë rreth 85,000 telefonata në dy vjet dhe mësuesit e sistemit parashkollorë do të kuptojnë më mirë dhe vënë në jetë metodologjinë e arsimit gjithëpërfshirës për moshën parashkollore.

 

Historiku

Që prej nisjes së pandemisë, UNICEF-i ka punuar për lehtësimin e ndikimit të pandemisë në jetët e fëmijëve dhe familjeve të tyre duke mbështetur qeveritë në shpërndarjen e mjeteve mjekësore dhe materialeve për mbrojtjen personale të punonjësve të kujdesit shëndetësor; duke siguruar mjete thelbësore të higjienës personale për shkollat dhe duke zbatuar të nxënit në distancë për fëmijët, duke përfshirë edhe parashkollorët; duke u ofruar familjeve këshillim rreth të ushqyerit, gjidhënies, dhe prindërimit; duke vënë në dispozicion shërbime të shëndetit mendor dhe të mbështetjes psikologjike të bazuara në komunitet; dhe duke siguruar asistencë sociale për fëmijët e shtresave më të cenueshme.   

Paketa totale e ndihmës së BE-së për Ballkanin Perëndimor, në përgjigje të COVID-19-ës, aktualisht, tejkalon 3.3 miliardë €. Kjo përfshin mbështetje të menjëhershme për pajisje, mbështetje afatmesme dhe afatgjatë për sistemet shëndetësore dhe për bizneset përmes bankave lokale, ndihmë makro-financiare në formën e kredive përmes paketës së reagimit të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), mbështetje për zbatimin e programit të vaksinave në bashkëpunim me OBSH-në, si dhe mbështetje për grupet e cenueshme, duke përfshirë romët, gratë (në veçanti, të mbijetuarat e dhunës), fëmijët, të kthyerit, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Përveç kësaj mbështetjeje financiare, BE-ja ka mundësuar gjithashtu që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen me Marrëveshjen e Blerjes së Përbashkët të BE-së për të blerë kundërmasa mjekësore dhe për t'u bashkuar me Komitetin e Sigurimit Shëndetësor të BE-së si vëzhgues. 

 

Languages:
Seksionet editoriale: