Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në Takimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian

Tirana, Albania, 08/10/2020 - 17:49, UNIQUE ID: 201008_14
Speeches of the Ambassador

I nderuar Kryetar dhe bashkëkryetarë,

Të nderuar anëtarë,

 

Të martën, Komisioni miratoi Paketën e Zgjerimit, përfshirë Raportin Vjetor për Shqipërinë.

Siç e dini, Raporti Vjetor ofron një vlerësim rigoroz që tregon rrugën e ardhshme, duke nënvizuar atë që është arritur dhe ku ka ende punë për të bërë.

Raporti bazohet në një gamë shumë të gjerë të kontributeve nga ekspertët tanë, autoritetet, shoqëria civile, komuniteti i biznesit dhe natyrisht nga Shtetet tona Anëtare.

Kjo pikë e fundit është shumë e rëndësishme. Me metodologjinë e përmirësuar të zgjerimit, Shtetet Anëtare janë përfshirë më shumë në përgatitjen e raportit. Rekomandimet dhe udhëzimet për hapat e ardhshëm janë gjithashtu më të qarta.

Raporti i këtij viti ka një rëndësi specifike. Kur Këshilli vendosi të hapë negociatat e pranimit marsin e kaluar, ai ngarkoi Komisionin me monitorimin e çështjeve që do të trajtoheshin përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare. Raporti i shërben gjithashtu edhe këtij qëllimi.

 

Pa hyrë shumë në hollësi, më lejoni t'ju përshkruaj gjetjet tona më të rëndësishme:

 

Lidhur me kriteret politike:

Ka pasur një arritje të rëndësishme.

Në një kontekst të vështirë, shumica në pushtet dhe opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare ranë dakord për ta çuar përpara reformën zgjedhore. Më 5 qershor 2020, Këshilli Politik arriti një marrëveshje dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan nga Parlamenti duke përmbushur kështu një kusht për Konferencën e parë Ndërqeveritare.

Por dialogu politik duhet të përmirësohet:

Në këtë kontekst, është për të ardhur keq që ndryshimet e 30 korrikut në Kushtetutë dhe ndryshimet e 5 tetorit, u miratuan pa arritur një kompromis në Këshillin Politik para votimit.

 

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë:

Është fusha ku kemi parë më shumë progres gjatë vitit të kaluar, me zbatimin e reformës në drejtësi që vazhdon pa u ndalur.

Këshilli i Lartë Gjyqësor përfundoi zgjedhjen e tre kandidatëve për Gjykatën e Lartë.

Rezultati përfundimtar është që njëra nga dhomat e Gjykatës të funksionojë (kusht për Konferencën e parë Ndërqeveritare).

Është bërë përparim për rindërtimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo siguron bazën që Gjykata Kushtetuese të rifitojë funksionalitetin. Në dhjetor 2019, Gjykata kishte një gjyqtar në detyrë, tani ka katër anëtarë. Megjithatë, emërimi i gjyqtarëve shtesë mbetet thelbësor për të pasur një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale.

Prokurori i ri i Përgjithshëm u emërua për herë të parë bazuar në procedurat e vendosura nga reforma e fundit në drejtësi.

SPAK u krijua në vitin 2019 me emërimin e Kryeprokurorit të Posaçëm në dhjetor.

Prokuroria e Posaçme është plotësisht në gjendje pune.

Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKI) gjithashtu është emëruar dhe ka nisur të kryejë funksionet e tij.

Vetingu ka ecur përpara: janë përpunuar 286 dosje, duke rezultuar me 62% shkarkime dhe dorëheqje.

 

Për luftën kundër korrupsionit,

Komisioni vlerëson se Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje.

Shqipëria ka vazhduar përpjekjet e saj për historikun e hetimeve, ndjekjes penale dhe gjykimit të çështjeve të korrupsionit. Përmes vetingut, një numër gjyqtarësh të rangut të lartë janë shkarkuar. Kemi parë gjithashtu një numër dënimesh të zyrtarëve të rangut të ulët apo të mesëm.

Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në Shqipëri dhe është një shqetësim serioz.

Ai kërkon përpjekje të mëtejshme, të strukturuara dhe të qëndrueshme. Dënimet përfundimtare në rastet ku përfshihen zyrtarë të nivelit të lartë mbeten shumë të ulëta.

Për këtë, kemi shumë shpresa që SPAK do ta forcojë ndjeshëm kapacitetin për ta hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin.

 

Për luftën kundër krimit të organizuar:

Shqipëria gjithashtu ka njëfarë niveli përgatitjeje.

Operacionet policore janë intensifikuar më shumë. Bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë, veçanërisht me Shtetet Anëtare të BE-së, gjithashtu është intensifikuar, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë.

Prokuroria e Posaçme është krijuar dhe është pajisur me një sërë mjetesh të rëndësishme hetimore.

Sidoqoftë, vendi ka nevojë për rritje të ndjekjeve penale dhe dënime përfundimtare, si dhe për trajtimin e çështjes së pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që burojnë nga krimet.

 

Lidhur me administratën publike:

Është vërejtur njëfarë progresi, Shqipëria është ende vetëm mesatarisht e përgatitur.

Administrata publike është motori për të zbatuar legjislacionin e BE-së dhe duhet forcuar seriozisht në funksion të negociatave të pranimit.

 

Lidhur me të drejtat themelore:

Ne kemi parë shumë përparim në anën legjislative, veçanërisht lidhur me strehimin social, të drejtat e fëmijëve dhe drejtësinë për të mitur. Megjithatë, zbatimi mbetet për t'u forcuar seriozisht.

Vazhdojnë përpjekjet për të konsoliduar të drejtat e pronësisë, por ato duhen forcuar, veçanërisht për të çuar përpara procesin e regjistrimit dhe kompensimit.

Për mbrojtjen e pakicave kombëtare, Shqipëria duhet të miratojë me shpejtësi aktet nënligjore të mbetura për Ligjin kornizë të vitit 2017 për pakicat.

 

Për lirinë e shprehjes. Kjo është fusha e vetme e raportit ku nuk kemi parë progres gjatë vitit të kaluar.

Në dhjetor 2019, Parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin e medias, mbi të cilat Komisioni i Venecias dha ​​një opinion.

Ndryshimet nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare dhe parimet e lirisë së medias, si dhe ngrenë shqetësime në lidhje me rritjen e censurës e vetëcensurës dhe pengesave të mundshme të lirisë së shprehjes në vend.

Raporti nënvizon gjithashtu kërcënimet dhe përdorimin e forcës nga policia ndaj gazetarëve që bëjnë punën e tyre.

 

Për migracionin dhe azilin:

Është parë njëfarë progresi në përmirësimin e kapacitetit institucional për menaxhimin e kufirit dhe azilit.

Shqipëria është e para nga vendet e Ballkanit Perëndimor ku Marrëveshja Status e Rojave Kufitare dhe Bregdetare Evropiane me BE-në ka hyrë në fuqi (maj 2019).

Operacionet e përbashkëta të Frontex-it gjithashtu kanë rezultuar të suksesshme në forcimin e kontrolleve kufitare, rritjen e sigurisë në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe luftën kundër kontrabandës së migrantëve.

Sidoqoftë, ndonëse numri i kërkesave të pabazuara për azil të paraqitura nga shtetas shqiptarë në Shtetet Anëtare të BE-së ka rënë, ai mbetet i lartë, tepër i lartë, dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme.

 

Pak fjalë tani për kriteret ekonomike:

Shqipëria ka bërë njëfarë progresi para COVID-19, me rënien e papunësisë në nivele rekord dhe rritjen e eksporteve në mënyrë solide.

Sidoqoftë, pandemia COVID-19 i ka përkeqësuar dobësitë strukturore të ekonomisë së Shqipërisë. Konkurrenca e Shqipërisë pengohet nga mungesa e ekspertizës sipërmarrëse dhe teknologjike, nga një hendek i konsiderueshëm i aftësive, nga institucionet e dobëta dhe nivelet e ulëta të investimeve, si dhe nga cilësia e infrastrukturës.

Një pikë e fundit dhe shumë e rëndësishme në raport, veçanërisht duke pasur parasysh zhvillimet e fundit: BE-ja dhe Shtetet Anëtare e mirëpresin faktin që Shqipëria ka vazhduar të përafrohet 100% me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurimit të BE-së.

Paketa e zgjerimit këtë vit përfshin një Plan Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin. Unë nuk do të hyj në hollësi, pasi Komisioneri Varhelyi e prezantoi dje në Parlament. Më lejoni të theksoj se ai i shtohet mbështetjes shumë të madhe financiare të dhënë nga Bashkimi Evropian për të trajtuar pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të pandemisë COVID-19.

Plani Ekonomik dhe i Investimeve do të mbështesë zbatimin e reformave dhe do ta sjellë rajonin më pranë Tregut Unik të BE-së.

Plani shoqërohet me një Agjendë të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, bazuar në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, e cila është një nga përparësitë më të mëdha të Komisionit për trajtimin e sfidës mjedisore, por edhe për mbështetjen e zhvillimeve ekonomike.

 

Zonja dhe zotërinj,

Komisioneri Varhelyi ishte shumë i qartë dje. Komisioni ka vlerësuar se Shqipëria i ka vazhduar përpjekjet e saj për reforma, të cilat duhet të vazhdojnë edhe në një periudhë parazgjedhore. Shqipëria tani është pranë përmbushjes së të gjitha kushteve që duhen plotësuar para Konferencës së parë Ndërqeveritare.

Diskutimet me Shtetet Anëtare në Këshill mbi draft kornizën e negociatave vazhdojnë. Shpresojmë që Konferenca e parë Ndërqeveritare të mund të thirret sa më shpejt që të jetë e mundur.

Faleminderit!

 

Languages:
Seksionet editoriale: