Delegation of the European Union to Albania

Koronavirusi: Miratohen tetë programe ndihme makro-financiare për të mbështetur partnerët e zgjerimit dhe fqinjësisë

Tirana, Albania, 11/08/2020 - 13:45, UNIQUE ID: 200811_14
Press releases

Sot, Komisioni, në emër të BE-së, miratoi Memorandume Mirëkuptimi (MM) për programet e Ndihmës Makro-financiare (NMF) me tetë partnerë. Marrëveshjet janë pjesë e paketës NMF prej 3 miliardë eurosh për tetë partnerë të zgjerimit dhe fqinjësisë , që synojnë t’i ndihmojë ata të kufizojnë pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit.

Zbatimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë i këtyre programeve është një demonstrim i rëndësishëm i solidaritetit të BE-së me këto vende në një kohë krize të pashembullt.

Memorandume Mirëkuptimi tashmë janë miratuar me Shqipërinë, Gjeorgjinë, Jordaninë, Kosovën, Moldavinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainën. Këto dokumente janë nënshkruar gjithashtu zyrtarisht me katër prej tyre: Kosovë, Moldavi, Maqedoni Veriore dhe Ukrainë. Bisedimet për memorandumet me dy vendet e mbetura - Bosnja dhe Hercegovina dhe Tunizia - janë në zhvillim e sipër.

Valdis Dombrovskis, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv për një ekonomi që punon për njerëzit, tha: "Mbështetja e fqinjëve tanë është thelbësore gjatë kësaj kohe krize për ta mbajtur të gjithë rajonin të qëndrueshëm. Si pjesë e përgjigjes globale të BE-së ndaj pandemisë së koronavirusit, ne po punojmë për t'i ndihmuar vendet tona fqinje të lehtësojnë më të keqen e ndikimit të saj ekonomik. Këto "programe NMF në kohë krize" do të ofrohen me kushte të favorshme në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar për reformat e ekonomisë në përputhje me qëllimet e qëndrueshme të BE-së. Ato i ndihmojnë ato vende, njerëzit dhe kompanitë e tyre për të mbuluar nevojat e financimit të jashtëm në periudhën 2020-21, duke pasur parasysh vështirësitë e tyre të veçanta në trajtimin e ndikimit ekonomik të pandemisë."

Paolo Gentiloni, Komisioner për Ekonominë, tha: "Pandemia COVID-19 nuk njeh kufij dhe ndikimet e saj të pashembullta ekonomike dhe sociale prekin vendet në mbarë botën. Partnerët tanë të zgjerimit dhe fqinjësisë janë prekur rëndë, dhe si Bashkim ne kemi forcën financiare për t'i ndihmuar ata të kufizojnë ndikimin negativ ekonomik të pandemisë. Komisioni, në emër të BE-së, po punon me dhjetë vende partnere për të mbështetur përpjekjet e tyre dhe për të zbatuar politika efektive ekonomike në një kohë krize të pashembullt. Tashmë janë arritur marrëveshje me tetë partnerë në një demonstrim të solidaritetit të BE-së."

MM-të parashikojnë veprime politikash për të cilat përfituesit angazhohen me qëllim që të marrin këstin e dytë të ndihmës. Miratimi dhe nënshkrimi i memorandumeve të mirëkuptimit është një hap i rëndësishëm drejt disbursimit të parë në kuadër të programeve, i cili është i kushtëzuar nga përmbushja e parakushteve politike, përfshirë respektimin e parimeve demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Vendet përfituese duhet të jenë gjithashtu përfitues të një programi ndihme financiare të FMN-së.

Për Shqipërinë, kushtet e politikave për programin e saj të NMF-së prej 180 milionë eurosh kanë të bëjnë me forcimin e financave publike dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, përmirësimin e qeverisjes dhe luftimin e korrupsionit, si dhe forcimin e mbrojtjes sociale.

Për Gjeorgjinë, kushtet e politikave për programin e saj të NMF-së prej 150 milionë eurosh kanë të bëjnë me forcimin e menaxhimit të financave publike, përmirësimin e qeverisjes, reformat në sektor dhe politikat e tregut të punës.

Për Jordaninë, veprimet e politikave për programet e saj të NMF-së prej 700 milionë eurosh janë më gjithëpërfshirëse, pasi ato mbulojnë dy operacione të NMF-së. Ato mbulojnë menaxhimin e financave publike, shërbimet publike, politikën sociale dhe të tregut të punës, si dhe qeverisjen.

Për Kosovën, kushtet e politikave për programin e saj të NMF-së prej 100 milionë Eurosh kanë të bëjnë me forcimin e financave publike dhe stabilitetit financiar, trajtimin e papunësisë së të rinjve dhe përmirësimin e qeverisjes së mirë, si dhe luftën kundër korrupsionit.

Për Moldavinë, kushtet e politikave për programin e saj të NMF-së prej 100 milionë eurosh kanë të bëjnë me forcimin e menaxhimit të financave publike, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe me përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Për Malin e Zi, kushtet e politikave për programin e tij të NMF-së prej 60 milionë eurosh kanë të bëjnë me forcimin e financave publike dhe luftën kundër korrupsionit, forcimin e stabilitetit financiar, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe reformimin e mbrojtjes sociale.

Për Maqedoninë e Veriut, kushtet e politikave për programin e saj të NMF-së prej 160 milionë eurosh kanë të bëjnë me forcimin e qeverisjes fiskale dhe transparencën, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e mbikëqyrjes së sektorit financiar, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe trajtimin e papunësisë së të rinjve.

Për Ukrainën, kushtet e politikave për programin e saj të NMF-së prej 1.2 miliardë eurosh janë më të mëdha dhe më gjithëpërfshirëse dhe kanë të bëjnë me forcimin e menaxhimit të financave publike, qeverisjen dhe sundimin e ligjit, reformën e gjyqësorit, konkurrencën në tregun e gazit, përmirësimin e klimës së biznesit dhe qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore.

Konteksti

NMF është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së me vendet fqinje dhe vendet e zgjerimit dhe nënkuptohet si një instrument i jashtëzakonshëm i BE-së për reagimin ndaj krizave. NMF është në dispozicion të vendeve të zgjerimit dhe atyre fqinje të BE-së që përjetojnë probleme të rënda të bilancit të pagesave. NMF demonstron solidaritetin e BE-së me këto vende dhe mbështetjen e politikave efektive në një kohë krize të pashembullt.

Vendimi për ofrimin e ndihmës makro-financiare për dhjetë partnerë të zgjerimit dhe fqinjësisë në kontekstin e pandemisë COVID-19 u propozua nga Komisioni më 22 prill dhe u miratua nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli më 25 maj 2020.

Përveç NMF-së, BE-ja i mbështet vendet fqinjë dhe Ballkanin Perëndimor edhe përmes disa instrumenteve të tjera, duke përfshirë ndihmën humanitare, mbështetjen e buxhetit, programet tematike, asistencën teknike, lehtësirat për ndërveprimin e sektorit privat me institucionet financiare dhe garancitë nga Fondi Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm për të mbështetur investimet në sektorët më të prekur nga pandemia e koronavirusit.

Për më shumë informacion

Koronavirusi: Komisioni propozon paketën prej 3 miliardë eurosh ndihmë makro-financiare për të mbështetur dhjetë vende fqinjë

Vendim i Parlamentit Evropian dhe i Këshillit për sigurimin e ndihmës makro‐financiare për partnerët e zgjerimit dhe fqinjësisë në kontekstin e pandemisë COVID‐19

Më shumë informacion mbi operacionet e kaluara të ndihmës makro-financiare

Languages:
Editorial Sections: