Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Këshilli arrin dakordësinë për heqjen e kufizimeve të udhëtimit për shtetasit rezidentët në disa vendeve të treta

Tirana, Albania , 30/06/2020 - 20:03, UNIQUE ID: 200701_17
Press releases

Këshilli miratoi sot rekomandimin për heqjen graduale të kufizimeve të përkohshme për udhëtimet jothelbësore drejt BE-së. Kufizimet e udhëtimit duhet të hiqen për vendet e përfshira në listën e paraqitur në rekomandim. Kjo listë do të rishikohet dhe, sipas rastit, do të përditësohet çdo dy javë.

Mbështetur në kriteret dhe kushtet e përcaktuara në rekomandim, duke nisur nga data 1 korrik, shtetet anëtare duhet të fillojnë heqjen e kufizimeve të udhëtimit, në kufijtë e jashtëm, për shtetasit rezidentë në vendet e treta të renditura më poshtë:

  • Algjeria

  • Australia

  • Kanadaja

  • Gjeorgjia

  • Japonia

  • Mali i Zi

  • Maroku

  • Zelanda e Re

  • Ruanda

  • Serbia

  • Koreja e Jugut

  • Tajlanda

  • Tunizia

  • Uruguaji

  • Kina, subjekt konfirmimit të reciprocitetit.

 

Shtetasit rezidentë në Andorra, Monako, San Marino dhe Vatikan duhet të konsiderohen si shtetas rezidentë në BE, për qëllimet e këtij rekomandimi.

Kriteret për përcaktimin e vendeve të treta për të cilat duhet të hiqen kufizimet aktuale të udhëtimit lidhen në veçanti situatën epidemiologjike dhe masat për kontrollimin e përhapjes së saj, përfshirë distancimin fizik, si dhe konsiderimet e aspektit ekonomik dhe social.

Në lidhje me situatën epidemiologjike, vendet e treta të përfshira në listë duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme, në veçanti:

  • Numri i rasteve të reja me COVID-19 gjatë 14 ditëve të fundit për 100 000 banorë pranë ose nën mesataren e BE-së (në nivelin e regjistruar më 15 qershor 2020);

  • Tendenca e qëndrueshme ose në rënie e rasteve të reja gjatë kësaj periudhe krahasuar me 14 ditët e mëparshme;

  • Reagimi i përgjithshëm ndaj COVID-19, duke marrë parasysh informacionin e disponueshëm, përfshirë edhe për aspekte të tilla si testimi, mbikëqyrja, gjurmimi i kontakteve, kontrollimi i përhapjes, trajtimi dhe raportimi, si dhe besueshmëria e informacionit dhe, nëse është e nevojshme, rezultati mesatar i përgjithshëm për Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR). Do të merret parasysh edhe informacioni i dhënë nga delegacionet e BE-së në lidhje me këto aspekte.

Gjithashtu, parimi i reciprocitetit duhet të merret parasyh rregullisht si edhe rast pas rasti.

Në rastin e vendeve për të cilat mbeten në fuqi kufizimet e udhëtimit, si Shqipëria, nga këto kufizime përjashtohen personat që klasifikohen në kategoritë e mëposhtme:

  • Shtetasit e BE-së dhe pjesëtarët e familjes;

  • Shtetasit rezidentë afatgjatë në BE dhe pjesëtarët e familjes;

  • Udhëtarët me një funksion apo nevojë thelbësore, të renditura në Rekomandim.

Shtetet e asociura në Shengen (Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia, Zvicra) marrin gjithashtu pjesë në këtë rekomandim.

 

Hapat në vijim

Rekomandimi i Këshillit nuk është një instrument me fuqi detyruese ligjore. Autoritetet e shteteve anëtare mbeten përgjegjëse për zbatimin e përmbajtjes së rekomandimit. Ato mundet që, në transparencë të plotë, t'i heqin kufizimet e udhëtimit, vetëm në mënyrë progresive, ndaj vendeve të përfshira në listë. Një shtet anëtar nuk duhet të vendosë të heqë kufizimet e udhëtimit për vendet e treta që nuk janë të përfshira në listë, nëse kjo nuk është vendosur më parë në mënyrë të koordinuar.

Lista e vendeve të treta duhet të rishikohet çdo dy javë dhe mund të përditësohet nga Këshilli, sipas rastit, pas konsultimit ngushtësisht me Komisionin dhe agjencitë e shërbimet përkatëse të BE-së, në vijim të një vlerësimi të përgjithshëm mbështetur në kriteret e mësipërme. Kufizimet e udhëtimit mund të hiqen plotësisht ose pjesërisht, apo të rivendosen për një vend të tretë specifik, të përfshirë në listë, në varësi të ndryshimeve në disa prej kushteve dhe, për rrjedhojë, në vlerësimin e situatës epidemiologjike. Në rast se situata e një vendi të tretë, të përfshirë në listë, përkeqësohet me shpejtësi, atëherë duhet të zbatohet një vendimmarrje e shpejtë.

 

Konteksti

Më 16 mars 2020, Komisioni miratoi një komunikatë ku rekomandohej kufizimi i përkohshëm për të gjitha udhëtimet jothelbësore nga vende të treta drejt BE-së, për një muaj. Më 17 maj, krerët e shteteve apo të qeverive të BE-së ranë dakord për zbatimin e këtij kufizimi. Kufizimi i udhëtimit u shty edhe me nga një muaj tjetër, përkatësisht më 8 prill 2020 dhe 8 maj 2020.

Më 11 qershor, Komisioni miratoi një komunikatë ku rekomandohej shtyrja e mëtejshme e kufizimit deri më 30 qershor 2020 dhe parashtrohej një qasje për heqjen graduale të kufizimit për udhëtimet jothelbësore drejt BE-së, duke nisur nga data 1 korrik 2020.

Që prej asaj kohe, midis shteteve anëtare janë zhvilluar diskutime në lidhje me kriteret dhe metodologjinë që do të zbatohet.

 

 

Zyra e Shtypit – Sekretariati  i Përgjithshëm i Këshillit

Rue de la Loi 175 - B-1048 BRUSSELS - Tel.: +32 (0)2 281 6319

press@consilium.europa.eu - www.consilium.europa.eu/press

Languages:
Seksionet editoriale: