Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Angazhimi për Transparencën dhe Përgjegjësinë: Portali i Transparencës #EU4Schools ofron përditësime në kohë reale për rindërtimin e objekteve arsimore

Tirana, Albania, 27/01/2021 - 14:10, UNIQUE ID: 210127_11
Press releases

Tiranë, 27 janar 2021 - Portali i Transparencës #EU4Schools nga sot është i hapur për të gjithë. Portali siguron transparencë dhe informacion në kohë reale në lidhje me rindërtimin dhe riparimin e 58 objekteve arsimore që u shkatërruan nga tërmeti i vitit 2019 që goditi Shqipërinë.

“Programi #EU4Schools mishëron një nga vlerat kryesore të Bashkimit Evropian: solidaritetin. Për ne, është thelbësore që donacionet e BE-së të arrijnë te njerëzit dhe të plotësojnë nevojat e tyre. Portali – botuar sot nga UNDP-ja - ofron transparencë, ushqen besimin dhe ndihmon komunitetet, median, si dhe publikun e gjerë për të parë se si e përmirësojnë jetën e njerëzve fondet e BE-së”, tha Ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

Portali i Transparencës është krijuar për të shërbyer si një kanal komunikimi me përfituesit e Programit #EU4Schools dhe me publikun në përgjithësi dhe kontribuon për ndërtimin e një kulture të shkëmbimit të informacionit dhe hapjes.

“Transparenca është themeli i punës sonë. Ky portal e çon angazhimin e #EU4Schools për të dhëna të hapura dhe transparencë në një nivel të ri. Kjo mundëson qasje të hapur, gjithëpërfshirëse të publikut në procesin e rindërtimit dhe ndihmon në krijimin e besimit me përfituesit dhe publikun në përgjithësi. Unë i ftoj të gjithë ta vizitojnë, ta përdorin dhe të thonë fjalën e tyre”, tha Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së Limya Eltayeb.

Të gjitha informacionet lidhur me Programin #​​EU4Schools organizohen në të dhëna të qarta dhe të arritshme, të strukturuara përmes lundrimit dhe vetëm disa klikime larg publikut. Informacioni përbëhet nga disa kategori:

  • Emri dhe vendndodhja gjeografike e objekteve arsimore që po riparohen apo rindërtohen si pjesë e Programit #EU4Schools.

  • Bashkitë/ njësitë e administratës ku ndodhen objektet arsimore.

  • Kategorizimi i punimeve: riparime apo rindërtime.

  • Tipologjia e institucionit arsimor, nga çerdhet te shkolla e mesme dhe konviktet.

  • Të dhëna gjithëpërfshirëse për numrin e nxënësve, fëmijëve, mësuesve dhe anëtarëve të komunitetit që përfitojnë nga programi.

  • Numri i klasave, laboratorëve dhe mjediseve sportive për secilin objekt arsimor.

  • Vlera e kontratës për secilin objekt arsimor, si dhe ndërtimi dhe mbikëqyrja, kompanitë e kontraktuara për të zbatuar dhe mbikëqyrur punimet.

  • Infografika dhe të dhëna të tjera të përditësuara të programit.

 

 

Portali i Transparencës pasqyron dy parime të rëndësishme themelore të Programit #EU4Schools:

  • Rindërtojmë së bashku, që përfshin konsultime të gjera dhe gjithëpërfshirëse me përfituesit e programit dhe komunitetet për “Shkollën që Dua” (#SchoolIWant). Procesi i konsultimit kontribuoi, dhe do të vazhdojë të kontribuojë, për përmirësimin dhe finalizimin e projekteve teknike për objektet arsimore mes gjithë anëtarëve të komunitetit.

  • Ndërtojmë më mirë, që synon të ndërtojë objekte arsimore të përshtatshme për një të ardhme dinamike. Kështu, që të gjitha objektet arsimore do të jenë në përputhje me standardet më të mira evropiane, duke u përqendruar në pesë fusha, të tilla si: (i) ndërtesa më të forta - bazuar te standardet Eurocode 8, (ii) qasje e lartë - për të mbështetur qasjen për personat me aftësi të kufizuara, (iii) ndërtesa miqësore me energjinë dhe mjedisin - të gjitha pajisjet do të jenë në përputhje me standardet më të mira që synojnë të rrisin efikasitetin e energjisë dhe të jenë miqësore me mjedisin, (iv) zgjidhje digjitale dhe teknologji - do të projektohen dhe instalohen pajisje, dhe (v) shëndeti dhe siguria - të gjitha objektet do të kenë pajisjet e nevojshme për të siguruar shëndetin dhe sigurinë e gjithë personelit dhe fëmijëve, si dhe hapësira të dedikuara për shërbime socio-psikologjike.

I përditësuar rregullisht, ndërsa procesi i rindërtimit vazhdon, Portali i Transparencës u mundëson përfituesve të drejtpërdrejtë të programit ta ndjekin procesin hap pas hapi. Programi #EU4Schools, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i vënë në zbatim nga UNDP-ja, mbështet Shqipërinë për të zvogëluar humbjet sociale dhe ekonomike, si dhe për të përshpejtuar procesin e rimëkëmbjes përmes riparimeve dhe rindërtimit të objekteve arsimore pas tërmetit të vitit 2019. 20.000 fëmijë shkollash dhe kopshtesh, si dhe më shumë se 200.000 anëtarë të komunitetit, do të përfitojnë nga Programi #EU4Schools.

Languages:
Seksionet editoriale: