Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Ambasadori i BE-së Soreca prezanton Agjendën e Gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe fushatën “Evropa është këtu” për mjedisin

Tirana, Albania, 19/10/2020 - 15:35, UNIQUE ID: 201019_13
Press releases

Kukës, 19 tetor 2020 - Ambasadori i BE-së Luigi Soreca prezantoi sot fazën e dytë të fushatës së komunikimit “Evropa është këtu” kushtuar Agjendës së Gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor, mjedisin dhe ndryshimin klimatik.

Marrëveshja e Gjelbër Evropiane është një plan ambicioz dhe gjithëpërfshirës për ta shndërruar Bashkimin Evropian në një ekonomi moderne, me burime të efektshme dhe konkurruese. Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor do të sigurojë ndihmë të mëtejshme, për shembull, për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe strategjive për cilësinë e ajrit.

Nën moton “Evropa është këtu”, fushata gjashtëmujore e nisur në korrik, informon qytetarët në lidhje me ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë, veçanërisht në sektorë kryesorë si infrastruktura / transporti, mjedisi dhe bujqësia. Veprimtaria për prezantimin e fazës së dytë të fushatës “Evropa është këtu” u zhvillua në Kukës, në prani të autoriteteve vendore, organizatave mjedisore, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe medias.

Në fjalën e tij Ambasadori i BE-së Soreca tha: “Angazhimi i BE-së për të mbrojtur mjedisin tonë bazohet në një fakt të thjeshtë: përfitimet nga mbrojtja e ekosistemeve e tejkalojnë shumë koston e degradimit të tyre. Nga Brukseli në Kukës, nga Marrëveshja e Gjelbër e BE-së te ndihma jonë për Shqipërinë, Bashkimi Evropian po punon për të njëjtat përparësi. Gjatë 10 viteve të fundit, si donatori më i madh në Shqipëri, BE-ja ka dhuruar 210 milionë euro për ta mbështetur Shqipërinë për rritjen e standardeve të saj mjedisore. “Evropa është këtu”, sepse BE-ja është tashmë e pranishme kudo në vend, duke përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe duke i sjellë standardet më pranë atyre të BE-së”.

Fushata “Evropa është këtu” për mjedisin do të shpjegojë javët e ardhshme se si BE-ja po e ndryshon tashmë Shqipërinë përmes angazhimit të saj me ndotjen e ajrit, përdorimin e pesticideve, trajtimin e mbetjeve, cilësinë e lumenjve dhe biodiversitetin.

Bashkimi Evropian po investon në Kukës përmes projekteve të tij ndërkufitare për mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e turizmit, menaxhimin e ujit si dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike përmes investimeve publike inteligjente dhe zhvillimit të kapaciteteve. Ambasadori i BE-së theksoi peizazhin e pasur natyror dhe biodiversitetin e rajonit si një bazë e shkëlqyer për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe kërcënimin nga mbeturinat dhe ndotja. Ai gjithashtu njoftoi për 30 milionë euro të tjera ndihmë financiare të BE-së për mjedisin dhe ndryshimin klimatik (2021), duke përfshirë investimet në strukturat e integruara të menaxhimit të mbetjevedo të përshpejtojnë ekonominë qarkulluese.

Për më shumë informacion mbi ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë, ju lutemi vizitoni www.euprojects.al. Platforma mbledh informacion mbi projektet e kaluara dhe ato në vazhdim të financuara nga BE-ja. Për secilin projekt, faqja në internet ofron informacion në lidhje me partnerët zbatues, përfituesit, objektivat, veprimet dhe rezultatet e pritshme, në një mënyrë plotësisht transparente. Baza e të dhënave ka një ndërfaqe miqësore për përdoruesit dhe funksioni i kërkimit mundëson kërkimin e projekteve sipas sektorit apo çdo fjale kyç.

 

Fakte dhe shifra mbi mbështetjen e BE-së për sektorin e mjedisit në Shqipëri

  • 210 milionë euro kontribute nga BE-ja për sektorin e rrugëve në 10 vitet e fundit.

  • BE-ja do të vazhdojë të investojë për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimit klimatik në Shqipëri me një shumë prej 30 milionë euro duke filluar nga viti 2021.

  • BE-ja po financon projektin Via Dinarica mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit për të ardhmen e turizmit me afërsisht 450.000 euro, projektin Kukës-Gjakovë për Ujë të Pastër me 1.2 milionë euro, si dhe projektin Kryqi i Gjelbër drejt ekonomive vendore të gjelbra me investime inteligjente me 500.000 euro.

 

 Për fjalimin e Ambasadorit të BE-së Soreca klikoni këtu

Languages:
Seksionet editoriale: