Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në eventin përmbyllës të Projektit të Binjakëzimit "Përmirësimi i përafrimit të Bankës së Shqipërisë me Acquis të BE-së"

Tirana, Albania, 18/01/2021 - 12:34, UNIQUE ID: 210118_10
Speeches of the Ambassador

I dashur Guvernator Sejko,

I dashur Zëvendësguvernator i Banca D’Italia, z. Franco

Te dashur kolegë,

Kam kënaqësi të marr pjesë në veprimtarinë përmbyllëse të Projektit të Binjakëzimit të financuar nga BE-ja për “Përmirësimin e përafrimit të Bankës së Shqipërisë me acquis të BE-së”.

Këto janë kohëra të jashtëzakonshme dhe shpresoj që ju dhe familjet tuaja të jeni mirë, pavarësisht pandemisë COVID-19.

Pandemia paraqet një sfidë të paprecedent për Shqipërinë për sa i përket rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar. Unë jam i bindur se mbështetja e konsiderueshme evropiane, në formën e (1) 26 milionë eurove për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike, (2) 70 milionë eurove për të mbështetur përfshirjen sociale dhe (3) miratimi i një Plani Ekonomik dhe të Investimeve për rajonin, do ta ndihmojë vendin që të zbusë ndikimin negativ të krizës.

Disburimi i 180 milionë eurove të Asistencës Makro-Financiare të miratuar me BE-në do të lehtësojë gjithashtu nevojat e jashtme të financimit.

Kjo paketë reagimi demonstron solidaritetin dhe përkushtimin e vendosur të Bashkimit Evropian ndaj rajonit.

Bankat Qendrore luajnë një rol kyç në kapërcimin e recesionit të thellë që rezulton nga COVID-i. Bankat Qendrore janë dhe mbeten aktorët qendrorë të çdo politike makroekonomike, një pikë e theksuar fort gjatë krizës financiare, më shumë se 10 vjet më parë.

Ne i mirëpresim masat e përkohshme të vendosura nga Banka e Shqipërisë dhe e përgëzojmë Guvernatorin Sejko për veprimin e tij.

 

Këto masa kanë ndihmuar:

  • Së pari, për ta mbajtur likuiditetin lart dhe bankat të qëndrueshme deri më tani,

  • Së dyti, kanë rritur kapacitetet e tij operative për të garantuar furnizim të mjaftueshëm me para për ekonominë dhe;

  • Së treti, kanë lehtësuar pagesat elektronike.

Sidoqoftë, ndikimi i plotë i krizës pandemike mbetet ende për t'u vlerësuar.

Është qetësues fakti që Banka Qendrore ruan një politikë monetare të kujdesshme dhe të qëndrueshme dhe garanton një mbikëqyrje të ngushtë të sistemit bankar.

Projekti i binjakëzimit i financuar nga BE-ja, që po e mbyllim sot, ka qenë mjaft i dobishëm për mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në këtë objektiv të përafrimit të mëtejshëm me acquis.

Unë e inkurajoj Bankën e Shqipërisë të ecë përpara me harmonizimin me acquis e BE-së mbi pavarësinë dhe përgjegjësinë e Bankës ndaj parlamentit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian të viteve të fundit.

Do të doja të falënderoja palët zbatuese të projektit - Bankat Qendrore të Italisë, Gjermanisë, Francës dhe Rumanisë - për sigurimin e ekspertizës teknike dhe bërjen të mundur të një përfundimi të suksesshëm të projektit.

Pavarësisht zbatimit të vështirë të projektit për shkak të pandemisë, ka pasur një bashkëpunim të frytshëm mes partnerëve zbatues dhe Bankës së Shqipërisë në forcimin e:

  • stabilitetit makroekonomik dhe financiar,

  • mbikëqyrjes bankare,

  • auditimit, dhe

  • sistemeve të pagesave.

Banka e Shqipërisë aktualisht po përfiton edhe nga një projekt rajonal IPA prej 2 milionë eurosh. Qëllimi i tij është të forcojë kapacitetet e bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor, me qëllim integrimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.

Binjakëzimi dhe projektet rajonale po e mbështesin në mënyrë të konsiderueshme zbatimin e rekomandimeve të politikave sipas Kapitullit 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare) të acquis dhe Udhëzimin e Përbashkët të Politikave mbi politikën monetare në kuadër të ushtrimit të Programit të Reformës Ekonomike.

Më lejoni ta përmbyll duke njoftuar se, duke pasur parasysh rezultatet shumë të mira të arritura nga ky binjakëzim, ne jemi të gatshëm të marrim në konsideratë përdorimin e instrumenteve tona teknike dhe financiare për ta vazhduar mbështetjen e Bankës së Shqipërisë - e cila duhet të vazhdojë të jetë një aktore thelbësore në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Faleminderit!

 

Languages:
Seksionet editoriale: