Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në Konferencën Kombëtare të Shoqërisë Civile

Tirana, Albania , 04/12/2020 - 13:03, UNIQUE ID: 201204_43
Press releases

Dëshiroj të falënderoj Qendrën Kombëtare të Burimeve dhe Partnerë Shqipëri për organizimin e kësaj Konference të Shoqërisë Civile. Kjo na mundëson të diskutojmë mbi rolin thelbësor të luajtur nga organizatat e shoqërisë civile në zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Vërej me kënaqësi se kaq shumë pjesëmarrës, më shumë se njëqind, po e ndjekin Konferencën në internet.

Roli i shoqërisë civile do të jetë gjithnjë e më i rëndësishëm në muajt dhe vitet e ardhshme, sapo të nisim negociatat e pranimit. Prandaj është thelbësore për ne të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin e OSHC-ve në Shqipëri.

OSHC-të promovojnë angazhimin civil dhe i japin zë pjesës më pak të dëgjuar të popullatës. Prandaj, përfshirja e tyre në politikëbërje është thelbësore, por aktualisht e pakënaqshme në Shqipëri.

Autoritetet publike duhet të sigurojnë pjesëmarrjen e shoqërisë civile në proceset e reformave, si në nivel kombëtar ashtu dhe në atë vendor, si dhe të krijojnë një mjedis të favorshëm për shoqërinë civile që të ushtrojë rolin e saj.

Ne jemi gjithashtu mjaft vetëdijshëm për sfidat ligjore dhe fiskale me të cilat përballen OSHC-të, si dhe vështirësitë e konsiderueshme financiare të krijuara nga pandemia e COVID-it.

Udhërrëfyesi për shoqërinë civile ofron një kornizë strategjike ambicioze, e cila, nëse zbatohet me efikasitet, mund të zgjidhë shumë çështje të hapura.

Në Raportin e tij të fundit të Progresit, Komisioni Evropian u detyrua të nënvizonte se “nuk është bërë përparim thelbësor për zbatimin e udhërrëfyesit për një mjedis mundësues për shoqërinë civile”. Kjo gjendje nuk është e pranueshme dhe duhet të përmirësohet.

Është kritike që udhërrëfyesi të zbatohet sipas planit të tij të veprimit. Vonimi apo shmangia nga objektivat e tij vetëm sa do të dëmtojë Shqipërinë, qytetarët e saj dhe efikasitetin e procesit të vendimmarrjes.

Ende nevojiten përpjekje të rëndësishme për të pasur procese efektive konsultimi me shoqërinë civile para se të miratohet legjislacioni. Kjo kërkohet në kuadrin ligjor shqiptar dhe është një kërkesë themelore e demokracive funksionale.

Konsultimet që nuk bëhen në mënyrë të qëndrueshme dhe koherente, veçanërisht për temat më kritike dhe të ndjeshme, mund të rrezikojnë cilësinë e ligjeve të reja dhe hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit.

Jam i sigurt se një nga temat e fokusit të diskutimeve të sotme do të jetë projektligji për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse. Dua që ju ta dini se BE-ja po i ndjek me shumë vëmendje këto zhvillime. Është e rëndësishme që kjo pjesë kyçe e legjislacionit të jetë në përputhje me konventat dhe standardet ndërkombëtare dhe t'i përgjigjet nevojave specifike të shoqërisë civile shqiptare.

Ka edhe fusha të tjera kritike ku nevojiten përmirësime - për shembull, në fushën e vullnetarizmit, i cili duhet të promovohet dhe të lehtësohet me çdo kusht, në vend që të pengohet.

Puna e organizatave të shoqërisë civile nga zonat jourbane gjithashtu duhet të forcohet. Ato kanë më pak gjasa të përfitojnë nga fondet e donatorëve dhe janë më pak të pajisura për të mbrojtur interesin e zonës së tyre elektorale. Përmirësimi i kapacitetit dhe vizibilitetit të tyre është thelbësor.

Më lejoni ta mbyll duke ju siguruar që shoqëria civile shqiptare ka një aleat të fortë te Bashkimi Evropian dhe Delegacioni i BE-së. Më vjen mirë që mbështetja jonë financiare po ndihmon konkretisht për trajtimin e sfidave që përmenda. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë krah për krah me ju.

Në të njëjtën kohë, i nxisim me forcë institucionet, që nga ekzekutivi deri te dega e legjislativit, nga niveli vendor tek ai qendror, të tregojnë vullnet politik dhe të rrisin në mënyrë të konsiderueshme përkushtimin e tyre konkret për t'u angazhuar sistematikisht me shoqërinë civile – ashtu siç bën çdo demokraci moderne.

Pres të dëgjoj nga panelistët e tjerë mbi demokracinë dhe shoqërinë civile.

Ju uroj një diskutim të suksesshëm!

Languages:
Seksionet editoriale: