Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Deklaratë e përbashkët për shtyp pas takimit të 11-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe Shqipërisë

Brussels, 01/03/2021 - 15:05, UNIQUE ID: 210301_15
Press releases

Këshilli i Stabilizimit dhe Asociimit (Këshilli i SA-së) mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbajti takimin e tij të njëmbëdhjetë, më 1 mars 2021, në Bruksel.


Këshilli i SA-së njohu sfidat e jashtëzakonshme që i është dashur të përballojë Shqipërisë për shkak të tërmetit shkatërrimtar në vitin 2019, të amplifikuara nga sfidat unike që burojnë nga pandemia COVID-19. Në këtë kontekst, Këshilli i SA-së kujtoi mbështetjen e pashembullt që BE-ja i ka ofruar Shqipërisë dhe rajonit më të gjerë, me 1.15 miliardë euro mbështetje të donatorëve të mobilizuar nga BE-ja për rimëkëmbjen nga tërmeti dhe me mbështetjen e BE-së për zbutjen e pasojave të pandemisë. Kjo e fundit përfshin mbështetje shëndetësore dhe ekonomike në një total prej 3.3 miliardë euro për rajonin deri më tani, përfshirë për Shqipërinë 4 milionë euro për pajisje mjekësore urgjente, mbi 46 milionë euro për mbështetje social-ekonomike dhe një hua prej 180 milionë euro për ndihmë makro-financiare. Përveç kësaj, Plani Ekonomik dhe i Investimeve i nisur për rajonin, përcakton një paketë të konsiderueshme investimesh deri në 9 miliardë euro dhe garanci që synojnë të mobilizojnë deri në 20 miliardë euro për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.


Këshilli i SA-së mirëpriti vendimin historik nga Këshilli i Bashkimit Evropian në mars 2020 për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë. Këshilli i SA-së vuri në dukje pozitivisht Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2020, i cili vlerësonte se Shqipëria i ka rritur përpjekjet e saj dhe ka dhënë rezultate të mëtejshme, të prekshme dhe të qëndrueshme, në fushat kyçe të identifikuara në Konkluzionet e Këshillit.


Këshilli i SA-së pret me padurim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare (IGC), sa më shpejt që të jetë e mundur pas miratimit të Kornizës Negociuese, si dhe në përputhje me kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, siç përcaktohet në konkluzionet e Këshillit të 25 marsit 2020.


Këshilli i SA-së vuri në dukje dhe rishikoi përparimin në fushat e reformave, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe gjyqësorin, respektimin e të drejtave themelore, administratën publike, politikën ekonomike, arsimin dhe punësimin, ndërlidhjen dhe agjendën e gjelbër. Këshilli i SA-së vlerësoi vendosmërinë e Shqipërisë për ndjekjen e agjendës së reformave të saj të BE-së. Theks i veçantë iu dha procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (“procesi i vetingut”), si dhe Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të cilat kanë rifilluar funksionimin. Këshilli i SA-së vuri pozitivisht në dukje se organet e reja të specializuara të Shqipërisë për të luftuar antikorrupsionin dhe krimin e organizuar kanë filluar të veprojnë. U diskutua gjithashtu përparimi në zbatimin e planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF) për luftën kundër pastrimit të parave. Këshilli i SA-së theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të reformës, veçanërisht në lidhje me emërimet e gjyqtarëve dhe hetuesve, si dhe shqyrtimin e vazhdueshëm të çështjeve në pritje dhe forcimin e mëtejshëm të historikut të zbatimit të ligjit.


Këshilli i SA-së vuri në dukje përparimin e bërë në përgatitjet praktike për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë drejtim, Këshilli i SA-së ra dakord mbi nevojën për ndjekje të mëtejshme në të gjitha aspektet që mbulohen nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias në lidhje me zgjedhjet e ardhshme. Dialogu konstruktiv dhe gjithëpërfshirës midis partive politike dhe bashkëpunimi në parlamentin e Shqipërisë do të jenë thelbësore për përparimin e mëtejshëm me reformat dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE.


Këshilli i SA-së vuri në dukje se periudha kalimtare e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit përfundoi më 31 mars 2019 dhe se që nga 1 prilli 2019, Shqipëria asociiohet kështu plotësisht me BE-në.
Këshilli i SA-së nënvizoi gjithashtu përafrimin e vazhdueshëm 100% të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke pranuar se kjo jep një sinjal të fortë të orientimit strategjik të Shqipërisë dhe angazhimit për qëllimin e saj të anëtarësimit në BE, si dhe shërben si një shembull pozitiv për të gjithë rajonin.


Takimi u drejtua nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë / Zëvendëspresidenti i Komisionit, z. Josep Borrell. Delegacioni shqiptar drejtohej nga kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama. Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Olivér Várhelyi, përfaqësoi Komisionin Evropian.

Languages:
Seksionet editoriale: