Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjala e Ambasadorit Soreca në nisjen e fushatës “Evropa është këtu”

Tirana, Albania , 15/07/2020 - 15:41, UNIQUE ID: 200715_16
Press releases

Zonja dhe zotërinj,

Mirë se erdhët në Vlorë për këtë konferencë virtuale për shtyp.

Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu me Dritanin, kryebashkiakun e një qyteti me të cilin Bashkimi Evropian ka një marrëdhënie të veçantë. Vetëm në 10 vitet e fundit, BE-ja ka investuar mbi 50 milionë Euro në Vlorë me rezultate të jashtëzakonshme.

LungoMare ishte një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Ai e rimodeloi tërësisht Vlorën, hapi bregdetin për pamje të mahnitshme, e bëri infrastrukturën miqësore me mjedisin dhe, mbi të gjitha, ndryshoi jetën dhe biznesin e shumë banorëve.

Tani ne po punojmë së bashku për një tjetër projekt të rëndësishëm: bypass-i i Vlorës. Sapo jemi kthyer nga një vizitë me kontraktorët dhe inxhinierët, dhe unë jam i lumtur që shoh se puna po përparon shumë shpejt.

Bypass-i do ta ndryshojë qytetin e Vlorës ashtu siç bëri LungoMare. Ne jemi krenarë të investojmë në një projekt që po përdor teknologjinë më të përparuar në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

Duhet të jemi të sinqertë, Dritan, nuk njoh asnjë person të vetëm që nuk është bllokuar në trafikun e verës në Vlorë! Ndaj, ky është një zhvillim emocionues dhe të gjithë në vend po flasin për të.

Por a e dinë të gjithë se është Bashkimi Evropian që po e financon bypass-in e Vlorës?

Shumica e njerëzve nuk e dinë këtë dhe për fat të keq kjo ndodh shpesh me mbështetjen tonë financiare.

Vetëm për rrugët, BE-ja ka investuar më shumë se 110 milionë Euro në 10 vitet e fundit, duke ofruar 700 km rrugë në të gjithë vendin.

Ka shumë të ngjarë që, çdo ditë dhe pa e ditur, ju udhëtoni në një rrugë që e ka financuar BE-ja. Kjo përfshin infrastruktura të mëdha si bypass-in e Rrogozhinës, por edhe kilometra rrugë rurale që kanë siguruar një qasje më të mirë në tregje, infrastrukturat shëndetësore dhe arsimore, si dhe kanë zvogëluar kohën e udhëtimit dhe koston e transportit.

Programi ynë për të përmirësuar rrugët dytësore e ka shkurtuar kohën e udhëtimit në zonat rurale me gati 40%.

Këtë nënkuptojmë me “Evropa është këtu", fushata që po nisim sot. Sigurisht, "Evropa është këtu", sepse Shqipëria është një vend evropian. Por, "Evropa është këtu", sepse BE-ja tashmë është e pranishme kudo në vend, duke përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe duke i afruar më shumë standardet me ato të BE-së.

"Evropa është këtu" si 61 yjet e BE-së në hartën shqiptare!

Bashkimi Evropian i jep mesatarisht 100 milionë Euro Shqipërisë çdo vit. Kjo do të thotë 1,5 miliardë - në grante të drejtpërdrejta - gjatë 15 viteve të fundit, duke mbuluar të gjithë sektorët e mundshëm: peshkimin, drejtësinë, sigurinë e ushqimit, antikorrupsionin, doganat, bujqësinë, arsimin dhe shumë më tepër.

Kjo e bën Bashkimin Evropian donatorin më të madh në Shqipëri.

Në 6 muajt e ardhshëm, ne do t'u japim vizibilitet ndryshimeve pozitive që kjo ndihmë financiare ndihmon për të arritur. Nga sot dhe deri në dhjetor, ne do të shqyrtojmë se si mbështetja jonë për Transportin /Infrastrukturën, Mjedisin dhe Bujqësinë e ka ndryshuar vendin.

Ne do ta përfundojmë fushatën më 15 dhjetor 2020, për 10-vjetorin e vendimit për t'u dhënë shqiptarëve udhëtimin pa viza në BE - një datë që mbetet zhvillimi më i rëndësishëm i BE-së për shumicën e shqiptarëve.

Ju ftoj tani të shikoni një prezantim të shkurtër të fushatës sonë.

Të dashur miq,

"Evropa është këtu", sepse më 25 mars të këtij viti, Bashkimi Evropian vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ndryshoi rrënjësisht atë ditë. Komisioni Evropian tashmë ka paraqitur kornizën e bisedimeve, e cila po diskutohet me Shtetet Anëtare deri në miratimin e saj nga Këshilli. Integrimi i vendit në BE nuk është më një aspiratë. Ai po ndodh konkretisht.

Ndihma jonë financiare bëhet edhe më e rëndësishme, pasi do të mbështesë ndryshimet e thella që vijnë nga negociatat e anëtarësimit.

Ekonomia do të duhet të modernizohet, sektorët e aktivitetit do të duhet të harmonizohen me standardet e BE-së, administrata e tyre do të duhet të reformohet thellësisht. Shqipëria nuk do të bëhet një vend i BE-së ditën e anëtarësimit; ajo po bëhet tashmë e tillë, përmes çdo hapi që e afron edhe më shumë me vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Dialogu ynë politik me Shqipërinë është njëra anë e këtij procesi; ana tjetër është mbështetja e pakrahasueshme financiare dhe investimi që BE-ja sjell në këtë vend, për një arsye shumë të thjeshtë: për të mbështetur një Shtet Anëtar të ardhshëm.

Transparenca zë një vend të rëndësishëm në vlerat e BE-së dhe përbën një parim të rëndësishëm të bashkëpunimit tonë me Shqipërinë. Kjo është arsyeja pse kemi krijuar një bazë të dhënash me projektet e përfunduara dhe ato në zbatim e sipër, të financuara nga BE-ja në Shqipëri.

Sot po zbulojmë për publikun faqen tonë në internet euprojects.al. Do të jetë një mjet i dobishëm për median, studiuesit, shoqërine civile dhe qytetarët për të gjetur informacion të detajuar mbi projektet tona. Për çdo projekt në këtë bazë të dhënash jepet informacion mbi partnerët zbatues, përfituesit, qëllimet, aktivitetet dhe rezultatet e pritshme.  

Shohim së bashku një video shpjeguese e cila na tregon më shumë për këtë faqe të re.

Languages:
Seksionet editoriale: