Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Soreca në nisje të fushatës për bujqësinë “Evropa është këtu” së bashku me çeljen e thirrjes së 3-të për aplikime në kuadër të programit IPARD

Tirana, Albania, 16/12/2020 - 14:48, UNIQUE ID: 201216_8
Speeches of the Ambassador

Zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i lumtur që jam këtu sot me Ministrin Çuçi, për të bërë tre njoftime të rëndësishme.

Së pari, po nisim fushatën "Evropa është këtu" për bujqësinë. Së dyti,  po çelim thirrjen e 3-të për aplikime në kuadrin e programit IPARD. Dhe së treti, po shpallim një thirrje të re për aplikime në sektorin e peshkimit.

Pothuajse 40% e popullatës shqiptare jeton në zonat rurale. Bujqësia gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë dhe identitetin e Shqipërisë. Edhe sot, sektori agroushqimor kontribuon në 20% të PBB-së dhe mbledh pothuajse gjysmën e fuqisë punëtore shqiptare.

Duke njohur rëndësinë e këtij sektori, Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion 100 milionë euro për të mbështetur modernizimin e bujqësisë shqiptare në dekadën e fundit.

Kjo madhësi e këtij investimi e kualifikon BE-në - deri tani - si mbështetësen më të madhe të sektorit agroushqimor shqiptar.

Kjo është ajo çka nënkuptojmë me "Evropa është këtu", fushata që nisëm korrikun e kaluar. Bashkimi Evropian është i pranishëm kudo në vend, duke përmirësuar jetën e përditshme të shqiptarëve dhe duke e përgatitur Shqipërinë për negociatat dhe pranimin.

Pasi u përqendrova te lidhshmëria dhe mjedisi muajt e fundit, jam i lumtur të nis sot fazën e tretë të fushatës, kushtuar bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Evropa është këtu për të investuar te fermerët dhe peshkatarët, për të mbështetur aspiratat e tyre.

Evropa është këtu për të zhvilluar një sektor të qëndrueshëm agroushqimor që respekton mjedisin.

Evropa është këtu në mënyrë që shqiptarët të shijojnë ushqimin e prodhuar me standarde evropiane edhe para se vendi të bëhet Shtet Anëtar.

Nuk është rastësi që jemi mbledhur në mjediset e një përfituesi të IPARD-it, pikërisht brenda një serre të ndërtuar me fondet e BE-së.

Në javët e ardhshme do të zbulojmë se si BE-ja po e ndryshon tashmë Shqipërinë duke:

modernizuar sektorin e bujqësisë;

përmirësuar bashkëpunimin mes ndërmarrjeve dhe fermave;

krijuar vende të reja pune, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë;

diversifikuar ekonomitë vendore dhe duke përmirësuar kushtet e jetesës në zonat rurale.

Programi IPARD, i cili financohet nga BE-ja dhe menaxhohet nga autoritetet shqiptare, vë në dispozicion 71 milionë euro si grante të drejtpërdrejta për të mbështetur investimet.

IPARD tashmë është një sukses i madh. Mbi 700 aplikime kanë marrë gjatë dy thirrjeve të para fonde të BE-së dhe një total prej 236 fermash tashmë kanë përfituar prej tyre. Unë pata rastin të vizitoj tri prej tyre sot.

Investimet e bëra tashmë përmes granteve tona po e ndihmojnë gjithashtu sektorin të kalojë krizën COVID-19.

Për këtë thirrje të tretë, dua t'u drejtohem drejtpërdrejt fermerëve, agrobizneseve dhe kompanive bujqësore: Ju inkurajoj fuqimisht që të jeni proaktivë dhe të shfrytëzoni mundësitë e hapura me fondet IPARD.

Nëse keni ide apo ëndrra për aktivitetin tuaj, tani është koha të shfrytëzoni rastin. Nëse doni ta përmirësoni, ta përtërini e zgjeroni fermën tuaj, kjo mundësi është unike. Keni kohë deri më 25 janar për të aplikuar.

 

Ndërsa jemi mbledhur këtu sot me ministrin, do të doja të flisja për një sektor tjetër që është i lidhur me bujqësinë - peshkimi - për të cilin bashkëpunojnë gjithashtu dy institucionet tona.

Këtë javë ne bëjmë thirrje për aplikime për të mbështetur sektorin e peshkimit në Shqipëri. Ne duam të:

gjenerojmë punësim,

të sigurojmë një standard të favorshëm jetese për komunitetin e peshkatarëve,

promovojmë mekanizmat e qeverisjes që shmangin mbipeshkimin dhe shfrytëzojnë burimet në mënyrë të qëndrueshme.

Qëllimi është sigurisht të zbatohen standardet dhe rregullat e Politikës së Përbashkët të Peshkimit të BE-së në Shqipëri. Siç mund ta shihni, Evropa është këtu edhe për peshkimin.

Zonja dhe Zotërinj, Ministër,

Dy vitet e fundit kam vizituar dhe shëtitur në shumë fshatra shqiptare me bukuri të jashtëzakonshme. Integrimi evropian i Shqipërisë do të ndodhë jo vetëm në qytete, por ai gjithashtu po transformon fshatin, ku ende rreh zemra e vendit.

Janë pikërisht ato fshatra që ne duam të ndihmojmë, të mbrojmë, të nxisim dhe të zhvillojmë. Fshatrat e fermerëve dhe peshkatarëve punëtorë, të traditave dhe historisë kulturore, ku mbrojtja e rrënjëve të Shqipërisë është thelbësore për të përcaktuar të ardhmen e saj.

Në këtë kërkim për të gjetur vendin e fshatit shqiptar në atë global, Evropa është këtu për të ndihmuar.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: