Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjala e Ambasadorit Soreca në Konferencën e Nivelit të Lartë “Forcimi i integritetit dhe lufta kundër korrupsionit: Arritjet më të fundit”

Tirana, Albania, 13/10/2020 - 11:13, UNIQUE ID: 201013_4
Speeches of the Ambassador

I dashur Kryeministër,

Ministër,

Të dashur kolegë,

 

Para një jave, Komisioni Evropian miratoi Paketën e Zgjerimit, duke përfshirë Raportin Vjetor për Shqipërinë. Në të njëjtën ditë, GRECO publikoi shtojcën e tij të raportit të pajtueshmërisë 2018.

Ato ofrojnë një mundësi për të bërë një hap pas, për të reflektuar mbi përparimin e bërë dhe për të diskutuar rrugën e ardhshme në lidhje me luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Ne e mirëpresim raportin e GRECO-s, i cili tregon progres që nga korriku 2018 dhe përputhet me vlerësimin e Komisionit për shumicën e gjetjeve.

Kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, Komisioni mendon se Shqipëria ka “njëfarë niveli përgatitjeje” për të hyrë në Bashkimin Evropian. Kjo është gjuha jonë teknike për të thënë që Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë.

Vitin e kaluar, Shqipëria ka vazhduar përpjekjet e saj për të përmirësuar historikun në lidhje me hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit. Sidomos, kemi parë një numër dënimesh të zyrtarëve të rangut të ulët dhe të mesëm.

Është e panevojshme të thuhet se reforma në drejtësi dhe veçanërisht vetingu kontribuojnë drejtpërdrejt në luftën kundër korrupsionit. Nga më shumë se 286 magjistratë që iu nënshtruan vetingut, deri tani 62% janë shkarkuar nga detyra, kryesisht për pasuri të pajustifikuara, ose kanë dhënë dorëheqjen. Procesi i vetingut dhe rezultatet e tij mbeten thelbësore në luftën kundër korrupsionit dhe për të rivendosur besimin e publikut te gjyqësori dhe organet e zbatimit të ligjit të Shtetit.

Vitin e kaluar, kemi parë progres të madh në krijimin e institucioneve të reformës në drejtësi. U emërua Prokurori i ri i Përgjithshëm dhe u krijua SPAK-u. Kryeprokurori i Posaçëm u emërua në dhjetor 2019. Me 13 nga 15 prokurorë të posaçëm në detyrë, Prokuroria e Posaçme është plotësisht funksionale. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit u emërua gjithashtu nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe komisioni i përzgjedhjes, teksa flasim, po zgjedh hetuesit e kësaj njësie prestigjioze.

Roli i ILDKPKI-së në zbulimin e konfliktit të interesit dhe kontrollimin e deklaratave të pasurisë është forcuar me miratimin e Ligjit për mbrojtjen e sinjalizimit dhe sinjalizuesve. Dhe, siç përcaktohet nga GRECO, ne jemi në pritje që deklaratat online të pasurive dhe sistemi i kontrollit të jenë në faqen e internetit të ILDKPKI-së në janar 2021. Jam i lumtur që BE, SHBA dhe Këshilli i Evropës kanë krijuar partneritet për të mbështetur këtë zhvillim.

 

Pasi u tha e gjithë kjo, gjendja e përgjithshme është që korrupsioni mbetet i përhapur në Shqipëri dhe është ende një shqetësim serioz për BE-në dhe Shtetet tona Anëtare.

Ai kërkon përpjekje të mëtejshme të strukturuara dhe të qëndrueshme. Dënimet përfundimtare në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten shumë të ulëta. Kjo është diçka që fatkeqësisht e kemi vlerësuar në të gjitha raportet tona të mëparshme. Siç kemi parë në një numër vendesh të tjera - përfshirë edhe në Bashkimin Evropian - keni nevojë për këto dënime të nivelit të lartë që shoqëria të kuptojë se askush nuk është mbi ligjin.

Për këtë, ne shpresojmë shumë se SPAK dhe Gjykatat SPAK do ta forcojnë ndjeshëm kapacitetin për të hetuar, ndjekur penalisht dhe nxjerrë dënime përfundimtare në rastet e korrupsionit. Është premtuese, për shembull, që kanë nisur hetimet kundër 23 magjistratëve të shkualifikuar nga vetingu, përfshirë 9 nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.

Së fundmi, në luftën kundër pastrimit të parave - e cila është një temë e lidhur ngushtë e monitoruar gjithashtu nga Këshilli i Evropës (MONEYVAL) - raporti ynë vjetor gjithashtu kërkon veprime të mëtejshme. Në atë front, është thelbësore që të gjitha rekomandimet e Planit të Veprimit të rëna dakord me Task Forcën e Veprimit Financiar të zbatohen në kohën e duhur. Ne e dimë që janë ndërmarrë hapa pozitivë por përpjekjet duhet të vazhdojnë.

Kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, Bashkimi Evropian është një nga partnerët më të fortë të Shqipërisë. Që nga ndërhyrja e parë e madhe për të luftuar korrupsionin në vitin 2009, BE-ja ka investuar mbi 20 milionë euro në këtë sektor. Kjo përfshin mbështetje të drejtpërdrejtë për institucionet përmes Binjakëzimeve, një kontratë e reformës sektoriale dhe bashkëpunim me Këshillin e Evropës përmes programit “Horizontal Facility”. Jam krenar që mbështesim gjithashtu drejtpërdrejt organizatat e shoqërisë civile që punojnë në terren në të gjithë vendin.

Këto ndërhyrje kanë kontribuar direkt ose indirekt në arritjen e rekomandimeve të GRECO-s që po diskutohen sot. Projektet e financuara nga BE-ja kanë kontribuar për futjen e një kornize rregullatore mbi lobimin dhe përmirësimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike. EURALIUS ka qenë gjithashtu i dobishëm për sigurimin e funksionimit efikas të institucioneve të reja.

Për vitet e ardhshme, kemi identifikuar tashmë mbështetjen e re në kuadrin e një kontratë të reformës në sektorin e Qeverisjes së Mirë, si dhe më shumë mundësi që shoqëria civile të kontribuojë nga ana e saj.

 

Zonja dhe zotërinj,

Për të përfunduar, Komisioni pajtohet me konkluzionet e GRECO-s se është bërë përparim. Ne po presim gjithashtu raportin e raundit të 5-të të vlerësimit të GRECO-s.

Korrupsioni gërryen besimin tek institucionet publike dhe demokracia, pengon investimet e huaja, u kushton taksapaguesve miliona në një kohë krize ekonomike dhe financiare dhe në shumë raste ndihmon krimin e organizuar të bëjnë punën e tij të ndyrë.

Lufta kundër korrupsionit është një përpjekje e gjithë shoqërisë, ajo do të fitohet vetëm nëse të gjithë janë në bord: qeveria, shoqëria civile, akademikët, media, me pak fjalë, shoqëria në tërësi. Nuk ka asnjë zgjidhje të vetme të përcaktuar për këtë problem. Ai duhet luftuar nga kënde të ndryshme në të njëjtën kohë, me vullnet të qartë politik dhe një kornizë të fortë institucionale. Për të synuar një ndryshim më të thellë kulturor drejt një shoqërie që vlerëson plotësisht ndershmërinë dhe integritetin.

Languages:
Seksionet editoriale: