Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në Forumin e 6-të Vjetor te Zhvillimit të Medieve i OSBE-së

Tirana, Albania, 19/11/2020 - 10:52, UNIQUE ID: 201119_6
Speeches of the Ambassador

I dashur Ambasador Del Monaco,

Të dashur përfaqësues të medieve,

Zonja dhe zotërinj,

 

Po mblidhemi në një kontekst të vështirë. COVID-19 e ka bërë më të vështirë rrugën drejt së vërtetës përballë lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit. Me valët e pandemisë, erdhën valë të reja dezinformimi që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme.

Në këto rrethana, gazetaria me cilësi të mirë është më e rëndësishme se kurrë për demokracitë në të gjithë botën.

Në diskutimet tona të kaluara mbi situatën e medias në Shqipëri unë kam theksuar dy karakteristika kryesore që përcaktojnë gazetarinë e mirë: ndjenjën e detyrës në zbulimin e keqbërjeve dhe ndjenjën e përgjegjësisë në raportimin e plotë të fakteve. Të dyja bëhen edhe më thelbësore në kohë krizash.

Kam parë gazetarë që raportonin nga Durrësi apo Laçi, ndërsa toka ende dridhej dhe të tjerë që bënin intervista brenda spitaleve COVID-19. Ekspozimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, degradimit të mjedisit, abuzimit me fonde publike apo denoncimi i rasteve të abuzimit me sigurinë ushqimore është po aq heroik për mua.

Viti që ka kaluar që nga Forumi i fundit i Medieve nuk ka qenë i lehtë për gazetarët. Në raportin e vitit 2020 për Shqipërinë të botuar muajin e kaluar, Komisioni theksoi shqetësimet e tij serioze se Shqipëria nuk ka bërë përparim në fushën e lirisë së shprehjes.

Komisioni raportoi raste të dhunës policore ndaj gazetarëve në kontekstin e demonstratave. Ai bëri thirrje për tolerancë zero ndaj frikësimit, kërcënimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve dhe medias, përfshirë në diskursin politik.

Për më tepër, Këshilli nënvizoi se ndryshimi i ligjit për median në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbetet një përparësi e rëndësishme.

Në këtë drejtim, mbledhja jonë sot është platforma më e mirë për t’i inkurajuar autoritetet shqiptare, si njësitë kryesore përgjegjëse për krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e medias, që të përdorin çdo mundësi për të vendosur dialog me aktorët e medias.

Është koha për të ndjekur procesin e konsultimit me komunitetin e medias mbi draftin e ndryshimeve në lidhje me ligjin për median, duke marrë parasysh ekspertizën e aktorëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurohet një ndikim pozitiv i paketës legjislative mbi lirinë e shprehjes.

BE-ja nuk është këtu vetëm për të vlerësuar situatën, por edhe për të dhënë mbështetjen e vet të fortë për lirinë e shprehjes. Përpjekjet korrigjuese dhe veprimet pozitive që kanë të bëjnë me politikat janë njëra anë e medaljes. Ana tjetër ishte të rrisim ndihmën tonë financiare për mediet shqiptare në një kohë të vështirë.

BE-ja po i ndihmon organizatat vendore të medieve dhe shoqatat e gazetarëve për të forcuar kapacitetet e tyre. Në kontekstin e këtij programi, ne kemi dhënë tetë nën-grante për organizatat e medias, përfshirë pesë që nga fillimi i krizës së COVID-it.

Ndërkohë, po vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me OSBE-në në mbështetje të transmetuesit publik për të dhënë programe të reja dhe shkollës së gazetarisë për të përgatitur brezin e ri të reporterëve shqiptarë. Do të doja të mirëprisja kolegun tonë të ri, Ambasadorin Del Monaco. Shpresoj të punoj ngushtësisht me ju për këto çështje.

Me synimin për të mbështetur gazetarinë e pavarur investigative, ne tani po fillojmë një program të ri për të rritur kulturën e raportimit të pavarur dhe të bazuar në fakte në Shqipëri. Ne po vendosim 750.000 euro në këtë përpjekje, duke e bërë atë një nga mbështetjet më të mëdha për gazetarinë e pavarur në vend.

Jam krenar të njoftoj sot cilët janë përfituesit e kësaj mbështetjeje.

Së pari, Top Channel, me qëllim forcimin e raportimit investigativ dhe të thelluar mbi korrupsionin;

Pastaj BIRN Albania. Ata do të përdorin analizën e të dhënave për të prodhuar histori të thelluara mbi tema që janë veçanërisht të rëndësishme për qytetarët, siç janë shëndeti, puna dhe të drejtat e konsumatorëve, siguria e ushqimit dhe ilaçeve, si dhe mbrojtja e mjedisit;

Dhe së fundi, Era Film, e cila do të prodhojë një seri gazetarie investiguese mbi çështjet kryesore të agjendës së reformave të Shqipërisë lidhur me BE-në.

Jam krenar që në vitet e kaluara e kemi rritur ndjeshëm mbështetjen tonë për lirinë e medias në Shqipëri, si politikisht ashtu edhe financiarisht. Arsyeja prapa këtij angazhimi është e qartë dhe e thjeshtë - ne duam të sigurohemi që zërat e demokracisë të dëgjohen dhe që shtyllat e pluralizmit të qëndrojnë të forta.

Faleminderit!

 

Languages:
Seksionet editoriale: